11 punëtorë humbën jetën vitin e kaluar, kërkohet shtimi i numrit të inspektorëve

Periskopi.com Lajme

Numri i vogël i inspektorëve të punës, jo rrallë herë është përmendur si një prej arsyeve të moszbatimit të Ligjit të punës, respektivisht shkeljes së të drejtave të punëtorëve, sidomos në sektorin privat. Për këtë arsye, sipas autoriteteve kompetente dhe përfaqësueseve të punëtorëve, shqetësim kryesor vazhdon të mbetet gjendja e sigurisë dhe mbrojtja e shëndetit të punëtorëve në vendin e punës, pastaj zbatimi kontratave, por edhe numri i madh i punëtorëve që nuk kanë fare një kontratë pune.

Sipas të dhënave zyrtare, si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë në punë dhe mungesës së masave mbrojtëse, gjatë vitit 2019, në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 11 punëtorë. Kurse në vitin 2018, në vendin e tyre të punës humbën jetën 22 punëtorë.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e punësimit për tremujorin e tretë të vitit të kaluar, ka qenë 31.6 për qind.

Nga kjo përqindje, sipas anketës së Fuqisë Punëtore të ASK-së, rezulton se rreth 49 për qind të të punësuarve kanë kontrata të përhershme, ndërkaq 51 për qind, kontrata të përkohshme.

Autoritetet inspektuese nuk japin ndonjë përqindje të punëtorëve pa kontrata të punës, por konfirmojnë se gjatë vitit të kaluar kanë legalizuar 1,800 punëtorë.

Duke u nisur nga parregullsitë e raportuara dhe shkelja e të drejtave të punëtorëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se qeveria e re të cilën ai e drejton, do të vihet në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve. Për arritjen e këtij qëllimi, ai ka premtuar se do të rrisë numrin e inspektorëve.

Aktualisht në gjithë territorin e Kosovës veprojnë 42 inspektorë të punës, të cilët funksionojnë në kuadër të Inspektoratit të Punës. E në rast se Kurti e përmbushë premtimin e tij, në të ardhmen do të ketë 400 inspektorë të punës që do të përkujdesen për zbatimin e Ligjit të punës.

Ushtruesi i detyrës i kryeinspektorit të këtij institucioni, Valon Leci, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se vazhdimisht i kanë paraqitur shqetësimet për numrin e vogël të inspektorëve.

Ai thotë me rritjen e numrit të inspektorëve, do të ishte më e lehtë të mbikëqyret zbatimi i Ligjit të punës, i cili parasheh trajtim të njëjtë si për punëtorët në sektorin publik, ashtu edhe atë privat.

“Ne do të zbatojmë çdo vendim të qeverisë dhe jemi të inkurajuar si Inspektorat i Punës për nivelin në të cilin është ngritur debati mbi këtë çështje, pra në nivel të kryeministrit. Kjo është inkurajuese dhe shpresoj që çështja e numrit të vogël të inspektorëve t’i takojë historisë”, tha Leci.

Në anën tjetër, udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), e mirëpresin propozimin e kryeministrit Kurti, por thonë se numri prej 400 inspektorëve është jashtëzakonisht i madh.

Avni Ajdini, udhëheqës i BSPK-së, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se e rëndësishme në këtë proces është që inspektorët të përfundojnë punën në mënyrë efikase dhe të ndershme dhe mos të keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare.

“Edhe inspektorët që marrin obligimin dhe detyrën për të kryer një inspektim të tillë, ata duhet të jenë shumë të ndershëm dhe të luftojnë korrupsionin. E jo nëse shkojnë në ndonjë organizatë të korruptohen. Këtu është dështimi më i madh i Inspektoratit të Punës”, tha Ajdini.

Sektori privat vazhdon të mbetet punëdhënësi më i madh, por pavarësisht kësaj, sindikatat e punëtorëve në vazhdimësi kanë raportuar për mosrespektim të të drejtave të punëtorëve apo moszbatim të Ligjit të punës.

Idenë e kryeministrit Kurti, për rritjen e numrit të inspektorëve e ka mbështetur edhe ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernavall.

