Lajm i mirë për vizat nga Parlamenti Evropian

Periskopi.com Lajme

Parlamenti Evropian ka votuar të enjten për të vazhduar mandatin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky votim ka qenë pjesë e një hapi ligjor, në mënyrë që të vazhdohet mandati i këtij procesi edhe në kohën e tranzicionit, pasi zgjedhjet në Bashkimin Evropian do të mbahen në muajin maj.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë në një postim në Twitter se tani i takon Këshillit Evropian të bëjë punën e tij.

“Shumica kanë votuar në të mirë të liberalizimit të vizave për Kosovën. I bëjmë thirrje Këshillit Evropian të veprojë TANI”, është shprehur ajo.

Parlamenti Evropian ka diskutuar për këtë çështje të mërkurën mbrëma dhe në mesin e diskutimeve mes përfaqësuesve evropianë, ka pasur dallime të qarta në qëndrime për këtë çështje.

Fajon e ka thënë të mërkurën se Bashkimi Evropian ka dështuar që të realizojë premtimet e tij ndaj Kosovës.

Eurodeputeti austriak Mandl kërkon liberalizimin e vizave për kosovarët

Periskopi.com Lajme

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Ai njëherësh ka përkrahur vendimin e Parlamentit Evropian për lëvizjen e lirë të qytetarëve nga Kosova nëpër vendet e BE-së.

“Republika e Kosovës ka pasur shumë kritere komplekse të përmbush për të fituar liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Këto kritere janë përmbushur. Parlamenti Evropian ka miratuar tashmë regjimin pa viza për kosovarët me një shumicë të madhe votash. Tani është në duart e shteteve anëtare, ata duhet vendosur”.

“Austria ka një traditë të gjatë në ndërmjetësimin e drejtësisë dhe dhënien e mundësive për njerëzit e Evropës juglindore. Edhe shtetet tjera anëtare duhet të shohin se identiteti evropian i qytetarëve të këtyre pjesëve të Evropës është i lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e veprimeve të BE-së. Parlamenti Evropian ka konfirmuar tanishme qëndrim e tij”, tha Mandl, anëtar i delegacionit të Kosovës nga Parlamenti Evropian./Klan Kosova/

Shpërthejnë talljet me Labin në rrjete sociale pas deklaratës se do të rrit mjekrrën deri në liberalizim (Foto)

Periskopi.com Lajme

Këngëtari deputet në Kuvendin e Kosovës, Labinot Tahiri, pas dorëzimit të pasaportave, ka marrë edhe një vendim, si shenjë e solidarizimit me qytetarët për mos liberalizimin e vizave.

Pasi që kishte premtuar se nuk do të udhëtonte jashtë shtetit, Tahiri ka postuar një ‘story’ në Instagram, përmes së cilës ka treguar se nuk do t’i pres flokët dhe mjekrën deri sa të hiqen vizat për kosovarët.

“Me mjekërr dhe flokë të gjata, sado që rriten, deri në liberalizim”, ka shkruar Labi mbi foton e tij.
Ditë më parë, Labi mori pjesë në protestën e studentëve në Prishtinë për të kërkuar heqjen e vizave, nga ku dha premtimin që do ta dorëzojë edhe pasaportën e Shqipërisë.

Por kjo deklarata e fundit e tij për mjekrën, nxiti talljet në grupe të ndryshme nëpër rrjete sociale. Më poshtë vetëm një ndër fotografitë që po qarkullon nëpër Facebook:

Dëshira e vetme e të rinjve kosovar për 2019: Liberalizimin e vizave! (Video)

Periskopi.com Lajme

Liberalizimi i vizave vazhdon të mbetet shpresa dhe pritja kryesore e të rinjve kosovarë, edhe për vitin 2019.

Krahas kësaj, në vitin e ri, ata presin hapje të vendeve të punës, zhvillim ekonomik dhe kushte më të mira për shkollim e studime, raporton Radio Evropa e Lirë. /Periskopi

Hoti: Thaçi e paralizoi shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht, e PAN-i na la pa viza

Periskopi.com Lajme

Veprimet e presidentit Hashim Thaçi në lidhje me idenë e tij për shkëmbim të territoreve me Serbinë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së i ka quajtur angazhime anti-kushtetuese të cilat e kanë paralizuar konsolidimin e shtetësisë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Hoti thotë se tashmë edhe vendet më përkrahëse të Kosovës kanë formësuar qëndrimin e tyre se çdo progres i Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike të varet nga dialogu me Serbinë.

“Kjo qasje e Presidentit e kanë vënë në rrezik krejt atë që kemi arritur me aleatët tanë tash e dy dekada. Rreziku është se një gjë që e kemi fituar me luftë, tash ta diskutojmë në dialog. Dhe kjo qasje e Presidentit e ka marrë miratimin e heshtur të Qeverisë”, ka thënë Hoti në një postim në Facebook, raporton Koha.net.

Tutje, deputeti i LDK-së foli edhe për qeverisjen qendrore, duke thënë se në vetëm një vit të qeverisjes, koalicioni PAN na ka larguar nga BE-ja ndërsa sot Kosova është në pikën më të ulët të përkrahjes ndërkombëtare në tri dekadat e fundit.

“Viti po përmbyllet me qeverisje pa legjitimitet të koalicionit PAN, i cili nuk ka guxim të përballet me qytetarët. Ajo që e bashkon sot Qeverinë, Presidentin dhe Kryeparlamentarin nuk është dialogu, por interesi për të mbetur në pushtet”, deklaroi Hoti.

