Gjykata e Apelit: Kemi thyer rekord me zgjidhjen e lëndëve

Periskopi.com Lajme

Gjykata e Apelit gjatë vitit që lamë pas ka zgjidhur 13 mijë e 641 lëndë, që po konsiderohet si shifër rekorde.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala në një konferencë për media, tha se për herë të parë në histori të kësaj gjykate, numri i lëndëve të zgjidhura është më i madh se numri i lëndëve të mbetura për vitin vijues.

“Vitin 2018, Gjykata e Apelit e ka filluar me 12 mijë e 576 lëndë të trashëguara gjatë vitit kanë arritur edhe 14 mije e 21 lëndë, që do të thotë se kemi pasur punë, gjithsej 26 mijë e 597. Prej tyre kemi arritur t’i zgjidhim 13 mijë e 640 lëndë, ndërsa në punë vazhdojnë të mbesin 12 mijë e 957”, tha ai.

Ai tha se gjatë vitit 2018, kjo gjykatë ka zgjidhur 2 mijë lëndë më shumë se në vitin 2017.

Shala ka folur edhe për lëndët kundër korrupsionit zyrtar dhe ato të shenjëstruara.

“Janë lëndë të cilat kjo gjykatë i shqyrton me prioritet të plotë. Nga viti 2017 kemi trashëguar 16 kundër korrupsionit zyrtar. Gjatë vitit që lame kemi pranuar edhe 108 lëndë, që do të thotë i kemi pasur në punë 125 raste. Janë kryer 107, ndërsa vazhdojnë të mbesin në punë edhe 18. Sa i përket lëndëve të shenjëstruara, i kemi kryer të gjitha në afat rekord  aktualisht nuk kemi asnjë të tillë”, tha ai.

Ai ka folur edhe për bojkotin që avokatët janë duke e bërë, ku ka thënë se po e pengon punën.

Shala bëri të ditur se sot do të jetë një takim i jashtëzakonshëm i KGjK-së për këtë temë.

 

Gjykata e Gjilanit ‘zgjidh’ 8 mijë e 493 lëndë për gjashtë muaj, 47 lëndë për çdo ditë

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore e Gjilanit në këtë gjashtëmujor ka treguar efikasitet në zgjidhjen e lëndëve, njëherë duke i dhënë prioritet lëndëve të korrupsionit dhe dhunës në familje.

Kryetari i Gjykatës, Ramiz Azizi, në një konferencë për media të mbajtur sot, ka shpalosur të dhënat për këtë gjashtëmujor.

Ai konkretisht është ndalur tek lëndët e korrupsioni, ku Gjykata i ka dhënë prioritet më shumë.

“Lëndët të kapitullit të korrupsionit është gjatë këtyre gjashtë muajve kemi arritur të zgjidhim 19 lëndë, ndërsa në punë kanë mbetur edhe 35 lëndë, por besoj që shumë shpejt numri i këtyre lëndëve do të zvogëlohet edhe më shumë, pasi që janë lëndë me prioritet. Dënimet për këto lëndë janë dënime me burg, dënime me kusht, si dhe ka edhe aktgjykime liruese”, tha ai.

Gjykata Themelore e Gjilanit, së bashku me Degët e saja në Viti, Kamenicë dhe Novobërdë ka shënuar progres në zgjidhjen e numrit të lëndëve.

“Ky institucion trashëguar në fillim të vitit 20.331 lëndë, gjatë këtyre gjashtë muajve ka pranuar 6.571 lëndë, që do thotë me numrin e lëndëve të trashëguara dhe të pranuara është gjithsejtë 26.902 lëndë. Gjatë kësaj periudhe kohore është arritur të zgjidhen 8.493, ndërkohë kanë mbetur në punë edhe 18.409 lëndë”, tha Azizi.

Sipas një komunikate të gjykatës, nga numri i lëndëve të pranuara dhe të kryera efikasiteti është 129 %, në bazë të kësaj shihet edhe rënia e numrit të lëndëve nga 20.331 në 18.409.