“Shteti i Finlandës është i interesuar që të ndihmoi shtetin e Kosovës në trajnimin e administratës dhe shprehu interesim për idenë e kryeministrit që nga 60 inspektorë të punës sa kemi tani, numri të rritet deri në 400 sosh”, ka thënë ajo.

Kryeministri, Albin Kurti, që në ditën e zgjedhjes së tij në këtë post, më 3 shkurt, ka premtuar se për punëtorët do të ketë më shumë të drejta dhe mbrojtje ligjore të garantuar.

“Programi ‘8 orë punë’ do të promovojmë punën 8 orë në ditë – 40 orë në javë për punëtorët. Për ta arritur këtë synim do ta shtojmë numrin e inspektorëve të punës deri në 400”, ka shkruar Kurti në Facebook.

​Ligji i ri i Punës do t’i trajtojë edhe lehonat e papuna

Periskopi.com Lajme

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se çështja e grave në punë gjatë lehonisë është hequr nga Ligji i Punës, për t’u bërë një ligj tjetër i ri që avancon të drejtat e tyre.

Ai tha se në këtë drejtim janë vonuar në miratimin e ligjit të ri në Qeveri, njofton Klan Kosova.

“Pse e kemi nxjerrë është, sepse për herë të parë në historinë e legjislacionit të Kosovës kemi propozuar projektligj të ri për lehonat për arsye të veçantë. Ne kemi dashur t’i trajtojmë edhe lehonat e papuna, sepse Ligji i Punës trajton dhe nëse ne dëshirojmë ta trajtojmë pushimin e loheonisë dhe nuk e fusim në agjendë t’i trajtojmë edhe lehonat e papuna”, tha ai.

“Sipas statistikave i kemi 20 mijë lindje të lehonave të papuna në vitin e kaluar dhe kemi tre apo katër mijë të atyre që punojnë. Realisht kemi nxjerrë ligj të veçantë që përfshihen edhe lehonat e papuna që të mbështeten financiarisht në gjashtë mujorin e parë pas lindjes.

“Nuk po ka zgjidhje të qëndrueshme që njëherë e përgjithmonë e rregullon statutin e punëtorit. Ne kemi bërë thirrje si shoqëri, por kjo nuk po funksionon. Ka pasur keqkuptime tek Ligji i Punës. Ka pasur nevojë për t’u ndryshuar ligji për kontratat, aty ka dallime të ndryshme. Po ashtu ka pasur shqetësime që me këtë ligj mos ju pamundësohet personave që nuk kanë punuar, me e marrë pensionin bazik që po e marrin tash”, tha Reçica.

Miliona euro humbin nga mosrespektimi i orarit të punës në sektorin publik

Periskopi.com Lajme

Ligji i punës, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2010, po shkelet nga vetë institucionet e vendit, pretendojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Mosrespektimi i këtij ligji, sipas tyre, po ndodh konkretisht te neni i cili përcakton orarin e punës, i cili nënkupton periudhën kohore gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbim në të mirë të punëdhënësit.

Doruntina Gashi, zyrtare për informim në Odën e Afarizmit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me këtë ligj, orari i plotë i punës zgjatë 40 orë në javë, kurse punonjësit e sektorit publik punojnë 7 orë në ditë apo 35 orë në javë, pasi sipas saj, ora e pauzës, nuk duhet llogaritur si orë pune. Edhe udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura thonë se në institucione publike nuk zbatohet Ligji i Punës.

Sipas Odës së Afarizmit në Kosovë, nga mosrespektimi i orarit të plotë të punës prej 8 orësh në ditë, buxheti i Kosovës nga ky sektor humb rreth 90 milionë euro në vit.

Paga mesatare në sektorin publik, sipas kësaj Ode është rreth 600 euro, që do të thotë rreth 3.75 euro për orë pune. Në Kosovë punohet 237 ditë në vit, përkatësisht 1896 orë gjatë vitit dhe sipas një llogarie të kësaj Ode, humbjet që pëson Kosova nga ora e pauzës janë 237 orë humbje, me rreth 100 mijë të punësuar krijohen rreth 88 milionë euro krijohen humbje financiare.