Më tej, shefi i deputetëve të LDK-së tha se transformimi i FSK-së në Ushtri u arrit me aleatët tanë, sidomos me ndihmën e SHBA-së.

Por, siç shton ai, qytetarët mbetën pa viza. “Qeveria e dobësoi miqësinë e Kosovës me partnerët tanë, por e thelloi miqësinë me korrupsionin, krimin dhe nepotizmin. Kjo është arsyeja që nuk po shtohen njohjet, po reduktohen aleatët dhe pamundësohen anëtarësimet në organizata ndërkombëtare”, deklaroi Hoti.

Në fund, zyrtari i LDK-së thotë se karshi kësaj situate, partia e tij po mban qëndrime të qarta në mbrojtje të shtetit të Kosovës.

“LDK është e para, me përkrahjen më të madhe qytetare. Në vitin që po hyjmë na presin angazhime të rëndësishme. Ne do iu dalim në ballë proceseve, sepse e kemi obligim kushtetues dhe kombëtar ta mbrojmë Kosovën dhe qytetarët e saj”, theksoi në fund të deklarimit të tij, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti./Periskopi

Torte në formë të vizës Schengen, kështu gëzohen kosovarët për një vizë (Foto)

Periskopi.com Lajme

Një qytetar i Kosovës duket se i është gëzuar fort marrjes së një vize Schengen.

Ja se çfarë kanë përgatitur familjarët e tij për të.

Foto dërguar nga lexuesit:

Një torte në formë vize Schengen. /Periskopi

Këto janë 10 shtetet që janë më të korruptuara se Kosova, por morën liberalizimin e vizave nga BE

Periskopi.com Lajme

Disa nga shtetet të cilat renditen më poshtë se Kosova në Indeksin e Korrupsionit, qytetarët e të cilëve lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Sipas Komisionit Evropian, qytetarët e shteteve të cilat janë të listuara në tabelat më poshtë nuk kanë nevojë të pajisen me VIZA për të lëvizur në zonën Schengen.

Disa nga shtetet të cilat renditen më poshtë se Kosova në Indeksin e Korrupsionit, qytetarët e të cilëve lëvizin lirshëm në zonën Schengen:

Disa nga shtetet që e kanë numrin e vrasjeve për 100 mijë banorë më të lartë se Kosova, qytetarët e të cilëve lëvizin lirshëm në zonën Schengen:

Shtetet me GDP për kokë banori më të ulët se Kosova, qytetarët e të cilëve lëvizin lirshëm në zonën Schengen:

Emrush Ujkani thotë se situata në Ballkan është dramatike

Periskopi.com Lajme

Për Emrush Ujkanin, profesor i së Drejtës Evropiane, në aspektin e liberalizimit të vizave, ajo që është me rëndësi është se Kosova ka bërë mirë që i ka përmbushur obligimet që kanë dalë nga BE-ja.

“Mendoj se është bërë mjaftueshëm në përmbushjen e kërkesave që janë adresuar nga Komisioni Evropian. Tash vendimmarrja i takon BE-së”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se është pritur se do të ketë telashe të tilla, derisa ka thënë se kundërshtimi strikt i Spanjës për njohjen edhe të pasaportave është një problem serioz.

Në anën tjetër, ajo që është shqetësuese dhe dëshpëruese për qytetarët e Kosovës është se nuk kemi marrë liberalizimin e vizave, ka thënë ai, teksa ka shtuar se Kosova është e pafuqishme për të bërë më shumë në këtë drejtim.

Ujkani ka thënë se një pjesë të përgjegjësisë, padyshim, se e bartin edhe institucionet në Kosovë.

“Po del se ka qenë pa pikë nevoje vonesa e miratimit të demarkacionit me Malin e Zi, e cila u miratua e njëjta”, ka thënë Ujkani, teksa ka shtuar se nuk është punuar sa duhet edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ujkani ka thënë se nuk është e pamundur që Kosova të përfshihet në agjendën e mbledhjes së 6 dhjetorit të Këshillit të Ministrave.

“Opinioni nuk është i informuar sa duhet se çka nënkupton hyrja në zonën e Schengenit”, ka thënë Ujkani.

Sipas tij, situata në Ballkan është dramatike, sidomos pas datës së dështimit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Nuk dallojmë asgjë prej situatës në vitet e ’90-a”, ka thënë Ujkani. “Është përtej marrëdhënies tregtare mes dy vendeve”, ka shtuar më tej.

Ai ka thënë se Kosovës nuk i konvenon që të hyjë kushtimisht në konflikt me BE-në.

Ujkani e ka parë në aspekt pozitiv protestën e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, të cilët qëndruan gjithë natën aty në përpjekje për ta takuar komisionarin Johannes Hahn, i cili megjithatë nuk i takoi.

 

Kryeministri i thotë Hahn: Shpresova se po vjen me lajme të mira për viza

Periskopi.com Lajme

Ka nisur takimi i kryeministrit Ramush Haradinaj me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Në nisje të këtij takimi kryeministri Haradinaj i ka thënë austriakut që meret me politikat për zgjerim në BE, Johannes Hahn, se “ka shpresuar” se ai do të vijë me lajme të mira për liberlaizimin e vizave për Kosovën.

“Kemi shpresuar se do të vini me lajm të mirë për liberalizimin e vizave për Kosovën para krishtlindjeve”, citohet të ketë thënë Haradinaj, raporton KTV.
Haradinaj ka shtuar se megjithatë, sipas tij Kosova është e fokusuar në agjendën evropiane, duke përmendur obligimet që dalin nga ERA 1.
Pas këtyre fjalëve hyrëse të Haradinajt, takimi është mbyllur për media.

Pas votës pro liberalizimit nga LIBE, ja kur mund të lëvizim pa viza

Periskopi.com Lajme

Komiteti LIBE i Parlamentit Evropian i ka hapur rrugë vendimmarrjes në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Vendimi final nga ministrat e brendshëm të vendeve të BE-së pritet të merret në takimin e fundit për këtë vit, që mbahet më 6 dhe 7 dhjetor. Kurse qytetarët e Kosovës pritet të lëvizin pa viza në zonën Schengen në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, shkruan sot “Zëri”.

Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian (PE) me 30 vota për, 2 abstenime dhe 10 kundër ka votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e mandatuar Parlamentin Evropian dhe Këshillin që t’i hapin negociatat trepalëshe Komision – Parlament – Këshill për formulimin e marrëveshjes për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Pas këtij vendimi Parlamenti Evropian duhet ta miratojë në seancë plenare vendimin për liberalizim dhe më pas vendimi final merret në takimin e fundit për këtë vit të Këshillit të Ministrave me përbërjen e ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, që mbahet më 6 dhe 7 dhjetor.

Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë për gazetën “Zëri” se Kosovës i mbetet të vazhdojë lobimin te shtetet e rëndësishme, si Gjermania, Franca e Holanda.

Liberalizimi mund të ndodh para se që mendojmë ne – flet raportuesi për Kosovën

Periskopi.com Lajme

Kosova mund të merr dritën e gjelbër për lëvizje të lirë në fund të shtatorit.

Pengesa disavjeçare për liberalizimin e vizave për kosovarët, prej 18 korrikut ka hyrë në fazën finale të saj, pasi Komisioni Evropian (KE) ka dhënë rekomandimin pozitiv për lëvizjen e lirë të qytetarëve të shtetit më të ri në Evropë.

Sinjali pozitiv i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën është hap i madh për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës, ka deklaruar për lajmi.net, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes.

“Ne pritem me padurim këtë sinjal të rëndësishëm nga Komisioni Evropian që konfirmonte se Kosova plotësoi kriteret e kërkuara për heqjen e kërkesës për viza për qytetarët e saj. Ky është një hap i madh drejt liberalizimit të vizave dhe lirisë së lëvizjes, një nga parimet themelore të BE-së, tani më në fund mund të bëhet realitet për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Sholtes.

Ka pasur data të ndryshme rreth asaj se kur përfundimisht do t’i jepet fund izolimi të qytetarëve të Kosovës, ndërsa Solters thotë se vendimi mund të merret pas pushimeve verore.

“Pas pushimit veror, ne duhet të sigurohemi që të ecim me shpejtësi me të gjitha procedurat e nevojshme. Kjo së pari do të vihet në agjendën e Komitetit ‘LIBE’ që do të ndodhë menjëherë pas pushimit, atëherë do të vijë vendimi nga Parlamenti Europian, i cili jam i bindur se do t’i japë dritën jeshile regjimit pa viza në fillim të vjeshtës”, potencoi raportuesi për Kosovën në PE për lajmi.net.

Disa nga shtetet e fuqishme  të Bashkimit Evropian kanë shprehur rezerva ndaj liberalizimit të vizave për kosovarët.

Është Gjermania, Franca, Holanda, Polonia dhe Çekia që i frikohen valës së mundshme të emigrantëve, ashtu siç ndodhi para dy viteve dhe ende po vazhdon.

Mirëpo rreziku vije edhe nga pesëshja e vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës si Spanja, Greqia, Romania, Sllovakia dhe Qipro.

E në këtë aspekt skeptik shprehet edhe Sholtes, i cili thotë: “Megjithatë, pjesa më e vështirë do të jetë votimi në Këshill”.

“Shpresoj që vendet anëtare të ndjekin shembullin e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit. Është koha që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të njëjtat mundësi dhe të marrin trajtimin e njëjtë si fqinjët e tyre. Kjo nuk duhet të shtyhet më e sidomos tani kur vërtetohet se kërkesat janë përmbushur. Unë sinqerisht shpresoj se drita e gjelbër për liberalizimin e vizave do të jepet deri në fund të këtij viti”, tha ai.

Kujtojmë, se Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, kumtoi më 18 korrik raportin e Komisionit Evropian, duke thënë se Kosova tanimë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Mund të themi se është bërë një punë e madhe në këtë drejtim. Më lejoni të uroj autoritetet në Kosovë për punën e bërë drejt liberalizimi”, ishte deklarata që kishte thënë Avramopoulos.

Fajon me premtim të ri për vizat, kjo është data sipas eurodeputetes

Periskopi.com Lajme

Eurodeputetja e raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Europian Tanja Fajon ka thënë se beson se deri në fund të mandatit të saj në Parlament Europian do të ndodhë edhe liberalizimi i vizave. Ajo ka thënë se nëse ndodh një gjë e tillë deri atëherë fitues do të jenë të gjithë. Zgjedhjet në Parlamentin Europian mbahen prej 23 deri më 26 maj 2019.

Eurodeputetja e raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Europian Tanja Fajon shpjegon për Deutsche Welle hapat e mëtejshëm pas dritës së gjelbër të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave.

Deutsche Welle: Komisioneri europian për migrimin, Dimitris Avramopoulois bëri të ditur së fundmi në Bruksel se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna për liberalizimin e vizave. Çfarë nënkupton ky vendim pozitiv për Kosovën tani?

Tanja Fajon: Komisioni Europian njeh dhe vlerëson përpjekjet e autoriteteve të Kosovës. Ky është një hap shumë pozitiv dhe i rëndësishëm për Kosovën. Me ofrimin e dritës finale të gjelbër, Komisioni hap rrugën e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Ky konstaton qartë, se Prishtina përfundimisht i ka përmbushur kushtet e mbetura. Tani topi është në duart e Parlamentit Europian dhe qeverive të vendeve të BE për ta pranuar këtë. Unë i uroj të gjithë përgjegjësit në Kosovë dhe shpresoj sinqerisht, se Prishtina do të vazhdojë të sjellë rezultate të mira.

A mendoni se mund të dalin pengesa të tjera gjatë këtij finishi?

Unë pres që qeveritë e vendeve të BE të reagojnë me përgjegjshmëri. Pra që të ndjekë rekomandimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave me qytetarët e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. E njëjta gjë vlen edhe për Parlamentin Europian.

Ka gjasa që ndonjë vend anëtar të mund të bllokojë këtë liberalizim?

Nuk ka më arsye për justifikime apo vonesa. Nga ana tjetër këshilla ime për politikanët e Kosovës është të vazhdojnë përpjekjet e tyre dhe dialogun me Brukselin dhe kryeqytetet e BE për të marrë mbështetje të fuqishme dhe besimin e tyre. Ky është çelësi për suksesin. Kosova nevojitet të ruajë kredibilitetin dhe të ndërtojë aleanca të fuqishme me vendet e BE dhe institucionet e saj.

Si e prisni vendimin e Parlamentit Europian?

Në Parlamentin Europian, unë si raportuese për liberalizimin e vizave me Kosovën do ta japë për votim vendimin menjëherë pas pushimeve të verës në Komitetin LIBE (Komiteti i Parlamentit Europian për Çështjet e Lirive Civile, Drejtësisë dhe të Brendshme). Në javën e fundit të gushtit, unë pres që kolegët të ndjekin rekomandimin tim. Ne kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe çdo hap është i rëndësishëm. Nëse gjithçka zhvillohet siç është planifikuar, ne do ta kemi votën në plenum me shumë gjasa në shtator. Kjo është ajo që dëshiroj e synoj. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, veçanërisht të rinjtë meritojnë perspektiva më të mira.

Kur mendoni do të jetë pas kësaj data më e mundshme e udhëtimit të qytetarëve të Kosovës pa viza në zonën e Shengenit?

Çdo hap është i rëndësishëm, siç e thashë. Jemi shumë afër raundit final. Kjo nënkupton të shtojmë forcat të gjithë, por së pari e sidomos me plotësimin e të gjitha kritereve. Kjo është garancia më e mirë për të siguruar udhëtimin e lirë pa viza të qytetarëve të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. Dëshira ime personale është, që të mund të themi në fund të këtij mandati të Parlamentit Europian dhe në fund të mandatit tim si raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën se ia dolëm mbanë. Kjo do të ishte një situatë, ku të gjitha palët kanë fituar.

Tanja Fajon është eurodeputete socialdemokrate sllovene në Parlamentin Europian dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian për çështjen e liberalizimit të vizave.

Veseli: Italia mbështet liberalizimin e vizave

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me deputetë të partive, një javë pas raportit pozitiv të Komisionit Evropian që rekomandoi heqjen e vizave, ka vazhduar lobimin për viza dhe këtë herë janë pritur nga presidentja e Senatit italian, Maria Elisabetta Alberti Casellati, për të diskutuar për mbështetjen politike të shtetit italian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti.

Gjatë këtij takimit në të cilin morën pjesë edhe Glauk Konjufca i Vetëvendosjes, Aida Dërguti e PSD-së, Ahmet Isufi i AAK-së, Sërxhan Mitroviq i Listës Serbe, Haxhi Shala i Nismës dhe Albert Kinolli i 6+ , të dy homologët diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që Roma dhe Prishtina zyrtare kanë ndërtuar midis tyre, ndërsa kërkoi mbështetjen e Senatit dhe shtetit italian në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Para këtij turneu në Itali, Veseli me ekipin e tij prej deputetëve të partive, disa ditë para se KE të rekomandonte heqjen e vizave, kishte qëndruar në Francë dhe Holandë për të lobuar për vizat.

Veseli në Romë ka thënë se institucionet e Kosovës kanë përmbushur të gjitha kriteret që atyre u janë vendosur në këtë proces, ndërsa përmbushja e gjitha kritereve është vlerësuar ditë më parë edhe nga Komisioni Evropian që rekomandoi heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidentja e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati, theksoi se shteti i saj do të vazhdojë të përkrah Kosovën si në rrafshin e drejtpërdrejtë të marrëdhënieve ndërshtetërore, ashtu edhe në kuadrin e Bashkimit Evropian, sidomos në proceset aktuale që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe proceset tjera integruese.

“Ne në Itali jemi në anën tuaj. Jemi të gëzuar se ka pasur hapa pozitiv në këtë drejtim. Do të përpiqemi të i influencojmë pozitivisht në vendet e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Ne vlerësojmë reformat në sistemin e drejtësisë që janë bërë deri më tani. Më vjen mirë që opozita flet me të njëjtën gjuhë si pozita për një interes kaq madhor si liberalizimi i vizave”, ka thënë Casellati.

Ambasadorja kroate: Për vizat duhet vendim politik, por rekomandimi pozitiv i KE-së është bazë e fortë

Periskopi.com Lajme

Paketa e zgjerimit të Bashkimit Evropian e vitit 2013 e kishte përfshirë edhe Kroacinë si anëtaren më të re. Më 1 korrik 2013, Kroacia u bë anëtarja e 28-të e BE-së. Një dekadë të plotë pas aplikimit për anëtarësim.

Vetëm në 2004-ën, BE kishte zyrtarizuar statutin e kandidatit për Kroacinë, negociatat për çka filluan një vit pas dhe pasuan me një varg kriteresh që shteti i dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë do të duhej të plotësonte.

Ndër kriteret kryesore ishte ai i bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës për të adresuar çështjet e krimeve të luftës.

Pesë vite pas anëtarësimit të Kroacisë në BE, ambasadorja kroate në Kosovë, Marija Kapitanoviq shikon mbrapa dhe tregon se nuk ishte aspak proces i lehtë, por i domosdoshëm të ndodhte për qytetarët.

Njëlloj thotë se duhet të jetë edhe për Kosovën që synon integrimet në Evropë.

Në një intervistë për KosovaPress, një ditë pas raportit pozitiv të Komisionit Evropian sa i përket plotësimit të kritereve për liberalizimin e vizave për Kosovën, ambasadorja kujton që tani kjo çështje i takon Parlamentit Evropian dhe është në dorën e politikës.

“Tani Komisioni do ta paraqesë këtë raport tek shtetet anëtare të BE-së dhe ato do ta diskutojnë këtë raport dhe do të marrin vendimin. Natyrisht shtetet anëtare të BE janë 28 dhe secila prej tyre do të shprehë mendimin e tyre. E dyta është që Parlamenti Evropian duhet të marrë vendimin ose ta miratoj atë. Pra, tani do të thoja që çështja e liberalizimit të vizave varet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian…Është një vendim politik por gjithashtu vendim teknik në kuptimin që vendet anëtare dhe gjithashtu përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, deputetët, bazuar në raportin e Komisionit Evropian, do të vlerësojnë përmbushjen e këtyre kritereve”, ka thënë ambasadorja.

Ajo megjithatë thotë se raporti i KE-së është një bazë e mirë për anëtarët e Parlamentit Evropian ngase thekson vullnetin e mirë për luftimin e Korrupsionit që kanë institucionet e Kosovës. Megjithëse thotë se më mirë do të ishte nëse kriteret e fundit, sidomos ai për caktimin e demarkacionit me Malin e Zi të ishte plotësuar më herët.

“Është për keqardhje që ka kaluar kaq shumë kohë për të përmbushur këto dy kritere të mbetura, veçanërisht atë të demarkacionit. Liberalizimi i vizave është shumë i rëndësishëm për qytetarët tuaj, është për hir të qytetarëve, nuk është se ata nuk mund të udhëtojnë, mirëpo kanë nevojë për viza kështu që duhet të shkojnë nëpër procedura. Pse është e rëndësishme? Të rinjtë duhet të udhëtojnë, ata duhet të njohin vendet e tjera, duhet të njohin shoqëritë e vendeve të tjera, sepse një gjë e tillë kontribuon në mirëkuptimin e ndërsjellë, pra sipas pikëpamjes sime si ambasadore kroate është me të vërtetë e rëndësishme për të udhëtuar në vende të tjera të rajonit dhe për t’u njohur me këto shoqëri, dhe pasi të kthehen do të mund të krahasojnë pozitivisht se çfarë është e mirë në këtë shoqëri dhe çfarë është më pak e mirë dhe të përmirësojnë disa gjëra në shoqërinë kosovare” , ka thënë Kapitanoviq.

Vendimi final pro liberalizimin e vizave për Kosovën apo jo, u takon ministrave të punëve të brendshme të shteteve anëtare që janë pjesë e Parlamentit Evropian.

E pyetur nëse në këtë drejtim do të mund të ketë pengesa për Kosovën, ambasadorja ka thënë se ata do ta vlerësojnë raportin kështu që në këtë moment ajo çka është e rëndësishme është që ky proces të kalojë nëpër krejt procedurat.

“Ne gjithashtu kemi kaluar nëpër hapa të ndryshëm në procesin tonë të integrimit në BE, çdo proces i integrimit në BE bazohet në kritere, për të gjitha vendet, jo vetëm për Kosovën. Gjithmonë ka qenë kështu, ka qenë me të ashtuquajturat shtete të reja anëtare, të cilat aktualisht nuk janë shtete të reja anëtare dhe ky proces me çdo zgjerim të ri po bëhej gjithnjë e më shumë kërkues nga Komisioni Evropian, që të mësojnë se cilat ishin vështirësitë në vendet e mëparshme dhe më pas ata bënë përpjekje për të vendosur kritere edhe më të qarta për vendet që do të vijnë më vonë. Pra, është një proces, Kosova nuk është rasti i izoluar, prandaj shpresojmë që procesi do të shkojë pa probleme dhe do të thosha për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, sepse ata janë ata që do të kenë zgjedhjen nëse duan të udhëtojnë apo jo “, tha ajo.

Ambasadorja e Kroacisë ka folur edhe rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për të cilin thotë se sjellë progres për të dyja palët por në mënyra të ndryshme, për shkak të pozicioneve të ndryshme që kanë palët veç e veç në proceset integruese.

