Profesori amerikan: Kosovës po i cenohet e drejta për liberalizim, i ka përmbushur të gjitha kushtet

Periskopi.com Lajme

Eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Lindjes së Lindjes së Mesme, Alon Ben Meir, që njëkohësisht është njohës i rrethanave politike në Kosovë, po thotë se mosliberalizimi i vizave mund të ndikojë negativisht edhe në aspekte tjera në vend.

Përmes një positmi në Twitter ai ka thënë se Kosovës po i cenohet e drejta për liberalizimin e vizave anipse i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE, përcjell Periskopi.

Si një shtet i vetëm i izoluar në Ballkan, Ben Meir thotë se s’duhet të jemi të surprizuar me rritjen e agjendës së presidentit turk, Tayip Erdogan në Kosovë, ku sipas tij kjo behet për përfitime personale dhe shtetërore.

“Ani pse i kanë përmbushur të gjitha kushtet e BE-së. Kosova ende nuk e ka liberalizimin e vizave – shteti  i vetëm i izoluar në Ballkan. Mos u habisni pastaj me rritjen e agjendës djallëzore të Erdoganit për të ndikuar në këtë shtet për interesa të tij personale”,  ka shkruar Ben Meir në Tëitter. /Periskopi

Europarlamentari austriak: Kosova i ka plotësuar kushtet, por liberalizimi i vizave u bllokua për arsye politike

Periskopi.com Lajme

“Kam besim se do të formohet një qeveri e re në Kosovë, e cila duhet të fokusohet në forcimin e sundimit të ligjit dhe reformat”, thotë Lukas Mandl, anëtar i Parlamentit Evropian.

Mandl, i cili është anëtar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Bosnjen dhe Kosovën, tha për Zërin e Amerikës se ideja e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka mbështetje në Kosovë.

Zoti Mandl, dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, Kosova vazhdon të jetë pa qeveri të re, pjesërisht për shkak të një ngërçi politik të shkaktuar nga mungesa e një marrëveshje mes partive politike për krijimin e një koalicioni qeverisës. Si i shihni zhvillimet e fundit politike në Kosovë?

Lukas Mandl: Kosova është një vendi i strukturuar demokratik. Natyrisht, ka mungesa të disa reformave në disa fusha të shtetit dhe shoqërisë, por demokracia po funksionon. Unë isha pjesë e Delegacionit të Parlamentit Evropian, që vëzhgoi zgjedhjet dhe jam i kënaqur që demokracia po funksionon. E theksoj këtë për çdo vend ku kjo është e vërtetë sepse unë e respektojë vendimin e votuesve. Votuesit në Kosovë kanë vendosur në mënyrë të qartë të mbështesin dy partitë fituese në Kosovë dhe ato po negociojnë për formimin e një qeverie. Unë kam besim se mund të formohet një qeveri e mirë. Do të jetë e rëndësishme që të bëhen reforma të brendshme, që të fitohet dhe të pranohet mbështetja nga pesë vendet e tjera të Ballkanit. Nëse krijohet, unë mendoj se qeveria e re do të ketë një mandat të mirë.

Sipas mendimit tuaj, cilat do të jenë sfidat kryesore të qeverisë së re në Kosovë, që pritet të drejtohet nga udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti? Çfarë pret Parlamenti Evropian dhe Delegacioni i tij për Bosnjën dhe Kosovën nga qeveria e re e Kosovës?

Lukas Mandl: Unë mendoj se gjatë mandatit të qeverisë së re të Kosovës, për njerëzit e Kosovës, pesëdhjetë për qind e vendimeve të rëndësishme do të vijnë nga Bashkimi Evropian, dhe ndoshta 50 për qind nga qeveria e Kosovës. Pjesa që duhet të bëhet nga qeveria e Kosovës është forcimi i sundimit të ligjit. E theksoj këtë sepse sundimi i ligjit është drejtpërdrejt i lidhur me investimet dhe investimet janë drejtpërdrejt të lidhura me punësimin, vendet e punës. Dhe nëse ka vende pune dhe investime, njerëzit do të qëndrojnë në Kosovë. Është shumë e rëndësishme që të rinjtë, punëtorët e fortë, të arsimuarit qëndrojnë në vend dhe e forcojnë vendin e tyre. Në anën e Bashkimit Evropian do të jetë e rëndësishme që të mbahet premtimi për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe kjo të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë luftoj për këtë në parlament dhe shumica e anëtarëve të Parlamentit Evropian janë në favor të liberalizimit të vizave me Kosovën. Përveç forcimit të sundimit të ligjit, për qeverinë e re të Kosovës do të jetë e rëndësishme që të forcohet sistemi i arsimit, veçanërisht në fushën e teknologjisë, programeve kompjuterike, kodeve, arkitekturës së softuerëve, sepse Kosova nuk ka shumë burime natyrore dhe nuk ka një industri tradicionalisht të fuqishme. Por Kosova ka një numër të madh të të rinjve, mesataren më të madhe të popullsisë së re në Evropë. Ka shumë të rinjë që duan të punojnë në fushën e inxhinierisë së programve kompjuterike, dhe një numër i tyre tashmë e bëjnë këtë. Disa kompani të mëdha austriake punojnë me këta të rinjë në Kosovës. Për këtë arsye, unë nganjëherë them se Kosova, ndoshta mbarë Ballkani Perëndimor një ditë mund të bëhet Silikon Valley i Evropës. Por, duhet të forcohet sistemi i arsimit në këtë fushë, duhet të forcohet arsimi për vajzat, gratë dhe për të gjithë në shoqëri. Unë mendoj se mund të mbështetet çdo qeveri që përpiqet të realizojë këto synime.

Çfarë duhet të bëjë Kosova për t’ia lehtësuar Bashkimit Evropian marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave?

Lukas Mandl: Unë kam qenë shumë i sinqertë për këtë çështje. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Kosova i ka plotësuar mbi 90 kushte të parashtruara nga Bashkimi Evropian. Kjo është bllokuar për arsye politike. Pesë vende të Bashkimit Evropian akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe disa vende të tjera që dyshojnë se liberalizimi i vizave me Kosovën do të funksiononte pasi ata kanë frikë se njerëzit do të largohen nga vendi dhe nuk do të kthehen, do të qëndrojnë në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës.

Çfarë ndikimi do të kenë përpjekjet për reformimin e Bashkimit Evropian dhe moshapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë, në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi?

Lukas Mandl: Për mua këto dy gjëra janë të ndërlidhura dhe të rëndësishme në këtë fushë. Unë jam miqësor me Kosovën, si raportues i grupit të Partisë Popullore Evropiane dhe Parlamentit Evropian për Kosovën dhe unë jam i angazhuar me Kosovën, por kjo nuk do të thotë se unë e vë në dyshim rëndësinë e Serbisë. Serbia është e rëndësishme, populli serb është i rëndësishëm. Serbia është ekonomia me fuqishme në rajon dhe ajo ka një përgjegjësi për shkak të kësaj force. Unë gjithmonë ia them Serbisë se është e rëndësishme që ajo ta kuptojë se shumica e vendeve të botës e kanë njohur Republikën e Kosovës. Nuk është e arsyeshme që të mendohet se mund të ketë një anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian pa njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në këto fusha nevojitet përgjegjësi nga Serbia dhe për këtë çështje të gjithë udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian duhet t’i dërgojnë një mesazh të qartë Serbisë se kemi nevojë për ju, ju duam në familjen evropiane, por ju lutem jepni fund këtij konflikti të vjetër. Pra, është obligim i Komisioni të Bashkimit Evropian që të kujdeset për procesin e dialogut (Kosovë-Serbi). Unë shpresoj që jo vetëm Komisioneri për Punë të Jashtme, Josep Borrell, por edhe Komisioneri për Fqinjësinë, Oliver Varhelyi do të angazhohen në procesin e dialogut. Të them të drejtën, ky proces nuk është një përgjegjësi e vetëm Presidentit francez, Emmanuel Macron. Shpresoj që ai nuk do ta dëmtojë këtë proces, por zoti Macron, të them të drejtën, nuk ka mandat evropian për këtë çështje, ai ka mandat francez, ashtu si udhpheqësit e 27 vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Zoti Mandle, zyrtarët austriakë kanë mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare për normaliziminKosovë Serbi. Si e shihni ju këtë?

