Maqedonia Veriore po e bën zyrtare gjuhën shqipe: Kosova e ndihmon në përkthim legjislacioni

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar një delegacion nga Maqedonia e Veriut, të përbërë nga zëvendës-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Tahir Hani, si dhe Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Gjuhët.

Në këtë takim u diskutua në lidhje me bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të siguruar zbatim të plotë të Ligjit për Gjuhët. Kosova do ta ndihmojë përgatitjen dhe përkthimin në gjuhën shqipe të legjislacionit atje.

“Jam shumë i lumtur që takova mysafirët nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, Tahir Hanin dhe Ylber Selën, për të folur në lidhje me ndihmën dhe mbështetjen që Kosova do t’ia ofrojë Shkupit zyrtar në përkthimin e infrastrukturës ligjore në gjuhën shqipe, pas miratimit të Ligjit për Gjuhët, muaj më parë”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm për shqiptarët miratimin e Ligjit për Gjuhët në Maqedoninë e Veriut, zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se Kosova do të jetë në dispozicion për t’iu përgjigjur kërkesave të Shkupit për ta ndihmuar zbatimin e tij.

Shoqëria civile shpreh shqetësimin për legjislacionin zgjedhor

Periskopi.com Lajme

18 organizata të shoqërisë civile kanë dal sot me një deklaratë e përbashkët me anë së cilës kanë shprehur shqetësimin për legjislacionin zgjedhor.

Deklarata e plotë e këtyre organizatave:

 

Janë bërë shtatë vite prej kur ka filluar reforma zgjedhore dhe asnjëherë nuk ka përfunduar dhe nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor në këtë drejtim.   Me qëllim të ngritjes së përfaqësimit qytetarë dhe rritjes së cilësisë së të zgjedhurve, me qëllim të konstituimit dhe konsolidimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm të institucioneve, në mënyrë që të sigurohet më shumë funksionalitet i sistemit politik, transparencë dhe llogaridhënie të subjekteve politike dhe administrim më të lehtë të procesit zgjedhor, organizatat e shoqërisë civile ftojnë subjektet politike dhe Kuvendin e Kosovës që të:

Vendosin me prioritet në agjendë çështjen e reformës zgjedhore që adreson problematikat e vërejtura në proceset e kaluara zgjedhore dhe të bazojnë punën në analiza dhe hulumtime.

Sigurojnë që legjislacioni zgjedhor është reflektim i të gjitha grupeve të interesit, duke garantuar gjithpërfshirje dhe respektim të vullnetit të të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre gjinore apo etnike.

Marrin parasysh rekomandimet nga organizatat e shoqërisë civile dhe nga misionet e vëzhgueseve të zgjedhjeve të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.

Organizatat e shoqërisë civile shprehin gatishmërinë për të kontribuar në procesin e adresimit të mangësive të legjislacionit zgjedhor me ekspertizën e tyre për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta në të ardhmen.

Organizatat nënshkruese:

Demokraci Plus (D+)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED)

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Lëvizja FOL

Organizata “Mundësia”

Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (KCIC)

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)

Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC)

Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT)

Qendra për Politika dhe Avokim (QPA)

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)

Shoqata “Nëna Terezë” (MTS)