“Progresi i të dy palëve në agjendën e integrimit në BE është i lidhur ngushtë me përparimin në dialog, kjo është e qartë nga dokumentet. Kur bëhet fjalë për agjendën e BE-së, pozicioni përkatës fillestar i dy palëve është i ndryshëm, por edhe çështja e realitetit. Sa i përket dialogut, dialogu ka hyrë në një të ashtuquajtur, të themi fazë të re, kjo fazë e re mbetet të shihet se çfarë nënkupton sepse kjo varet nga të dyja palët. BE është mbështetësi por megjithatë rezultati përfundimtar do të varet nga të dyja palët dhe në kuptimin që ju doni të shihni. Është një proces, është vështirë të përgjigjem tani për atë se cili do të jetë rezultati përfundimtar, por një gjë që mund t’ju them dhe t’ju përgjigjem me siguri është se do të varet nga të dy palët dhe në këtë kuptim Kosova duhet të jetë një pjesëmarrëse aktive dhe të keni një strategji të qartë në lidhje me atë q ë është interesi i vendit tuaj dhe cilat janë qëllimet që doni të arrini ‘, ka thënë ajo.

E pyetur ndërkaq se si mund të paramendohet një normalizim raportesh në fundmi, duke pasur parasysh lobimin e palës serbe kundër shtetësie së Kosovës dhe pengesat që paraqet në integrimin e serbëve në Kosovë, siç është edhe rasti i largimit të pjesëtarëve serë të Kosovës nga FSK-ja, Kapitanoviq thotë se është e nevojshme që pala kosovare të dijë se pse ka vendosur të dialogojë me Serbinë.

“Pse jeni ne dialog? Ju jeni në dialog sepse keni pozicione të ndryshme, mendime të ndryshme, prandaj keni nevojë për dialog, përndryshe nuk do t’ju duhej. Këshilla ime do të ishte të shkoni hap pas hapi, ajo që është e rëndësishme tani është të vendoset pozicioni i qartë negociues dhe çfarë duhet të arrihet. Sigurisht që pajtimi është një pjesë e rëndësishme në krijimin e marrëdhënieve brenda rajonit. Por ju duhet të ecni hap pas hapi sepse është një proces i gjatë, nuk është i lehtë, është i komplikuar, sepse e kaluara nuk ishte e lehtë dhe pritjet duhet të jenë realiste brenda mandatit dhe kontekstit të dhënë, por çfarë mund të behët nga ana juaj është angazhimi dhe puna e madhe sepse kjo është për një të ardhme më të mirë të popullsisë së re të të gjitha komuniteteve këtu në Kosovë si dhe për një jetë më të mirë “, ka thënë ajo.

Ajo theksoi se janë dy obligime ndërkombëtare që Kosova ka marrë përsipër nga dialogu e që duhet t’i plotësojë. E para ka të bëjë me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe e dyta me krimet e luftës përmes dhomave të specializuara në Hagë.

“Kur është fjala për dhomat speciale, edhe ne kemi kaluar nëpër këtë proces, e dimë se çfarë do të thotë. Procedurat dhe trajtimi i krimeve të luftës ishte një nga kriteret kryesore për Kroacinë gjatë gjithë procesit te integrimit në BE, procesit të pranimit në BE dhe nuk ishte aspak e lehtë, por ja dolëm. Pra, ishte një bashkëpunim i plotë me Tribunalin e Hagës pasi që ishte një nga kriteret kryesore. Nuk ishte e lehtë, por duhej ta bënim dhe kjo është çështje e përgjegjësisë. E dyta, asociacioni tani është diçka që del nga marrëveshjet, nga dialogu, kështu që tani ky draft statut duhet të themelohet apo shkruhet në mënyrën që i përshtatet pritjeve të të dyja palëve. Por sipas mendimit tim, qëllimi përfundimtar i asociacionit duhet të jetë marrëdhënie më të mira dhe ndërveprim më i mirë mes komuniteteve, ato janë thjesht detyrime dhe nuk ka alternativë “, ka thënë ajo.

Një temë tjetër e diskutueshme është edhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcat e armatosura të Kosovës, për çka kërkohen votat e deputetëve serbë. E pyetur nëse Kosova është afër për ta përmbushur këtë dhe anëtarësimit në NATO, Kapitanoviq ka theksuar se ndryshimet për këtë gjë duhet të bëhen përmes Kushtetutës.

“Kur është fjala për Forcat e Sigurisë së Kosovës në nivelin teknik dhe nivelin e ekspertëve, ne kemi punuar shumë me palën tuaj dhe ka angazhim, ka punë për t’u bërë, diversiteti i Forcës së Sigurisë së Kosovës është gjithashtu një model për vendin dhe natyrisht se është një proces, tranzicioni është një proces që kërkon kohë. Natyrisht, institucionet tuaja dhe qeveria juaj kanë disa objektiva që ato do të dëshironin t’i arrinin, kështu ishte edhe rasti ynë kur po i afroheshim integrimit në NATO dhe BE, është e rëndësishme që të kemi targetin dhe pastaj të vazhdojmë në përmbushjen e kritereve, procesi është i gjatë, prandaj është e rëndësishme të punohet në të, të përmirësohet dhe siç thashë edhe në rastin e dialogut është një proces hap pas hapi, por sigurisht që është e rëndësishme të kemi qëllimin, cili është qëllimi përfundimtar?…Transformimi si i tillë do të ishte i mirë n ëse ndodh dhe duhet të ndodhë brenda ndryshimeve kushtetuese të kornizës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Natyrisht, vendimi i takon palës kosovare, ky është vendimi juaj, por ne ende besojmë se duhet të bëhet brenda kuadrit kushtetues”, ka thënë ajo.

Kroacia është ndër vendet që kishin njohur dhe mbështetur pavarësinë e Kosovës qysh në fillim të shpalljes së saj. Zyrtarisht kjo njohje ishte bërë më 19 mars të vitit 2008, pak javë pas shpalljes së pavarësisë. Kroacia dhe Kosova kanë marrëdhënie të gjata miqësore.