Lukas Mandl: Ideja lindi në Austri, në alpet e Tirolit, gjatë një diskutimi publik mes presidentit austriak, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Unë nuk dua të jem në mesin e atyre që imponojnë një zgjidhje nga jashtë mbi çështjet për të cilat Kosova dhe Serbia flasin ose janë dakord. Ka qenë një gabim i madh në historinë e Ballkanit Perëndimor, që nganjëherë janë imponuar zgjidhje nga jashtë për Ballkanin Perëndimor. Unë nuk dua që të imponohet një zgjidhje nga jashtë. Unë do të jem i kënaqur nëse vazhdojnë diskutimet dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe unë nuk dua që të imponohen gjëra në axhendën e këtyre bisedimeve. Përvoja ime pas idesë së shkëmbimit të territoreve ishte dhe vazhdon të jetë se shumica e njerëzve në Kosovës nuk e mbështesin atë. Kështu që nuk duket se ka shanse të mëdha që kjo ide do të funksinonte mirë. Prandaj, ndoshta do të ishte më mirë që të gjenden çështje për të cilat palët mund të arrijnë marrëveshje.

A do ta mbështesnit një zgjidhje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë që përfshinë shkëmbim territoresh, pavarësisht nëse ajo është e imponuar apo jo?

Lukas Mandl: Unë do të mbështesja çdo zgjidhje që mbështetet nga Kosova dhe Serbia. Për mua është e rëndësishme që të ketë një zgjidhje me respekt reciprok mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është detyra ime që të imponojë një zgjidhje. Unë vërtetë kam përshtypjen se imponimi i zgjidhjeve nga jashtë nuk ka qenë axhenda e duhur për Ballkanin Perëndimor.

Zoti Mandl, udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili pritet të jetë kryeminstër i qeverisë së re të Kosovës, ka kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve ose korrigjimit të kufirit. Sipas mendimit tuaj, çfarë ndikimi mund të ketë fitorja e zotit Kurti në dialogun Kosovë-Serbi?

Lukas Mandl: Përshtypja ime nga jashtë është se ndoshta kryeministri i ardhshëm Albin Kurti tani është më i moderuar në politikat e tij se sa në të kaluarën. Unë gjithashtu kam përshtypjen se mund të formohet një qeveri e mirë dhe profesionale nga dy partitë fituese në Kosovë. Negociatat janë pjesë e sistemit politik, veçanërisht në demokraci, ku bisedimet me njëri-tjetrin janë një instrument i rëndësishëm i gjetjes së zgjidhjeve. Për mua paraqitja e qëndrimeve në mbështetje ose kundër propozimeve për çështje të caktuara para negociatave nuk është ndonjë problem. Do të ishte problematike nëse palët nuk flasin me njëra-tjetrën. Kështu që nëse Albin Kurti ose Aleksandër Vuçiçi thonë se nuk duan të bisedojnë, atëherë do të ishte problem. Për aq kohë sa ka njerëz që janë të gatshëm të bisedojnë, do të ketë një rrugë për gjetjen e një zgjidhjeje. Unë jam gjithmonë optimist për këtë.

Zoti Mandl, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar angazhimin e tyre në Ballkan, duke emëruar dy dërguar për Ballkanin dhe për bisedimet Kosovë-Serbi? Cili do të jetë roli i Bashkimit Evropian në procesin e bisedimeve pas përfshirjes më të madhe amerikane?

Lukas Mandl: Për Bashkimin Evropian kjo është një përparësi e madhe. Kjo do të thotë se vetë Presidentja Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e sapozgjedhur nga Parlamenti Evropian, do të kujdeset për çështjen e dialogut. Unë ia kam kërkuar këtë disa herë, dhe e kam kuptuar përgjigjen e saj se ajo është dakord me këtë dhe e sheh këtë si një përparësi. Por do të ketë edhe komisionerë të tjerë që do të merren me këtë si Komisioneri për Punë të Jashtme, Komisioneri i Fqinjësisë dhe të tjerë që do të angazhohen në nivel politik. Do të ketë gjithashtu edhe të dërguar të posaçëm që do të mbikqyrin aspektin teknik të procesit. Por, kjo vazhdon të jetë një përparësi për Komsionin Evropian dhe Parlamentin Evropian. Nëse do të kem përshtypjen se Komisioni Evropian nuk po angazhohet aq shumë për këtë çështje unë do të kërkojë me forcë si anëtar i parlamentit që gjerat të ecin përpara.

Disa analistë kanë paralajmëruar se Rusia mund të përpiqet të sigurojë një prani në Ballkanin Perëndimor përmes pengimit të zgjidhjes së problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. A mund ta pengojë Rusia në fakt arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit?

Lukas Mandl: Shpresojë që jo. Varet nga ne, evropianët nëse ne lejojmë ndikim nga pjesë të tjera të botës, që nuk janë dakord me vlerat dhe qasjen tonë ndaj dinjitetit dhe lirive njerëzore. Këtu nuk përfshihet vetëm ndikimi nga Rusia, por edhe nga Turqia, Kina, madje edhe Arabia Saudite. Disa njerëz nuk e dinë që Serbia zhvillon më shumë stërvitje me NATO-n, dhe se Rusia nuk po shpenzon aq shumë në Serbi. Bashkimi Evropian po shpenzon shumë në Ballkanin Perëndimor dhe në Serbi. Kjo nuk është një dhuratë, por pjesë e përpjekjeve për një zhvillim të qëndrueshëm të mbarë kontinentit, për mbarë Bashkimin Evropian. Kështu që ka shumë arsye për të qëndruar të bashkuar, si një familje evropiane e bashkuar, që të mos lejojmë ndikime të tilla brenda Bashkimit Evropian. Por unë e di që ky rrezik ekziston, jo vetëm nga Rusia por edhe nga vende të tjera. Në duhet të shmangim sa më shumë që të mundemi këto lloje të ndikimit negativ.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kohët e fundit tha se masakra e vitit 1999 në Reçak të Kosovës ishte fabrikuar. Në Kosovë, mohimi i krimeve të luftës nga Serbia shihet si një kundërshtim ndaj frymës së pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve. Sipas mendimit tuaj, çfarë ndikimi mund të kenë këto lloje deklaratash mbi bisedimet Kosovë-Serbi?

Lukas Mandl: Pyetja ime është se për cilën audiencë janë dhënë këto mesazhe. Shpresoj që të mos jetë e nevojshme për një zyrtarë ose politikanë në Ballkanin Perëndimor që të mohojë ngjarje të tmerrshme si kjo. Duhet të jetë e mundur që të nderohen dhe të kujtohen viktimat dhe të arrihet një ardhme pozitive dhe e begatë në të gjitha pjesët e botës. Unë nuk jam dakord me mohime të tilla. Kjo akoma po ndodh edhe në rajone të tjera, si në Turqi, e cila mohon gjenocidin armen. Nuk dua të krahasoj njërën ngjarje me tjetrën, ato janë të ndryshme. Por, të mohosh vuajtjet viktimave është diçka për të cilën ne nuk kemi nevojë në Evropë, e as në zona të tjera. Ne nuk e duam këtë nga asnjëra palë. Historia e suksesshme e Bashkimit Evropian është e bazuar te tejkalimi i këtyre mohimeve dhe agresionit që ato përmbajnë në vete. Unë i bëj thirre të gjitha palëve që t’u japin fund konflikteve etnike, kombëtare dhe fetare. Këto janë konflikte të gabuara dhe jo racionale. Të punojmë për një të ardhme të begatë për rajonin, duke mbështetur gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor.

 

Shqipëria me hapa pas në liberalizimin e tregut dhe rritjen e sigurisë energjetike

Periskopi.com Lajme

Sekretariati i energjisë në Vjenë e klasifikoi Shqipërinë si vendin e vetëm në rajon, që ka shënuar regres në reformat energjetike gjatë këtij viti.

Vlerësimi, i cili përbën një goditje të fortë në planin e qeverisë për rimëkëmbjen e sektorit energjetik, vëren se vendi ka bërë hapa mbrapa në shumë drejtime, që nga liberalizimi i tregut e deri te diversifikimi burimeve apo rritja e sigurisë energjetike.

