Albin Kurti: Flamuri i Kosovës është lara-lara, çka t’i bëj tash

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje është i ftuar në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini.

Kurtit i është shfaqur një video në të cilën shihet qëndrimet e ndërruara të tij lidhur me flamurin e Republikës së Kosovës. Në njërën ai himnizonte flamurin kombëtar duke e tallur flamurin shtetëror e duke i thënë “lara lara”. Në tjetrën, ai thotë që do të respektojë flamurin e Kosovës në zyren e kryeministrit, shkruan Periskopi.

I pyetur nga analistët nëse besonte që flamuri i Kosovës është ende “lara-lara”, një term tepër pezhorativ për një simbol të shtetit, Kurti u përgjigj duke thënë “Po lara-lara është, çka t’i bëj tash!”

Më tej, ai tha se harta e Kosovës në flamur ka filluar të ketë konotacion më pozitiv pas idesë për shkëmbimin e territoreve që u diskutua gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar.

Kurti po ashtu, ndërroi qëndrimin në lidhje me rritjen e buxhetit për Ushtrinë e Kosovës. Para një jave, z.Kurti kishte deklaruar se do t’i ndante 150 milionë euro në vit, ndërsa sot deklaroi se do t’i ndante 100 milionë.

Aktualisht, Kosova i ndan 60 milionë euro nga buxheti i shtetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. /Periskopi