Por ky është një qëndrim shumë i mirë, por është vetëm një qëndrim fillestar, sipas ambasadores kroate. Kapitanoviq thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dehe Kroacisë kanë një strukturë shumë të mirë për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale por ende duhet të punojnë në zhvillimin dhe intensifikimin e këtyre marrëdhënieve.

Sipas saj, një mundësi e mirë për intensifikimin e marrëdhënieve është edhe përmirësimi ose intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve.

“Reforma në procedurën e prokurimit është shumë e rëndësishme sepse është një hap vital për luftimin e korrupsionit. Korrupsioni ka pasoja në investimet ekonomike dhe qasjen në shëndetësi si dhe në arsim. Pra, kjo është një nga çështjet që ne dëshirojmë të shohim dhe jemi shumë të gatshëm t’ju ndihmojmë në këtë drejtim. Ju keni komunitet të integruar shumë mirë në Kroaci. Ata kanë jetuar në Kroaci për dekada dhe janë pjesë aktive e shoqërisë, kryesisht ndërmarrjeve të biznesit të vogël. Në anën tjetër, ne kemi një komunitet shumë të vogël këtu në Kosovë. Mbi dyqind njerëz të gjithë së bashku. Ajo që ne do të dëshironim të shihnim këtu është që ju t’iu siguroni atyre kushte më të mira të jetesës së përditshme pasi që kjo është diçka për të cilën ata kanë nevojë. Kosova është shtëpia e tyre dhe në këtë drejtim është e rëndësishme që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë atyre standarde elementare të përditshme”, ka thënë ambasadorja Kapitaqnovic.

Ajo po ashtu është shprehur e vetëdijshme për lidhjen emocionale që populli shqiptarë ka me atë kroatë, e që sipas saj u pa edhe me tifozërinë që iu bë ekipit kroat në Kosovë, gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit sivjet.

Rusia fillon propagandën kundër Kosovës, pas marrjes së rekomandimit pozitiv për vizat

Periskopi.com Lajme

Duke ju referuar burimeve diplomatike në Bruksel, mediat ruse shkruajnë se janë gjashtë vende të Bashkimit Evropian të cilat mund të jenë pengesë për iberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas këtyre burimeve, Spanja, Greqia, Gjermania, Franca, Holanda dhe Danimarka po e konsiderojnë si shumë të hershëm vendimin për t’i dhënë Kosovës lëvizjen e lirë pa viza.

Në anën tjetë, këto pretendime bien ndesh me rekomandimin e djeshëm të Komisionit Evropian, në të cilin qartësohet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Madje nga Komisioni Evropian dje është bërë thirrje që pas këtij rekomandimi, të ecet përpara për t’i siguruar Kosovës lëvizjen e lirë në zonën Schengen.

Tahiri falendëron Gjykatën Themelore të Prishtinës për kontributin në marrjen e rekomandimit pozitiv për vizat

Periskopi.com Lajme

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i shoqëruar nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kanë vizituar sot Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku janë pritur në takim nga kryetarja e kësaj Gjykate, Afërdita Bytyçi.

Ministri Tahiri theksoi se vizita ka të bëjë me raportin pozitiv nga Komisioni Evropian për përmbushjen e të gjitha kushteve për liberalizimin e vizave, meqenëse Gjykata Themelore e Prishtinës ka bartur barrën kryesore në procesin e rasteve të shënjëstruara.

“Kemi ardhur sot që t’i falënderojmë, që punën e gjyqësorit po e sjellin në një standard të ri, në një dimension të ri, dhe jam shumë i lumtur që tani e tutje vetëm sa do ta rrisim efikasitetin e gjyqësorit” theksoi ministri Tahiri.

Ministri Tahiri theksoi se ky raport pozitiv është shtysë e madhe që të punohet më tutje që gjyqësori të plotësoj pritjet dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Ne nuk do të vetëkënaqemi. Edhe më tutje do të angazhohemi që të kemi një gjyqësor sa më profesional, sa më efikas, i cili është në përputhje të plotë me pritjet dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi ministri Tahiri.

Kryesuesi i KGJK-së, Idrizi, theksoi se raporti i KE-së ka motivuar gjyqësorin që lëndët e kësaj natyre të trajtohen me prioritet edhe në të ardhmen, ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, Peci potencoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve, në të mirë të interesit të qytetarëve.

Thaçi: Rekomandimi pozitiv për vizat, përgjegjësi shtesë për Kosovën

Periskopi.com Lajme

Rekomandimi pozitiv nga Komisioni Evropian për procesin e liberalizimit të vizave, e ka nxitur presidentin që ti përvishet punës qysh herët në mëngjes, duke takuar të gjitha institucionet relevante të sistemit të Drejtësisë, duke filluar me ministrin Abelard Tahiri.

Thaçi ka thënë se përmbushja e kushtit të fundit për liberalizimin e vizave, që ishte lufitmi i krimit dhe korrupsionit në nivelet e larta, tregon se Kosova nuk duhet që të ndalet në punën e saj në përforcimin e përmbushjes së këtij kushti.

Ai ka kujtuar se deri në përmbushjen e realizimit të liberalizimit të vizave kanë mbetur edhe pak muaj, dhe thotë se rekomandimi i djeshem i KE-së, është një përgjegjësi shtesë për Kosovësn.

Fjala e plotë:

Pas takimit që kemi zhvilluar djë në Bruksel, por dhe hapat që janë marrë për procesin e dialogut Kososvë Serbi.