“Progresi i reformave strukturore në sektorin energjetik të Shqipërisë këtë vit ishte vetëm në letër”, thuhet në vlerësim.

Sipas sekretariatit, ndërtimi i bursës së energjisë në Shqipëri vazhdon të zvarritet, ashtu si ndarja funksionale e Operatorit të shpërndarjes, masa që duhet të hapnin tregun. Por, veç tyre, raporti ka kritika të forta edhe për zvarritjen e centralit diellor të Akërnisë.

“Ankandi i parë për energjinë e rinovueshme të centralit diellor 50 mega u zhvillua në fund të 2018-ës. Por është shqetësuese që kontrata nuk është firmosur ende.”

Centrali i Akërnisë u fitua nga një konsorcium i kryesuar nga India Power Generation. Por ministria e infrastrukturës ende nuk ka firmosur marrëveshjen për blerjen e energjisë. Këtë sekretariati e konsideron shqetësuese.

“Stabiliteti dhe parashikueshmëria e kuadrit ligjor të energjisë së rinovueshme duhet të garantohen. Ashtu si transparenca dhe mos diskriminimi i investitorëve.”

Raporti vëren se reformat në vend janë penalizuar edhe nga ndërrimi i stafeve, ku veçohet shkarkimi i drejtorit të agjencisë për efiçiencën e energjisë.

Sipas sekretariatit, ky akt ka ndikuar negativisht në mbështetjen financiare të projektit nga BE. Për vite me radhë, reforma energjetike është cilësuar si një nga sukseset më të mëdha të qeverisë. Por Banka Botërore dhe FMN vërejnë se reforma është ngadalësuar, ndërsa sipas sekretariatit vendi po bën hapa pas./tch

MPJ thotë se po ngatërrohen temat, liberalizimi i vizave nuk ndërlidhet me dialogun

Periskopi.com Lajme

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për deklaratat e fundit në të cilat ndërlidhet procesi i dialogut me Serbinë, me procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas MPJ-së, këto deklarata janë të gabuara dhe se këto dy procese nuk ndërlidhen.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës vlerëson se është e gabuar përpjekja e disa zyrtarëve të rinj në Bruksel për të lansuar idenë që Liberalizimi i Vizave për kosovarët të ndërlidhet me përfundimin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftim.

MPJ thotë se kjo ide jo vetëm që është shkelje eklatante e së drejtës për lëvizje të lirë, por po ashtu është edhe ngatërrim i dy çështjeve, pra dy proceseve që nuk mundet dhe nuk duhet të ndërlidhen.

Dialogu si mjet i vetëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë ka për qëllim të ndërtoj bazamentin për vendosjen e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore, thotë MPJ.

E sipas MPJ-së, dialogu në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe proceset në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian duhet të ecin ndaras dhe pa kushtëzime.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duhet të mbahen peng të ideve “interesante”, tekeve dhe vullneteve të pamatura dhe imponuese, pavarësisht se nga kush vijnë si ide”, thuhet në komunikatë.

MPJ tutje thekson se dialogu duhet të ketë rrjedhën e vet dhe nuk duhet të has në obstrukcion nga ide që kanë për qëllim ta ndryshojnë kontekstin e zgjidhjes së problemeve të grumbulluara nga konflikti Republikë e Kosovës – Republikë e Serbisë, në një kontekst rajonal, apo në procese që Kosova ka karshi Brukselit zyrtarë.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës vlerëson se jo-konstruktiviteti i imponuar dhe superior do të mbingarkojë agjendat, sepse imponimet dhe devijimet kanë premisa të keqkuptimit dhe keqinterpretimit, dhe për më tepër vështirë se do të hasin në mirëkuptim për të ofruar zgjidhje të pranueshme”, thuhet në fund.

BE as këtë vit s’e ka në agjendë liberalizimin e vizave

Periskopi.com Lajme

Edhe pse deri në fund të vitit janë edhe dy takime të Këshillit të Ministrave të BE-së, në asnjërën nga to nuk është përfshirë çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Njohësit e integrimeve evropiane thonë se kjo është pasojë e mungesës së rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përderisa Zyra e BE-së në Prishtinë përsërit qëndrimin e vazhdueshëm për rend e ligj në Kosovë.

Për kundër mbështetjes së disa shteteve për liberalizim të vizave për Kosovën, Këshilli i ministrave i BE-së, si organ vendimmarrës, nuk e ka paraparë në agjendë këtë çështje. Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë në një përgjigjeje për Radio Kosovën nuk përmend kohën se kur mund të ndodhë kjo, por flet për raportin e progresit të këtij viti për Kosovën i cili mbështet Komisionin Evropian për të përmbyllur me urgjencë këtë proces. Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, është me rëndësi që Kosova të vazhdojë të demonstrojë përpjekje të vazhdueshme për rend dhe ligj, migrim dhe siguri, në mënyrë që të përgatisë një kontekst pozitiv para vendimit përfundimtar (për liberalizim të vizave) të vendeve anëtare të BE-së.

Por, sipas njohësve të integrimit evropian, problem kryesor në këtë çështje është ngecja e institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit e korrupsionit. Demush Shasha, nga instituti ”EPIK”, i tha Radio Kosovës se skepticizmi vije kryekëput mbi mungesën e rezultateve të Kosovës në luftë kundër korrupsionit si një nga rekomandimet kyçë të KE sa i përket liberalizimit të vizave:

“Prandaj, arsyeja kryesore për hezitimin e disa vendeve anëtare për të liberalizuar vizat me Kosovën ka të bëjë ekskluzivisht me mungesën e rezultateve në luftë kundër korrupsionit, ku tri viti nga maji i vitit 2016, kur i është kërkuar Kosovës rezultat në këtë fushë, sot nuk kemi as edhe një rast të vetëm të korrupsionit të nivelit të lartë të përfunduar me sukses në gjykatë”, tha ai.

Në këtë kuadër Shasha thotë se çështja e liberalizimit të vizave me Kosovën është bllokuar në tërësi brenda institucioneve të BE-së dhe nuk shohim asnjë sinjal që çështja e liberalizimit të vizave do të lëvizë brenda vitit 2019.

“Deri në fund të këtij viti të gjitha takimet e Këshillit të Ministrave të BE-së në të gjitha konfiguracionet e tij janë publike, dihet kur do të mbahen dhe takimi i Këshillit të Ministrave që është përgjegjës për çështjen e liberalizimit të vizave është takimi për drejtësi dhe punë të brendshme. Ky këshill në këtë përbërje do të takohet edhe dy herë deri në fund të vitit, në fillim të tetorit dhe në javën e parë të dhjetorit dhe në asnjë nga agjendat e këtyre takimeve Kosova nuk figuron aty”, tha ai.

Ndryshe Kosova në korrik të vitit 2018 mori rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe aktualisht ka mbetur çështje e ngrirë, sidomos, kjo po shihet edhe në fushatën parazgjedhore, ku kandidatët për deputetë e kryeministër nuk e përmendin çështjen e liberalizimit të vizave.

 

Haradinaj vendeve të BE-së: Nuk do të keni kokëçarje nga lëvizja e lirë e qytetarëve tanë

Periskopi.com Lajme

“Policia ka mision ruajtjen e rendit dhe ligjit në Kosovë, e ruan jetën e njerëzve të këtij vendit dhe mund të them se njerëzit e Kosovës janë me fat që ju kanë ju, që ju kemi ju, e që kujdeseni për jetën, rendin, pasurinë, për gjithë ato vlera që Kosova i ka krijuar “, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e shënimit të 20- vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, tha se Policia e Kosovës është partner i mirë në luftimin e krimit të të gjitha rreziqeve dhe kërcënimeve, partner i mirë për policitë e rajonit, për policinë e kontinentit tonë në BE, e po ashtu policia jonë e meriton të jetë anëtare e INTERPOL-it dhe të luftojë krimin transnacional.

Kryeministri në detyrë Haradinaj tha se është e metë e madhe që disa vende të botës, përfshirë edhe disa vende të mëdha, e pengojnë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, duke theksuar se pengimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, është ndihmesë për krimin.

