Lekaj: Nuk na duhen prapë zgjedhje

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se në rast të dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të formuar koalicion qeverisës, atëherë vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje, por partitë politike duhet të bëjnë një zgjidhje.

“Duke e parë këtë qasje të zotit Kurti, Lëvizja Vetëvendosje është një mashtrim i llojit të vet për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Lekaj në RTK.

“Ajo që më shqetëson, Kosova gjendet në vakuum institucional dhe në krizë politike dhe vendit i duhet Qeveria sa më parë”, është shprehur Lekaj, ministër në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit.

“Ne si AAK insistojmë që marrëveshja të ndodhë, por nëse ndodhë vendi nuk guxon të presë”, ka thënë ai.

“Nëse nuk vjen deri te një marrëveshje, partitë politike duhet të ulen dhe të vendosin për zgjidhje të problemit apo për zgjedhje. Unë nuk mendoj që duhet shkuar prapë në zgjedhje”, ka deklaruar Lekaj.

Ai ka thënë se nuk beson që ka hapësirë për një bashkëqeverisje të AAK-së me VV-në.

Ministri Lekaj nën dyshime për keqpërdorim të tenderëve

Periskopi.com Lajme

Dyshimet për keqpërdorime të tenderëve në Ministrinë e Infrastrukturës e kanë dërguar hetuesinë deri tek udhëheqësi i këtij dikasteri, Pal Lekaj. Prokuroria Themelore në Prishtinë, para disa muajsh, sipas burimeve të gazetës, ka hapur një rast “PPN” (rasti PPN është kur ende nuk ka aktvendim për fillimin e hetimeve) e ku është i përfshirë edhe ministri i Infrastrukturës.

Se rasti i nisur si hetim parapenal përfshin edhe Pal Lekajn e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Imer Beka. Ai nuk ka dhënë shumë detaje. Ka treguar vetëm se Prokuroria që e udhëheq ai ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit sqarim nëse kjo lëndë është në kompetencë të kësaj prokurorie, shkruan sot Koha Ditore.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka konstatuar se kjo lëndë është në kompetencë të Prokurorisë Speciale dhe se kjo prokurori tash e tutje merret me këtë rast”, ka thënë Beka.

Në Prokurorinë Speciale nuk janë përgjigjur për këtë çështje.

Ndërsa, gazeta, nga burimet e saj është informuar se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të premten e javës së kaluar i është përgjigjur kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

 

Videoja që tregon përplasjen Lekaj – Tahiri ku paralajmërohen edhe zgjedhjet e reja

Periskopi.com Lajme

Pak minuta para se të dilte në votim taksa 100 për qind, nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti u kishte kërkuar krerëve të koalicionit qeveritar që mos ta bënin atë.

Këtë e bëri të ditur për Rubikon të KTV-së, ministri i AAK-së, Pal Lekaj.

“Xhavit Haliti ka ardhë edhe ka thënë mos e qitni në votim se nuk është koha, keni mu prish me aleat”, ka thënë Lekaj.

Abelard Tahiri fuqishëm e kundërshtoi atë duke e quajtur spekulim.

Ai tha që Haliti është mbështetës i vendimeve të PDK-së dhe kryetarit Veseli dhe nuk ka mundësi që kishte kërkuar një gjë të tillë.

“Nuk është e vërtetë që ka thënë, është spekulim, ai është një mbështetës i madh i kryetarit Veselit”, ka thënë Tahiri. “Sot ky vendim po i prish marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara”, ka shtuar më tej.

Kujtojmë se vetë Haliti në një intervistë për KTV-në kishte thënë se ka qenë kundër taksës. Ai kishte thënë se nuk e kanë lutur dhe nuk e kanë ndërmend ta lusin kryeministrin Haradinaj për heqjen e taksës, po kjo sipas tij, duhet të ndodhë.

Vazhdimin e dialogut me Serbinë, Haliti nuk e sheh të mundur pa tërheqjen e vendimit për taksën, shkruan koha.net.

A është kjo përplasje paralajmërim për fundin e Qeverisë Haradinaj

A është kjo përplasje paralajmërim për fundin e Qeverisë Haradinaj

Posted by Koha.net on Thursday, 21 February 2019

Gjykata ia konfirmon aktakuzën Pal Lekajt për keqpërdorim detyre

Periskopi.com Lajme

Gjykata e Gjakovës ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj ministrit aktual të Infrastrukturës Pal Lekaj, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në kohën kur ishte kryetar i komunës së Gjakovës.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës, kërkesa për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave është refuzuar edhe ndaj të akuzuarit tjetër për keqpërdorim të pozitës zyrtare Ismet Isufi, si dhe ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim lidhur me subvencione dhe veprës penale shmangie nga tatimi.