Unë edhe sot takova të gjithë përfaqësuesit e sistemit të Drejtësisë, Ministrin e Drejtësisë, atë të Brendshëm, për ti përgëzuar për punën e tyre, por në të njejtën kohë për t’iu kërkuar vazhdimin e punës s ëtyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vlerësimi i BE-së, se e kemi plotësuar këtë kusht tregon se kemi punuar për përmbushjen e reformave.

Liberalizimi i vizave është një proces i pa ndalshëm.

Ky vendim do të kalojë përmes parlamentit evropian dhe shteteve anëtare. Na mbetet neve që t’i kontriubojmë përshpejtimit të këtij procesi.

Të gjithë duhet të ndihen krenarë për kontributin që kanë dhënë në këtë proces.

Ky proces është në të mirën e të gjithëve.

Tani deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar të liberalizimit të vizave kanë mbetur edhe pak muaj, dhe të gjithë do të kenë mundësi të lëvizin në përputhje me standartet e përcaktuara.

Nxjerrja e vendimit të djeshëm është një përgjegjësi shtesë për institcionet e vendit, që në këtë process askush të mos lejohet të abuzojë.

Do të informojmë drejtë , për kushtet e liberalizimit të vizave.

Gjithcka është e qartë, Kosova po lëviz me hapa konkret drejt BE-së. Ky është vizoni i Kosovës.

E dimë që ky vendim ka qenë paksa i vonuar. Por i dijmë edhe vështirësitë që i kemi pasur, por edhe i kemi krijuar.

Demi: Vizat na dëshmuan që rrena nuk i ka këmbët e shkurtëra

Periskopi.com Lajme

Liberalizimi i vizave më shumë se një dëshirë e madhe për kosovarët, ka qenë një nga genjeshtrat e mëdha të politikanëve sa hërë që në Kosovë janë organizuar zgjedhje nacionale pas shpalljes së pavarësisë.

Protagonist i këtij premtimi, ka qenë ish-kryeministri Thaçi, tashmë president, i cili nuk linte fushatë zgjedhore pa thënë se do të liberalizohen vizat.

E këtë fakt e ka kujtuar, Agron Demi, nga Instituti GAP, sot, me rastin e marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, e që u tha zyrtarisht në Bruksel nga Komisoneri Avramopolus.

Demi në një reagim në profilin e tij ka thënë se fakti që vizat ishin premtuar që nga viti 2009, dhe sot po merret vetëm rekomandimi pozitiv, tregon se “rrena nuk i ka këmbët aq të shkurëra, raporton Periskopi.

Pacolli ftesë opozitës: Bashkohuni me ne

Periskopi.com Lajme

Ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, e ka quajtur si ditë historike, marrjen e rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovëën.

Në një konferencë për media ku Pacolli nuk ka ngurruar që të marrë meritat për veti, ka thënë se që nga fillimi i punës së tij, nuk ka rreshtur së punuari për liberalizimin e vizave, ndërkohë partnerët e koalicionit i ka falendëruar për unitetin e treguar.

Pacolli ndërkohë i ka dërguar dhe një mesazh opozitës, duke I thënë se është koha që t’i bashkohen pozitës që të ecin përpara në sfidat e radhës për Kosovën.

Fjala e plotë:

 

Sot ishte dita e Kosovës në Bruksel, për arsye se për Kosovën u fol në cdo koridor e zyre ku ishim dhe me kënd u takuam.

Ishte një ditë e bukur për Kosovën.

Ishim unik. Do të doja që ky unitet të vazhdojë edhe më tutje. Ishim më të fortë. Ishim më të respektuar se përpara.

Nuk jemi ndalë për asnjë moment për liberalizimin e vizave.

Sot mund të them se ky mund u shpagua, dhe jam i bindur se nuk do të ndalemi, sfidat janë të mëdha.

Vullneti nuk mungon. Dëshira tepër e madhe nuk mungon, dhe nëse cdo gjë shkon sic është parapara në fund të vitit do të kemi lajme edhe më të mira, dhe Kosova iu thëm se është duke ecë përpara, është duke u barazuar me shtetet tjera.

Kemi pas edhe skepktik, dhe ata që nuk e kanë dashtë këtë sukses. Po iu them atyne që tash është shanci t’I bashkohen këtij konvoji dhe të ecim bashkë në sfidat tjera.

Haradinaj pas rekomandimit pozitiv: Kemi korrur suksesin e punës tonë

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur pas kthimit nga Brukseli në një konferencë të përbashkët me presidentin Thaçi, kryekuvendarin Veseli, Fatmir Limajn e Behxhet Pacollin.

Ai thotë se ky unitet i klasës politike kosovare, ka dhënë një mesazh të qartë për BE-në dhe SHBA-në dhe do të ketë efekt afat gjatë në të mirë të Kosovës.

Sipas tij, lajmi për marrjen e rekomandimit pozitiv për vizat është një sukses që është korrur me shumë mund.

Ai ka thënë se të gjitha detyrat që do të jenë në agjendë, do të kryhen për të mirën e Kosovës./Periskopi./

Fjala e Haradinajt:

Këtë pamje e kanë parë sot dhe e kanë vertetuar këtë uinitet të gjithë miqt tanë.Kjo nuk është pa efekt. E ka një efekt për ditët që vijnë.

Kemi korrur suksein e punës, dhe jemi të vetëdijshëm dhe vetëm kështu duke qenë serioz të gjitha ato punë që është menduar se nuk do ti kryejm , kemi me i krye.Çdo punë që është në agjendë të këtij vendi do të kryhet.

Urime Kosovë!