“Kushdo që nuk lejon që edhe Kosova të bëhet anëtare e INTERPOL-it, nuk dëshiron rend dhe ligj, nuk dëshiron luftimin e krimit transnacional dhe kërcënimeve të tjera dhe bën kompromise me sigurinë jo vetëm të Kosovës dhe rajonit, por bën kompromis dhe e rrezikon sigurinë e kontinentit tonë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se Kosova si vend sovran është anëtare e koalicionit botëror në luftën kundër terrorizimit dhe si aleate i merr përgjegjësitë e saj me besnikëri dhe për këtë Policia e Kosovës e kryen pjesën e vet të punës në mënyrën më të mirë.

Duke parë standardin në të cilin punon Policia e Kosovës dhe standardet në të cilat punojnë mekanizmat tjerë të rendit dhe ligjit në Kosovë, kryeministri në detyrë  Haradinaj, i ka siguruar vendet e BE-së se me vendimin për liberalizim të vizave nuk do të ketë befasi për vendet e BE-së.

“Asnjë nga ministrat brendshëm të vendeve Schengen nuk do të ketë kokëçarje nga lëvizje e lirë e qytetarëve të Kosovës. Kjo për faktin, se në Kosovë ka një evidencë, një databazë, një sistem të mbikëqyrjes dhe kontrollit të lëvizjes në kufi, të hyrje-daljeve, të tillë që nuk mund të befasohet askush nga ne. Jemi në pritje të vendimit të vendeve të BE-së për liberalizim dhe i garantojmë të gjithë se Qeveria dhe Policia e Kosovës do t’i kryej me sukses detyra te veta”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se do të jenë në përkrahje të rritjes dhe zhvillimit të Policisë, e po ashtu do të jenë në përkrahje të misionit të tyre të shenjtë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj,  tha se Policia e Kosovës është ndër institucionet e para të themeluara për çlirimit të vendit, andaj policia është e lidhur ngushtë me të arriturat dhe sfidat e shtetndëritmit, me komponentët e rëndësishme të shtetit, sigurinë.

Drejtori Qalaj, tha se burrat dhe gratë më besnikë të këtij vendi ishin dhe janë pjesëtarë të policisë së Kosovës, andaj sot ndihet ndjehet krenar me rezultatet e dy dekadave të ekzistencës dhe me punën e palodhshme të Policisë së Kosovës.

“Gjatë këtij rrugëtimi Policia e Kosovës është përballur më vështirësi, sfida dhe situata komplekse e sfiduese të sigurisë, por ato kanë ndikuar në forcimin dhe zhvillimin tonë”, tha drejtori Qalaj, duke theksuar se në polici nuk ka probleme, por vetëm zgjidhje të tyre.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin personalitete të shumta të institucioneve vendore e ndërkombëtare, drejtor të agjencisë të sigurisë dhe partnerë ndërkombëtar, ndërsa nga një fjalë para të pranishmëve mbajtën presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu.

Fajon: Mosliberalizimi i vizave për Kosovën është padrejtësi e BE-së

Periskopi.com Lajme

Eurodeputetja Tanja Fajon ka thënë se është e papranueshme që Bashkimi Evropian të mos ia heqë vizat Kosovës, pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve të nevojshme. Megjithatë, ajo ka shtuar se përbërja e re e Parlamentit Evropian është në favor të zgjerimit.

Bashkimi Evropian po tregohet i padrejtë në raport me Kosovën, pasi pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve të nevojshme nuk po ua heq vizat qytetarëve të saj.

Fajon ka premtuar se do të vazhdojë me të bërit presion tek institucionet e BE-së deri në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, ashtu siç u është premtuar atyre.

“Më vjen keq që konkluzionet e fundit të Këshillit ishin shumë më pak premtuese e konkrete sesa propozimet fillestare sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Është e papranueshme që pavarësisht kushteve të përmbushura Këshilli ende nuk ka arritur të japë dritën e gjelbër për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Në rolin tim si raportuese e Parlamentit për liberalizimin e vizave do të vazhdoj të luftoj për Kosovën dhe do të vazhdoj të ushtroj presion ndaj shteteve anëtare për të ofruar atë që është premtuar”, ka deklaruar Fajon për “Zërin”.

Hoxha thotë se Gjermania dhe Franca kanë bllokuar liberalizimin

Periskopi.com Lajme

’’Vendimi lidhur me propozimin për liberalizimin e vizave është duke u shqyrtuar aktualisht nga Këshilli”. Kjo është e tëra që u tha në Konkluzat e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një intervistë për EO është shprehur e zhgënjyer me Bashkimin Evropian.Ajo duke komentuar Konkluzat e Këshillit të Ministrave të BE-së, thotë se kanë pritur datë konkrete lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.

“Ne kemi pritur një gjuhë më konkrete, afate më konkrete kohore lidhur me këtë proces të shqyrtimit. Kam theksuar se jemi në hapin e fundit, pra vendimi në Këshillin e Ministrave në të vërtetë e hap rrugën që qytetarët tanë të lëvizin të lirë. Mirëpo këtë herë ne e pamë që nuk ishte asgjë konkrete në konkluzat e Këshillit të Ministrave. Ishte ndoshta një fjali e cila thoshte apo e konfirmonte atë që ne e kemi thënë disa herë, që çështja e liberalizimit të vizave është duke u shqyrtuar në Këshill, mirëpo nuk jep afate kohore. Dhe kjo për neve është pak brengosëse sepse ne i kemi përfunduar kriteret dhe e dimë shumë mirë se përkundër faktit që Kosova i ka pasur dyfishin në krahasim me vendet e rajonit ne prapë se prapë nuk jemi ndalur dhe i kemi përmbushur këto kritere”, thotë ajo.

Hoxha e pranon se tashmë disa shtete të BE-së, kanë dalur haptazi kundër liberalizimit të vizave. Madje ajo përmend edhe Gjermaninë, e cila sipas saj nuk po ndërmerr asgjë për t’i bindur vendet tjera që të votojnë për heqjen e vizave për Kosovën.

“Tani po shohim një hezitim nga disa shtete anëtare siç është Franca, Holanda, deri diku edhe Gjermania nuk ka një mendim të qartë, përkundër faktit që ministri i Brendshëm ka thënë që “po” liberalizimit të vizave për Kosovën, mirëpo në anën tjetër në takimin e Këshillit të Ministrave të Punëve të Brendshme, i cili u mbajt me 6 dhe 7 qershor, pra i parapriu takimit të këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe asgjë nuk u disktua për Kosovën. Pra as Gjermani asnjëra nga këto shtete nuk e hapi temën e liberalizimit të vizave. Kjo na bënë të kuptojmë se pa u arritur një konsensus në mes të anëtarëve të BE-së nuk e shoh që do të kemi një vendim në Këshillin e Ministrave. Shpresoj që kjo të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët tanë të lëvizin sa më shpejt, mirëpo e gjitha tani është në duar të shteteve anëtare, gjegjësisht dy tri shteteve që duhet ta lëvizin këtë proces përpara”, shton ajo.

Ministrja e Integrimit po shprehet e bindur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, thotë se është proces që duhet vazhduar edhe pas liberalizimit të vizave.

“Për ne po komplikohet procesi fare në fund. Për Kosovën nuk po ka vlerësim, pra të drejtë. Për Kosovën po vazhdojnë kushtet, nuk është se janë kushte shtesë por vazhdoni ti plotësoni kriteret e udhërrëfyesit. Kriteret e udhërrëfyesit vazhdojnë të zbatohen, sepse ato janë gjëra që ne i zbatojmë në mënyrë të rregullt, qoftë siguria e pasaportave, qoftë siguria e dokumenteve. Ndërsa sa i përket kriterit të luftimit dhe korrupsionit,a po rastet e shenjëzuara, është diçka që ne duhet të vazhdojmë dhe do të vazhdojmë. Nuk është diçka që do të mbyllet në momentin kur ne e marrim liberalizimin e vizave”.