Në veçanti në Departamentin e Krimeve të Rënda janë trashëguar 308 lëndë nga vitet paraprake, janë pranuar 137, do të thotë në total 445 lëndë. Për gjashtë muaj janë kryer nga gjykatësit 147 lëndë, kanë mbetur edhe 298 lëndë në punë, efikasiteti i kryerjes së lëndëve është 107 %.

Kryetari i Gjykatës së Apelit: Kemi problem me lëndët e korrupsionit

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Hasan Shala, sot prezantoi para mediave punën gjashtë mujore të gjykatës që ai udhëheqë.

Mirëpo, përderisa e vlerësoi si të arritur dhe madje rekorde numrin e lëndëve të zgjidhura, ai tha se nuk ishte i kënaqur me punën e gjykatave më të ulëta.

Shala tha se nëse ka numër të caktuar të rasteve të korrupsionit që prishen aktgjykimet, atëherë diçka nuk është duke shkuar më së miri.

“Konsideroj se është një mesatare, por  jo e kënaqshme  mjaftueshëm, sepse nëse ne si Gjykatë e Apelit duke vendosur sipas ankesës e ndryshojmë apo prishim vendimin e Themelores, domethënë që diçka aty ka çalu”, tha Shala.

Shala ishte i prerë në lidhje me politikën e ndëshkimeve në rastet e korrupsionit.

“Kemi problem te rastet e korrupsionit sepse po jepen dënime me kusht kur një person akuzohet për 100 mijë apo më shumë euro keqpërdorim dhe kjo është shumë keq sepse kur të vërteton gjykata se ka vepër penale atëherë duhet të jep dënimin meritor”, tha Shala.

I pari i Apelit ishte më kritik ndaj disa praktikave të përfaqësimit të aktakuzave nga prokurorët.

“Kemi vërejtje për shkak se akuzat të cilat ushtrohen në gjykatë, po më duket se nuk po munden me i argumentua prokurorët e arsyeja është se po ju mungon profesionalizmi mirëpo e kam vërejt edhe një gjë tjetër. Prokurorët që i bëjnë hetimet, rrallë herë ndodhë që ta mbrojnë atë aktakuzë. Kur një prokuror e merr një lëndë një ose dy ditë përpara assesi nuk ka me mundur me qenë në gjendje me mbrojtë atë aktakuzë.

Kryetari Shala tha se ndonëse kanë kryer të gjitha lëndët e shënjestruara për liberalizim të vizave, sfidë e Apelit mbeten lëndët e natyrës civile.

“Shumica e lëndëve të pazgjidhura janë të natyrës civile ndërsa vetëm tani janë zgjidhur lëndët e vitit 2013 dhe kemi filluar me lëndët e vitit 2014. Në Departamentin civil janë 17 gjyqtarë por duhen të paktën 30 gjyqtarë për me arrit me i zgjidh lëndët më shpejtë”,tha Shala.

Shala kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve por alarmoi se me 17 gjyqtarë sa janë në këtë departament dhe me nga 700 -1000 lëndë që ka secili, është vështirë të pritet më shumë dhe se në të kundërtën do të binte cilësia.

Shala tha se Gjykata e Apelit vitin 2018 e ka filluar me 12,576 lëndë të trashëguara nga viti paraprak ndërsa ka pranuar edhe 7,012 lëndë  gjashtë mujorin e parë të vitit 2018.

“6,410 lëndë janë zgjidhur në këta 6 muaj  apo 91% e lëndëve të pranuara e kjo  tregon se  janë zgjidhur 572 lëndë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar apo 91 % e lëndëve të pranuara”, tha Shala.

Shala tha se Gjykata e Apelit ka arritur sukses edhe në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit pasi që vitin 2018 e filluan me 18 lëndë të korrupsionit ndërsa për 6 muaj e parë të këtij viti pranuan edhe  60 lëndë ndërsa 55 prej këtyre lëndëve kanë marrë epilog nga Gjykata  e Apelit.