Në aktvendimin e gjyqtarit Shaqir Zika thuhet se kërkesa e avokatëve Arianit Koci, Haxhi Çekaj dhe Agim Muhaxhiri është refuzuar si e pabazuar, duke i cilësuar provat e aktakuzës të pranueshme dhe të qëndrueshme.

Në anën tjetër, e njëjta gjykatë ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale dhe ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi, për shkak të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me arsyetimin se ka arritur parashkrimi relativ i veprës penale.

Ndërkaq kundër këtij vendimi të gjyqtarit Shaqir Zika, palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në afat prej 5 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën në Prill të vitit 2018, ku pretendon se këto vepra janë konsumuar në kohën kur ministri Lekaj ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës.

Ish-kreu i Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaçin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Ndërsa Veli Hajdaraga, ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione dhe shmangje nga tatimi.

Në lidhje me këtë rast Gjykata e Apelit, rastin ku akuzohet ministri Lekaj bashkë me 6 persona të tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e kishte kthyer në rivendosje për të cilën vepër, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.

Ndërsa sa i përket veprës tjetër të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare për të cilën edhe Gjykata e Gjakovës, e kishte hudhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën e ka vërtetuar edhe Apeli.

Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaçin akuzohen se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrur Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631.671.82 euro.

Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikmëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786.00 euro.

Poashtu edhe i pandehuri Veli Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre.

I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezentuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, repektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

 

Minsitria e Infrastrukturës përfundon kontestin me “Infrakosin” për segmentin në hyrje të Pejës

Periskopi.com Lajme

Minsitria e Infrastrukturës ka përfunduar kontestin gjyqësor me “Infrakosin” që lejon zhbllokimin e punimeve në segmentin rrugor M9, në hyrje të qytetit të Pejës.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, përmes një postimi në Facebook.

“Sot u përmbyll një çështje me rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e infrastrukturës rrugore të rajonit të Pejës. Pas disa vite stërzgjatje dhe ballafaqime gjyqësore në mes të dy institucioneve publike, Ndërmarrjes Publike Infrakos sh.a dhe Ministrisë së Infrastrukturës, u arrit marrëveshja për zgjidhjen e kontestit gjyqësor dhe për zhbllokimin e vazhdimit të punimeve në segmentin rrugor M9, në hyrje të Pejës”, ka shkruar Lekaj, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se, “me këtë marrëveshje ne treguam se institucionet publike duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët për mbrojtjen e interesave në kuadër të kompetencave të tyre ligjore, por edhe promovimin e interesit të përgjithshëm për zhvillimin e vendit”.

Tanimë nuk ka pengesa për vazhdimin e punimeve në segmentin rrugor M9 dhe zgjerimit të rrugës në hyrje të Pejës.

Pas vërshimit të magjistrales Prishtinë-Ferizaj reagon ministri Lekaj

Periskopi.com Lajme

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka njoftuar se për shkak të reshjeve të shiut që e kanë përfshi sot një pjesë të Kosovës, si pasojë e vërshimeve të ujit është bllokuar magjistralja Prishtinë – Ferizaj në Bibaj të Ferizajt.

Ai ka thënë se kjo ka ndodhur shkaku i bllokimit të vijave kulluese, dhe se kompania mirëmbajtëse po punon për sanimin e problemit.

Pas reshjeve të mëdha të shiut vërshohet magjistralja Prishtinë-Ferizaj

Posted by Periskopi on Monday, 9 July 2018

Postimi i Ministrit Lekaj në Facebook:

Rrebeshi i shiut që e përfshiu një pjesë të Kosovës para disa minutash ka bërë që magjistralja Prishtinë – Ferizaj në Bibaj të Ferizajt të bllokohet nga vërshimet e ujit.

Sipas informatave të para kjo ka ndodhë si pasojë e mbylljes së “drenazhes” (vijave kulluese të brezit rrugor) dhe prandaj kemi patur grumbullim të sasisë së ujit.

Kompania e mirëmbajtjes që është e përzgjedhur për këtë pjesë, është në vendin e ngjarjes dhe po intervenohet për të mundësuar pastrimin e zonës së përmbytur.

Ju bëjmë thirrje të gjitha bizneseve që të respektojnë rregullat e mbrojtjes së brezit rrugor, ndryshe inspektoriati i Ministrisë së Infrastrukturës do të udhëzohet të dalë në teren për të parë nga afër kyqjet në këtë pjesë.