Kërkesat e shteteve të BE-së karshi Kosovës,ministrja Hoxha po i vlerëson të padrejta. Thotë se nuk pranojnë më asnjë kusht nga askush.“Mua më brengos hezitimi dhe vonimi për të marrur një vendim. Askush qoftë edhe ne në Kosovë, por askush nuk do të pranojë kushte shtesë, sepse nuk mund të paguajmë dy herë për një gjë të cilën ende nuk na e kanë dhënë. Të gjitha vendet me përmbushjen e udhërrëfyesit e kanë marr liberalizimin e vizave. Të njëjtën gjë e presim edhe ne. është përmbush udhërrëfyesi, janë përmbushur kriteret, kjo është konfirmuar nga Komisioni Evropian, është konfirmuar dy herë nga Parlamenti Evropian dhe ne presim një vendim sa më parë. Sepse jemi dhe kemi mbetur vendi i vetëm i izoluar dhe qytetarët tanë s’po arrijnë të lëvizin të lirë”.

Duke parë krejt këtë situatë, ministrja Hoxha shprehet skeptike se një vendim për liberalizimin e vizave mund të ndodh në shtator. Thotë se një vendim i tillë nuk mund të merret pa konsensus në mes të Gjermanisë dhe Francës. Madje thotë se janë po këto dy shtete që njëfarë mënyrë po e mbajnë të bllokuar liberalizimin për Kosovën.

“Është e arritshme, por ajo që po vërejmë tash është hezitimi i disa vendeve anëtare, si Franca, Holanda, janë fuqimisht kundër. Gjermania nuk është duke dalur përpara diskutimit apo debatit që t’i bindë edhe vendet tjera që ne duhet të lëvizim të lirë. Ky është një fakt tjetër që më bën të mos jem optimiste për shtator. Po gjatë fundit të vitit nëse mund të arrihet konsensusi në kuadër të vendeve anëtare atëherë mund të lëvizin vizat. Mirëpo, nuk e besoj se Gjermani dhe Franca do ta vënë në agjendë nëse ato dyja së pari nuk e arrijnë pajtimin se do të votojnë për liberalizimin e vizave. Pra pa u arritur ai konsensus në Këshillin e Ministrave, nuk e besoj që do të vihet në agjendë”, thotë Hoxha.

Ajo nuk e përjashton mundësinë se vendosja e taksës ndaj prodhimeve serbe mund të ketë ndikuar në këtë proces.Thotë se në çdo takim lobues në vendet e BE-së është kërkuar pezullimi i taksës.

“Nuk mund të them që nuk është kërkuar nëpër takimet me anëtarët e BE-së që ta suspendojmë taksën. Do me thënë në çdo takim lobues që kam qenë në vendet anëtare është kërkuar kjo. Mirëpo, ne i kemi arsyet tona në lidhje me taksën dhe me dialogun. Dihet se Kosova është e përkushtuar që të arrijë marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe të paqes me Serbinë. Por gjithashtu një gjë që duhet të potencohet është se nuk duhet të ketë parakushte. Pra pse duhet të ketë kushte për t’u ulur të bisedojmë në tavolinë kur ne jemi ata që duhet të vendosim kushte. Nuk e shoh se këto janë kushte apo pengesa shtesë mirëpo po shfrytëzohen nga disa vende”, përfundon ministrja Hoxha.

Qosja fajëson lidershipin kosovar për mos liberalizimin e vizave

Periskopi.com Lajme

Akademiku Rexhep Qosja ka refuzuar të fajësojë Bashkimin Evropian për mos liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë dhe për dështimin e dialogut me Serbinë.

Qosja thotë se fajtorë pse deri tani nuk na janë liberalizuar vizat nuk është Bashkimi Evropian, por vetë ne dhe të parët tonë në Kryesi të Kosovës, në Qeveri të Kosovës, në Kuvend të Kosovës.

Në një shkrim të tijin, akademiku thotë se ka shumë arsye pse BE refuzon të heqë vizat duke i renditur korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar , gjyqësorin e kapur etj.

Përkundër kësaj, Qosja shprehet optimist se vizat do të liberalizohen, por paralajmëron politikanët e korruptuar se do të vijë dita kur do të japin llogari para popullit, që sipas tij, tashmë e ka kuptuar se ata janë pasuruar në kurriz të tyre.

Lexoni të plotë shkrimin e akademik Qosjes:

Gjatë, shumë gjatë është tjerrë dhe po tirret lëmshi i liberalizimit të vizave.

Nuk do të tirret më aq gjatë.

Është gjetur “fajtori”.

Fajtor është Bashkimi Evropian.

E fajtorin e kanë gjetur tjerrësit e lëmshit të liberalizimit të Vizave: Kryesia e Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës me një pjesë të deputetëve të tij.

Këta po thonë gjithnjë e më zëshëm se Bashkimi Evropian na ka veçuar (izoluar) dhe nuk po na trajton të barabartë me të tjerët në Ballkan e në Evropë.

Le të thuhet përsëri.

Evropa, me fuqitë e saj të mëdha, ishin fajtore e madhe ndaj shqiptarëve: në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1912-1913, në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, në Konferencën e Parisit në vitin 1946 dhe mandej gjithnjë deri në vitin 1998.

Në këtë vit, në vitin 1998, Evropa e ndërroi mendjen ndaj nesh: dhe e ndërroi më pak nën ndikimin e brejtjes së ndërgjegjes për padrejtësitë që u kishte bërë shqiptarëve, e më shumë nën ndikimin e SHBA-së.

Bashkimi Evropian me shtetet e tij kryesore e përkrahu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministria e Mbretërisë së Bashkuar me në krye Toni Blerin bëri çmos për fushatën e bombardimeve kundër forcave ushtarake serbe.

Franca i angazhoi institucionet e saj shtetërore në organizimin e Konferencës për Kosovën në Rambuje.

Prej bazave në Itali fluturonin aeroplanët ushtarakë, të NATO-s, që bombardonin qendrat ushtarake, policore e paraushtarake serbe në Kosovë e në disa pjesë të Serbisë e të Malit të Zi.

Njëri prej pilotëve që hodhi bombën e parë në këto qendra në Kosovë u tha se ishte pilot holandez.

Bashkimi Evropian më vonë e njohu shpejt Kosovën shtet i lirë, i pavarur e sovran.

Le të thuhet se të gjitha këto ishin shprehje e vullnetit të SHBA-së.

A mund të thuhet, prandaj, çka po thonë Kryesia dhe Qeveria e Kosovës: se Bashkimi Evropian po përdor standarde të dyfishta në qëndrimin ndaj nesh në krahasim me qëndrimin ndaj të tjerëve në Ballkan kur është në pyetje liberalizimi i vizave?

Jo, dhe jo!

A mund të thuhet, prandaj, çka po thonë Kryesia dhe Qeveria e Kosovës se Bashkimi Evropian po na veçon (izolon)?

Jo, dhe jo.

A mund të thuhet, prandaj, se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, zonja Federika Mogerini, është subjektive, e padrejtë ndaj nesh në bisedimet me Serbinë?

Jo, dhe jo!

Fajtore pse deri tani nuk na janë liberalizuar vizat nuk është Bashkimi Evropian, po fajtorë jemi ne: janë të parët tonë në Kryesi të Kosovës, në Qeveri të Kosovës, në Kuvend të Kosovës – janë ata që vetë i kanë të liberalizuara vizat.

Fajtore për dështimet e bisedimeve me Serbinë nuk është Zonja Mogerini, po Serbia dhe Kosova.

Evropa që moti do të na i liberalizonte vizat po të mos ishin leverditë, prapësitë prej të cilave janë të pushtuar pushtetarët, milionerët politikë, të Kosovës: korrupsioni i pandalshëm, privatizimet e paligjshme e të “ligjshme” të pasurisë publike, plaçkitjet, zhvatjet e pandalshme me të cilat janë pasuruar të parët e të dytët e pushtetit në Kosovë, me të cilat janë pasuruar vëllezërit e tyre, familjarët e tyre, miqtë e tyre, bashkëpartiakët e tyre të përkushtuar, sigurimcat e tyre!

Evropa që moti do të na i liberalizonte vizat sikur të mos ishte nepotizmi i tyre – kjo dukuri politike që mendjen tonë politike e kthen në kohën parahistorike kur njerëzit ishin të organizuar në grupe gjahtarësh e në fise; kjo dukuri politike në saje të të cilës është pushtuar Qeveria, është pushtuar administrata, janë pushtuar veprimtaritë që politizon dhe kontrollon shteti; kjo dukuri në saje të të cilës shpërfillen aftësitë, dhuntitë (talentët), meritat, interesat e Kosovës! Shpërfillet mendja e Kosovës!

