Lidhja e Historianëve “Ali Hadri” kërkon shkarkimin e Blerim Rekës

Periskopi.com Lajme

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, reagon ashpër ndaj deklaratës skandaloze të Blerim Rekës, për daljen e Serbisë përmes rrugës transit në Detin Adriatik, duke thënë se ministri i Integrimeve ka shkelur rëndë mbi gjakun e derdhur të shqiptarëve dhe se ai duhet të shkarkohet.

“Deklarata e ministrit Reka është antishqiptare dhe i shkon përshtati politikës zyrtare të Beogradit. Serbia ka nisur Luftën e Parë dhe të Dytë Ballkanike, si dhe luftën në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë, vetëm e vetëm për t’i mundësuar vetes daljen në Detin Adriatik”, thuhet në reagim.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” përkujton se plani serb për dalje në Adriatik është elaboruar në dokumente zyrtare të Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe, andaj kërkon urgjentisht nga kryeministri Albin Kurti që t ë shkarkojë nga detyra ministrin Reka.

Ndryshe, ministri Reka e ka pranuar se ideja për daljen e Serbisë në Adriatik është e tij dhe jo e Qeverisë Kurti.

Ai e ka quajtur të pandershme që ‘ata të cilët nuk e kërkuan dorëheqjen e presidentit aktual teksa negocionte zgjidhje territoriale me shkëmbime sekrete, të kërkojnë tash dorëheqjen e tij’.

Opozita ka kërkuar nga kryeministri Kurti të shkarkojë ministrin Reka për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me daljen e Serbisë në Detin Adriatik përmes kalimit transit nëpër Autostradën e Kombit.

Lidhja e Historianëve “Ali Hadri”: PZAP t’i shpallë të pavlefshme votat nga Serbia

Periskopi.com Lajme

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, i bënë thirrje Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që t’i pranojë ankesat e partive politike shqiptare dhe t’i shpallë të pavlefshme votat e ardhura në mënyrë të jashtëligjshme nga Serbia.

PZAP-i, duke i shpallur të pavlefshme votat e ardhura në mënyrë të jashtëligjshme nga Serbia, do të mbrojë kushtetutshmërinë dhe shtetësinë e Kosovës, thuhet në reagimin e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan.

Ndërkohë që PZAP është duke i shqyrtuar ankesat e partive politike, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, kërkon nga PZAP-i që të mos bie pre e presioneve të Beogradit, sikurse  KQZ-ja dhe Qendra për Numrin dhe Rezultate (QNR), duke i vlerësuar si të rregullta votat e parregullta dhe antiligjore të ardhura në mënyre të jashtëligjshme dhe të porositura nga Serbia.

“Shpallja e rezultateve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, nga ana e Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve më 7 nëntor, duke i vlerësuar si të ligjshme votat e ardhura në mënyre të jashtëligjshme nga Serbia, me këtë rast institucioni i KQZ-së ka shkelur rendë ligjin për zgjedhjet dhe aktet e tjera nënligjore të Kosovës”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nga momenti i shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, ka pranuar 100 ankesa nga subjektet politike dhe kandidatë të ndryshëm për deputetë.

Më së shumti ankesa në këtë institucion ka paraqitur partia e Sllobodan Petroviqit, SLS, me 42 të tilla. Gjithsej 23 ankesa janë paraqitur edhe nga LDK-ja, Vetëvendosje 5 ankesa,  PDK-ja 12 ankesa, NISMA-AKR-PD 6. Nga kandidatët për deputetë të cilët janë ankuar në PZAP, janë Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Mufera Shinik nga KDTP-ja.

Paneli Zgjedhor ka kohë 72 orë që t’u japë përgjigje palëve të ankuara, afat ky që përfundon gjatë ditës së nesërme.

Pas pranimit të vendimit nga PZAP-ja, subjektet politike që janë sërish të pakënaqura, kanë të drejtë të paraqitjes së ankesave në Gjykatë Supreme, brenda 24 orëve, pastaj ka kohë 72 orë për të vendosur.

Pas kësaj procedure, ankesë mund të paraqitet edhe në Gjykatë Kushtetuese, së cilës koalicioni NISMA-AKR-PD, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet për shkak të pakove të votimit nga Serbia.

Kushtetuesja ka kohë deri në katër muaj që të trajtojë ankesat eventuale nga subjektet politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur më herët se është në pritje të vendimeve të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, dhe se do të veprojë në përputhje me vendimet e tyre. Pas kësaj procedure, KQZ duhet t’i respektojë vendimet e këtyre dy institucioneve dhe të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve.