Nis digjitalizimi i lëndeve të vjetra penale

Periskopi.com Lajme

Procesi i digjitalizimit të të dhënave të vjetra penale ka filluar. Kjo është bërë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë zyrtarë të Bashkimit Evropian, të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Sistemit të Drejtësisë në vend.

Përmes këtij sistemi, do të digjitalizohen të gjitha të dhënat e personave të dënuar për kryerje të veprave penale që nga qershori i vitit 1999 deri në ditët e sotme.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë projekt, pasi që sipas tij, deri më tani ka qenë e mundur lehtësisht manipulimi në lidhje me të kaluarën kriminale.

Ai ka shtuar që me digjitalizimin e të dhënave kjo gjë që do të jetë e pamundur.

Si shumë të rëndësishëm këtë projekt e ka vlerësuar edhe Luigi Brusa, Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë duke e krahasuar atë me sistemin e VAR-it në futboll.

Përmes këtij projekti është bërë e mundur edhe krijimi i Sistemit Kombëtar Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.

Futen në databazë digjitale lëndët penale qe i ka mbuluar myku

Periskopi.com Lajme

Kosovo Legal Services Company, që nga Korriku 2017 është duke implementuar projektin e financuar nga BE “National Centralized Criminal Records Register System” (Sistemi Kombëtar Qendror i Evidencës Penale në Kosovë) që ka si objektivë kryesore përmirësimin e standardeve të gjyqësorit, zhvillimin dhe implementimin e databazës së evidencës penale, si dhe digjitalizimini e të dhënave të vjetra penale.

Së fundi, Këshilli Gjyqësor ka miratuar Rregulloren mbi Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës (NCCR), i cili është hartuar me mbështetjen e ekipit të projektit.

Kjo Rregullore ka për qëllim të themelojë një strukturë të unifikuar në kuadër të KGJK-së dhe Gjykatave të Kosovës për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës (NCCR).

Në bazë të qëllimit të Rregullores, Ekipi i Projektit ka dizajnuar databazën e NCCR që përbëhet nga baza qendrore e të dhënave për personat e dënuar, procesi i lëshimit të certifikatave për gjendjen penale dhe ekstraktet, si dhe rregullat dhe procedurat për shlyerjen e dënimeve dhe qasjen në këto informata sic përcaktohet me ligj.

Ky sistem parashihet që në të ardhmen të përfshihet edhe brenda Sistemit Evropian për Evidencë Penale (ECRIS), në mënyrë që të dhënat penale të shkëmbehen edhe me shtetet evropiane.

Me shumë detaje rreth këtij projekti i cili ka një peshë të madhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë do të prezantohet nesër në Swiss Diamond Hotel – Prishtinë.

Ekipi i Projektit do të mbaj Ceremoninë Inauguruese të Nisjes së Procesit të Digjitalizimit të të Dhënave të Vjetra Penale.