Evropa do të na i liberalizonte vizat sikur të mos ishte krimi i organizuar që nuk do të mund të mbahej as tri ditë po të mos kishte tolerancën, shpesh pjesëmarrjen e më shpesh patronazhin politik të disa pushtetarëve.

Evropa e Bashkuar që moti do të na i liberalizonte vizat sikur te mos shihte se shteti i Kosovës është i kapur, është shtet i privatizuar, në të cilin gjyqësori është shtrëngueshëm i kapur, në të cilin një pjesë e mediave janë të kolonizuara prej pushtetit e prej disa pushtetarëve, me të cilat ndiqen e përndiqen e heshtën e komprometohen kritikët veprues dhe kritikët e supozuar të pushtetarëve.

Se fajtor pse nuk na janë liberalizuar vizat nuk është Bashkimi Evropian, po janë Kryesia, Qeveria dhe Kuvendi ynë me përbërjet e tyre të sotme e dëshmojnë edhe deklaratat jo të rralla të disa ambasadorëve në Kosovë që nuk ngurrojnë të na i përkujtojnë korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar, duke mos harruar të thonë se në Kosovë s’ka ende trajtim gjyqësor të pushtetarëve të korruptuar të nivelit të lartë.

Se për ç’arsye nuk na janë liberalizuar vizat mund të shihet edhe prej Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, që iu dorëzua Kryesisë së Kosovës para disa ditësh.

Çka të thuhet më tej për mitin e vizave të paliberalizuara:

Të thuhet se:

Kosova në asnjë pikëpamje nuk mund të krahasohet me Kroacinë: Kroacia e ka çuar në burg savjeçar kryeministrin e korruptuar, Sanader.

Kosova nuk mund të krahasohet me Maqedoninë e Veriut e cila donte të burgoste kryeministrin Gruevski po ai ia mbathi në Hungari.

Kosova nuk mund të krahasohet me Bullgarinë e me Rumaninë sepse atje u krijuan struktura të veçanta që hetojnë prejardhjen e pasurisë së milionerëve politikë duke përfshirë kryetar e kryeministër e kryetar kuvendi, u caktua prokuror i veçantë, me pagë e sigurim të veçantë dhe u çuan, ku edhe duhet të çohen, të korruptuarit e atij niveli të lartë politik e shtetëror.

Kosova nuk mund të krahasohet sot me asnjë shtet tjetër, pos me Shqipërinë, sa u përket krimeve në fusha të pronësive të krijuara pas luftës.

Duke e shtyrë afatin e liberalizimit të vizave Bashkimi Evropian po përpiqet t’i përmirësojë, t’i zbusë, t’i çdespotizojë, t’i çmilionerizojë të parët e të dytët e korruptuar politikisht e materialisht të pushtetit në Kosovë, por nuk e ka të lehtë.

Evropa vizat, megjithatë, do të na i liberalizojë. Dhe, BE milionerët politikë të pasuruar me korrupsion do t’i pranojë dhe me ta të bisedojë për demokracinë e gënjeshtërt të Kosovës!

Dhe, njëkohësisht do të bëhet gati të presë valët e shqiptarëve që do t’ua mësyjnë dyerve e dritareve të saj.

Mes tyre mund të jem edhe unë.

Por, milionerët politikë, të pasuruar duke keqpërdorur e fyer pozitat politike e shtetërore, mos të harrojnë se për ato keqpërdorime do të japin llogari duke u bërë protagonistë të urrejtur e të përbuzur në drama, romane, filma artistikë e dokumentarë, në kujtime e në ditarë; se për ato keqpërdorime pashmangshëm do të vijë dita kur ata do të japin llogari edhe para sovranit – para popullit, i cili po bëhet gjithnjë e më i vetëdijshëm se pasuria e milionerëve politikë është krijuar duke u shkelur të drejtat e tij, duke u shfrytëzuar djersët e tij, duke u fyer dinjiteti i tij, duke u dëbuar në botë fëmijët e tij!

 

Vjosa Osmani takim me zyrtarët kroatë, flasin për liberalizimin e vizave dhe dialogun Kosovë-Serbi

Periskopi.com Lajme

Drejtuesja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osamni, ka takuar sot një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme kroate.

Në kuadër të këtij takimi ata kanë biseduar rreth procesit të zgjerimi të BE-së, me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, procesin e liberalizimi të vizave për Kosovën dhe për dialogun Kosovë-Serbi, shkruan Periskopi.

Këtë e bëri të ditur vet deputetja Osmani përmes një postimi në facebook.

“Sot në Kuvendin e Kosovës prita delegacionin nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë, udhëhequr nga Ndihmës Ministri për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Miroslav Papa. Diskutuam rreth procesit të zgjerimit të BE-së, me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për dialogun Kosovë-Serbi”, shkruan deputetja e LDK-së. /Periskopi

Ministri gjerman: Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, ndryshimi i kufijve provokon ndarje

Periskopi.com Lajme

Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michal Roth,  bën thirrje për më shumë përfshirje të Bashkimit Europian në rajon.

Ai në një intervistë për Spiegel ka folur për atë se a duhet të ketë rivendosje të kufijve në Ballkan dhe për çështjen e vizave të Kosovës.

“Ne nuk e promovojmë atë si një dhuratë bujare, por sepse Kosova i ka përmbushur kushtet e BE. BE nuk duhet të japë përshtypjen se ne s’po lëshojmë pe gjithnjë dhe përsëri. Në qoftë se ne lemë një vakum në Ballkanin Perëndimor, forcimi i shtetit të së drejtës dhe demokracitë e tyre, do e të ndahen me vendet si: Kina, Rusia, Turqia”, shkruan Top Channel.

Der Spiegel e pyeti ministrin Roth se çka mendon për shqyrtimin e rivendosjes së kufirit nga qeveria e Kosovws dhe ajo e Serbisw.

“Jo këtë. Ky propozim nuk qetëson, provokon ndarje të reja. Nuk duhet të lënë asnjë dyshim se e ardhmja e shoqërive në Ballkanin Perëndimor është shumë etnike dhe shumë-fetare. Nuk mund të ketë demarkime të reja përgjatë etnive”, u shpreh Roth.

 

 

Asnjë sinjal se vizat liberalizohen këtë vit

Periskopi.com Lajme

Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të presin edhe më tej për heqje të vizave.

As gjatë Samitit të Berlinit shtetet e BE-së nuk dhanë ndonjë sinjal se së shpejti mund të ndodhë vendimmarrja sa i përket liberalizimit. Pas takimit të Berlinit presidenti e kryeministri dolën me qëndrime të ndryshme rreth çështjes së vizave. Ekspertët e integrimeve evropiane konsiderojnë se aktualisht nuk ekziston momentumi për ta shtyrë përpara çështjen e vizave, shkruan “Zëri”.

Pavarësisht pritshmërive të krerëve institucionalë se në Samitin e Berlinit do të merrej sinjali pozitiv për liberalizimin e vizave, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Përkundrazi, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shfaq i zhgënjyer pas takimit të Berlinit. Në një deklaratë për medie kreu i shtetit tha se çështja e vizave hasi në një pozicion injorues gjatë takimit. Rrjedhimisht, për mosfinaliizm të këtij procesi Thaçi fajësoi Bashkimin Evropian, duke thënë se BE-ja dha premtime mashtruese lidhur me liberalizimin.

Por ndryshe u paraqit kryeministri Ramush Haradinaj. Pas një takimi që pati me ministrin e Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, shefi i ekzekutivit tha se Kosova e mori “Po”-në e Gjermanisë për vizat. Por pavarësisht kësaj njohësit e integrimeve evropiane konsiderojnë se momentalisht nuk ekziston momentumi për ta shtyrë përpara çështjen e vizave.

Sipas tyre, në kuadër të Samitit nuk ka pasur asnjë deklarim publik prej zyrtarëve të BE-së lidhur me vendimmarrjen rreth vizave për Kosovën.

Fatmir Sejdiu: Liberalizimi s’do të ndodhë para 2020’s

Periskopi.com Lajme

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në Intervistën e Javës në Koha.net, ka folur ndër tjerash edhe për bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave. Është shprehur i bindur se liberalizimi s’do të ndodhë para vitit 2020.

“Nuk jam ithtar i dhënies së datave në formën s’i jepen e janë dhënë edhe më herët dhe ne e mbajmë mend. Janë iluzione të ndërtuara në kokat e atyre që premtojnë, e nganjëherë sjellin dëshpërime. E rëndësishme është që Kosova të bëjë punën e vet, sepse nuk është që Kosova nuk ka rezultate në përgjithësi, por në të njëjtën kohë ka edhe sfida të cilat praktikisht mund të jenë pengesë për një hapje të derës të karakterit të këtij procesi”, thotë Sejdiu.

Sejdiu në intervistën e Javës në Koha.net thotë se është e ngutshme të jepen data të caktuara për liberalizim, por ka një prognozë që s’ndodh para 2020-s.

“Unë kam një prognozë që liberalizimi i vizave s’do të ndodhë para vitit 2020, kjo në bazë të informacioneve e komunikimeve që kam”, tha Sejdiu.

Sejdiu tutje thotë se vet natyra e problemeve që ka Kosova, posaçërisht me çështjen e papunësisë, goditjes së drejtpërdrejtë në gjeneratën e re, siç shprehet ai, kur ajo në njëfarë mënyre reflekton me frikën se nuk e ka perspektivën, ajo e shqetëson.

“Ky mund të jetë një tip i trembjes që ka ndodhur edhe me vendet tjera, pa liberalizim por me çështjen e anëtarësimit. Ta zëmë momentet kur Bullgaria e Rumania janë bërë anëtare të BE-së, sa është derdhur nga dy vendet, diku kanë kaluar mbi 3 milionë njerëz dhe kanë shkuar në vende të ndryshme të Evropës. Dhe kjo të ndodhë edhe me Kosovën? Në fakt, Kosova nuk ka atë numër dhe nuk e ka trysninë e madhe që mund të çrregullojë ritmin e jetës në vendet e BE-së, por sido që të jetë, do të ketë pasoja për vetveten”, u shpreh Sejdiu.

 

Ambasadat e BE-së shtrëngojnë dhënien e vizave për kosovarët

Periskopi.com Lajme

Derisa Bashkimi Evropian vazhdon ta zvarrisë liberalizimin e vizave për kosovarët, qytetarët po ankohen se së fundmi edhe ambasadat e shteteve evropiane e kanë shtrënguar dhënien e vizave për ta, duke e bërë edhe më të vështirë lëvizjen e lirë në Zonën Schengen.

Së fundmi janë shtuar ankesat e qytetarëve për refuzim të vizave ose për dhënie të vizave afatshkurtra.

Gazetarja Serbeze Haxhiaj ka përmendur një rast kur një ambasadë i kishte lëshuar vizë vetëm 24-orëshe.

“Më ka ndodhur një herë që Ambasada Gjermane më ka lëshuar vizë 24-orëshe për të marrë pjesë në një ekspozitë të krimeve të luftës në Berlin. Në kthim ka pasur vonesa në fluturime dhe kur kam ardhur në aeroport të Budapestit në Hungari më kanë thënë se nuk guxon ta lëshosh terminalin, sepse nuk ke vizë. Kosovarët përveçqë kanë vuajtur për shumë vite nga regjimi i vizave, ata kanë hasur në shumë probleme dhe në burokraci nga stafi i ambasadave. Pra nuk ka pasur lehtësi as për gazetarët”, ka bërë të ditur ajo.

Sipas Haxhiajt, për mosheqjen e vizave nga Bashkimi Evropian qytetarët e Kosovës kanë më së paku faj dhe për këtë shkak nuk e meritojnë izolimin.

“Në fakt pesha e izolimit si rezultat i abuzimit të pushtetit, të korrupsionit të lartë dhe imazhi i vendit i cili sundohet nga krimi ka rënë komplet mbi shpatullat e qytetarëve. Sigurisht se BE-ja ka vënë kritere si luftën kundër korrupsionit, por në anën tjetër ka përdorur standard të dyfishta duke u dhënë viza pikërisht njerëzve përgjegjës për këtë gjendje”, ka theksuar ajo./Zeri/

BE-ja po i shfrytëzon vizat për t’i bërë presion Kosovës

Periskopi.com Lajme

Bashkësia ndërkombëtare “ka ashpërsuar” thirrjet për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, teksa me këtë gjë po kushtëzohet edhe heqja e vizave dhe integrimi i Kosovës në BE. Përfaqësuesit e partive politike thonë se me “izolimin” e kosovarëve BE-ja po tregohet e padrejtë me Kosovën.

Shkodran Ramadani, njohës i çështjeve politike, ka thënë që Bashkimi Evropian me mosheqjen e vizave për kosovarët po dëshmon që nuk është e unifikuar si organizatë. Sipas Ramadanit, opsion real për zvarritjen e këtij procesi është edhe shfrytëzimi i kësaj çështjeje me qëllim që Kosova të punojë më shumë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Institucionet e BE-së janë duke u treguar të pafuqishme karshi shteteve anëtare të kësaj organizate. Politika dhe rekomandimet e zyrtarëve të BE-së po hasin në “veshë të shurdhër” nga vendet e BE-së, por Kosova më nuk ka faj dhe faji mund të gjendet te mungesa koherente te shtetet e BE-së. Pra BE-ja po del që nuk ka një politikë të unifikuar karshi Kosovës, por nuk mund të përjashtohen edhe variantet tjera që liberalizimi i vizave të mos jepet si mjet për të ushtruar presion politik që Kosova të përkushtohet më shumë në dialogun me Serbinë”, ka thënë Ramadani.

Ndërkohë Ramadani ka theksuar se ndonëse ndaj Kosovës ishte ushtruar shumë presion për arritjen e një marrëveshjeje me Malin e zi, tani një vit pas qytetarëve u është bërë padrejtësi me mosdhënien e vizave. “Ndaj Kosovës ishte bërë shumë presion që të ratifikohet Marrëveshja me Malin e Zi si kriteri i fundit për liberalizim të vizave dhe Kosova pas një bllokade të gjatë ia doli që ta ratifikojë atë, Komisioni Evropian ka pohuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, madje më shumë kushte sesa vendet e tjera. Tash për shkak të një klime jo të përshtatshme nga vendet e BE-së, vende të cilat do të votojnë veç e veç për heqjen e vizave për Kosovën, është duke u hezituar dhe janë skeptikë, kjo gjë përbën padrejtësi nga BE-ja për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ai. /ZËRI

Osmani: BE-ja po negocion me Kinën për vizat, por Kosovën 1.7 milionëshe e ka izoluar

Periskopi.com Lajme

Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, ka drejtuar kritika ndaj Bashkimit Evropian sa i përket vonesave në liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas saj BE-ja duhet ta mbajë fjalën, dhe se është e pakuptimtë që ata tashmë i kanë filluar negociatat për liberalizim të vizave me Kinën, ndërkohë vazhdojnë të mbajnë në ‘geto’ Kosovën.

“Është tani radha e BE-së që të respektojë fjalën e dhënë, dhe Italia ka një votë jashtëzakonisht të rëndësishme në Këshillin Evropian”, ka thënë Osmani për mediat serbe.

Osmani ka kujtuar faktin se Kosova tashmë ka përmbushur të gjithë 95 kriteret për liberalizimin e vizave. Ajo thotë se në rast se BE-ja nuk liberalizon vizat për kosovarët, atëherë do të humbasë besueshmërinë në sytë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Shpresojmë që se shpejti Këshilli i BE-së të diskutojë për këtë çështje, pasi është gjithashtu një aspekt që ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Ne po rrezikojmë të futemi në një geto në zemër të Evropës”, ka thënë deputetja e LDK’së.

Sipas Osmanit është e pakuptueshme se si BE-ja e ka lënë jashtë ombrellës së vetë, një vend të vogël prej 1.7 milionë banorësh, kur tashmë negocion për liberalizim vizash edhe me vende të mëdha si Kina.

Deputetja e LDK’së, thotë se është e padrejtë që të ndërlidhet çështja e emigracionit me liberalizimin e vizave.

Ajo thotë se Italia mund të ketë një rol mjaft të rëndësishëm duke qenë një promotor i kërkesave të Republikës së Kosovës në nivelin Evropian.

“Ju jeni një vend që na shpëtuat jetën tonë 20 vjet më parë, pasi populli i Kosovës ishte nënshtruar politikave gjenocidale dhe krimeve të luftës kundër njerëzimit.  Njëzet vjet më vonë, si një vendi i pavarur dhe sovran, Kosova po përpiqet që të kapercejë një sërë pengesash për procesin e konsolidimit dhe forimcimit të shtetit, në mënyrë që të kontribuohet edhe në paqen e rajonit”, ka shtuar Osmani./GazetaExpress/

 

Veseli kërkon liberalizimin e vizave nga BE

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se Bashkimi Evropian duhet t’u japë qytetarëve të Kosovës të drejtën, e cila u takon, për lëvizje të lirë.

Veseli thotë se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kushtet, por konsideron se zgjedhjet në Parlamentin Evropian, janë pengesa për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Kryeparlamentari kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për proceset të cilat duhet të kalohen deri tek liberalizimi i vizave për zonën Schengen.

“Ne presim që Bashkimi Evropian definitivisht t’iu japë mundësinë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si gjithë qytetarëve të tjerë atë drejtë e cila iu takon. Fakti është se Kosova, tanimë për fat të mirë edhe BE-ja e pranon, se teknikisht ka përmbushur të gjitha kriteret”.

“Nuk është mirë që Kosova të jetë pjesë e një bllokade për shkak të zgjedhjeve të cilat janë në BE. Ne presim shumë shpejt që kjo të ndodhë nga BE-ja. Por që të jem korrekt po flas për pozicionin të cilin e përfaqësoj unë, të qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të vendit tim, kemi të bëjmë pastaj edhe me palën tjetër, këtu duhet të jetë edhe mirëkuptimi i qytetarëve tanë”, u shpreh Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se kosovarët janë qytetarë evropianë dhe se kriteret për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimi Evropian i kanë plotësuar më shumë se të gjitha vendet e tjera.

Ai është i bindur që BE-ja do të ketë vendim pro lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës.

“BE është duke kaluar në disa faza të cilat nuk janë normale gjatë gjithë ekzistencës të cilën e ka pasur. Si do që të jetë, ata duhet ta bëjnë këtë, është edhe në interes të tyre edhe në interesin e kredibilitetit dhe të ardhmes së BE-së për ato vlera që i promovojnë… e jemi qytetarë evropianë, ne kemi përmbushur të gjitha kriteret më shumë se çdo vend tjetër po presim që BE në momentin më të volitshëm ta marrë këtë vendim. Sigurt do ta marrë”.

“Burokracia evropiane është duke ndryshuar në mënyrë rapide, por liberalizimi për qytetarët e Kosovës duhet të ndodhë. Jam shumë i sigurt se ka forca brenda BE-së të cilat mendojnë në mënyrë strategjike dhe humane, më mirë sesa forcat që janë destruktive”.

Të enjten Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme – LIBE, në Parlamentin Evropian, ka votuar pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës./EO/

Deliu – Kodra  mirëpret mbështetjen e PE-së për liberalizimin e vizave

Periskopi.com Lajme

Blerta Deliu – Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, ka mirëpritur debatin parlamentar të zhvilluar dje në Parlamenti Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si dhe vendimin e marrë sot.

Gjithashtu, ka falënderuar euro-deputeten Tanja Fajon, raportuese, për angazhimin dhe punën e saj të vazhdueshme në përkrahje të së drejtës së qytetarëve të Kosovës që t`u jepet mundësia e lëvizjes së lirë pa viza në zonën Shengen.

“Përkundër faktit që institucionet e  Kosovës që nga korriku i vitit 2018 kanë përmbushur të gjitha kriteret e paraparë nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, përmbushja e të cilave është konfirmuar nga Komisioni dhe Parlamenti Evropian, ka qenë Këshilli ai i cili nuk ka ndërmarrë veprime në këtë drejtim”, ka thënë Deliu-Kodra.

Andaj, ky takim në Parlamentit Evropian në Strasbourg, sipas saj, shihet si një mundësi që t`i bëhet presion dhe inkurajim Këshillit që sa më shpejt të marrë një vendim të drejtë për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit qytetarë në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë përfituar nga marrëveshja për lëvizje pa viza.

“Madje, mungesa e vendimit të institucionit të BE-së, pra, Këshillit, për lëvizje të lirë, ka frikë se është duke ndikuar në dekurajimin e qytetarëve të Kosovës dhe si rrjedhojë edhe humbjen e besimit në institucionet e BE-së”, thuhet në deklaratën e kryetares Blerta Deliu-Kodra. ​

 

Hoxha: E meritojmë liberalizimin, jemi përjashtuar padrejtësisht

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka reaguar pas votimit pozitiv në Parlamentin evropian, për liberalizimine vizave.

Pas votimit pro me 331 vota, të Raportit të Tanja Fajon për liberalizim, Ministrja Hoxha ka theksuar se “Ne e kemi merituar liberalizimin, kemi kërkuar trajtim të barabartë me shtet e deritashme aspirante për liberalizim, përjashtimi ynë, është shumë i padrejtë”.

Ja postimi i Ministres Hoxha në fb:

Raporti i Tanja Fajon, për liberalizimin e vizave i votuar me 331 vota, është rikonfirmim i punës së institucioneve tona. Ne e kemi merituar liberalizimin, kemi kërkuar trajtim të barabartë me shtet e deritashme aspirante për liberalizim, përjashtimi ynë, është shumë i padrejtë.

Faleminderit Znj. Fajon dhe euro deputetë që keni qenë përkrahës të së vërtetës!” Do theksuar se Parlamenti Evropian, sot ka votuar sërish, për të vazhduar mandatin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të raportueses Tanja Fajon, si pjesë e procedurës për të vazhduar mandati i këtij procesi edhe në kohën e tranzicionit, pasi zgjedhjet për Parlamentin Evropian, do të mbahen në muajin maj.

Avramopulos: Kosova e meriton liberalizimin e vizave

Periskopi.com Lajme

Bashkimi Europian po humb kredibilitetin me rezistencën e tij kundrejt liberalizimit të regjimit të vizave me Kosovën. Këto qëndrime u ndanë dje nga komisionieri për emigracionin, Dimitris Avramopoulos dhe raportuesja për Kosovën, Tanja Fajon. Dy zyrtarët e lartë apeluan ligjvënësit europianë t’i japin dritën jeshile procesit që nisi fillimisht në vitin 2012.

Bashkimi Europian duhet të liberalizojë sa më shpejt regjimin e vizave me Kosovën pasi janë përmbushur standardet bazë dhe është në interes të perspektivës europiane të gjithë Ballkanit.

Ky apel iu drejtua të mërkurën ligjvënësve të Parlamentit Europian përmes komisionierit për emigracionin, Dimitris Avramopulos.

Në parashtresën e tij, zyrtari i lartë europian kujtoi se shtatë vite pas fillimit të dialogut për liberalizimin e vizave, vendi ka bërë hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe këto përpjekje duhen vlerësuar.

Avramopoulos:”Kosova është i vetmi partner në Ballkanin Perëndimor që nuk po përfiton nga marrëveshja për lëvizjen e lirë, bashkë me qytetarët e saj. E di që disa vende kanë rezerva për risqet e emigracionit nga Kosova, edhe ata vetë janë dijeni të tyre. Por ne duhet ta inkurajojmë vendin të plotësojë më tej kriteret e mbetura, të forcojë kornizën ligjore, dhe t’ua komunikojë qartësisht qytetarëve të tij të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga regjimi pa viza. Tani na mbetet neve të biem dakord sa më shpejt që ky proces të përmbyllet.”

Apelit të tij iu bashkua edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon, duke theksuar se BE-ja nuk po i përmbahet premtimeve që i janë bërë Kosovës.

Ajo i cilësoi të papërgjegjshme disa vende që ende shpreshin skepticizëm për heqjen e kufizimeve për regjimin e vizave mes dy aleatëve.

Liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë sërish në axhendën e diskutimeve ditën e enjte, ku ligjvënësit evropianë do të votojnë për hapat e mëtejshëm të këtij procesi.