OAK: Ligji i punës po shkelet nga ana e institucioneve të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Shkelja e Ligjit të Punës nga ana e institucioneve të Kosovës, konkretisht orari i punës, ishte qëllimi i konferencës së organizuar gjatë ditës së sotme nga Oda e Afarizmit të Kosovës.

Anëtari i Bordit të OAK-ut, Hamdi Malushaj tha se Oda e Afarizmit të Kosovës ka analizuar në detaje Projektligjin e Punës dhe ka evidentuar disa pika të cilat shihen si problematikë dhe janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, duke ndikuar që dispozitat e këtij ligji të kenë implikime negative si në sektorin publik ashtu edhe atë privat.

“Si çështje shumë të rëndësishme theksojmë orarin e punës, ku në Ligjin aktual, Neni 20 i përcaktimit të orarit të punës, thekson që: Orari i punës nënkupton periudhën kohore, gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbime në të mirë të punëdhënësit dhe orari i plotë i punës zgjatë 40 orë në javë, nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe. Ndërsa, Neni 28 që rregullon pushimet dhe mungesat nga puna thekson që: Koha e pushimit nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni, konsiderohet si kohë e kaluar në punë”, deklaroi Malushaj.

Ai shtoi se këto dy pika janë në kundërshtim me njëra-tjetrën sepse nëse orari i punës është koha gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbime në të mirë të punëdhënësit, atëherë koha e pushimit nuk duhet të konsiderohet si ore pune.

Anëtari i OAK-ut tha se kanë bërë krahasime me vendet e evropiane si Austria, Finlanda, Gjermania, Franca, Bosnja dhe Hercegovina etj. të cilat pushimin nuk e konsiderojnë orë pune.

“Institucionet dhe ndërmarrjet publike punojnë me orarin 08:00 – 16:00, me një orë pushim, e që i bie vetëm 7 orë në ditë, përkatësisht 35 orë në javë, e jo ashtu siç është e përcaktuar me Ligj 40 orë, në një rast të tillë, dëmtohet buxheti i shtetit dhe qytetarët”, theksoi ai.

Malushaj e sqaroi edhe me fakte duke treguar orët dhe milionat që shteti i Kosovës pëson humbje.

“Paga mesatare në sektorin publik është rreth 600 euro, që do të thotë rreth 3.75 euro për orë pune. Në Kosovë punohet 237 ditë në vit, përkatësisht 1896 orë gjatë vitit dhe sipas tij nëse llogarisim humbjet që pësojmë si pasojë e kësaj kemi 237 orë humbje, me rreth 100 mijë të punësuar në sektorin publik, pra rreth 88 milionë euro krijohen humbje financiare nga të punësuarit në sektorin publik”, vijoi ai.

Duke folur për sektorin privat, Malushaj tha se aty janë rreth 250 mijë të punësuar, me pagë mesatare rreth 400 euro, përkatësisht 2.5 euro për orë dhe sipas kësaj në sektorin privat krijohen humbje rreth 74 milionë euro. Sipas tij, gjithsej në vit humbim mbi 162 milion euro si pasojë e kësaj çështjeje.

Oda e Aafarizmit të Kosovës konsideron që koha e pushimit të punonjësit nuk duhet të llogaritet si orë pune por si pushim, që do të thotë janë vetëm 35 orë në javë pune, e jo siç është e përcaktuar me ligj 40 orë në javë. Në vendet e BE-së pushimi nuk llogaritet si orë pune.

Ndërsa Qëndresa Ibrahimi, koordinatore në OAK, tha se ata janë duke e analizuar në vazhdimësi në detaje Projektligjin e Punës, i cili është aktualisht në Kuvend, ku për këtë çështje i jemi drejtuar edhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale por e cila nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim.

“Ne si OAK kërkojmë me insistim që ky projektligj të mos votohet dhe të kthehet në Qeveri, në mënyrë që të rregullohen dispozitat e paqarta dhe të kemi një ligj të mirëfilltë që do t’i shërbejë si të punësuarve ashtu edhe punëdhënësve”, deklaroi ajo.

 

Llumnica: Kosovarët nuk po ikin nga papunësia, por nga mungesa e respektimit të Ligjit të Punës

Periskopi.com Lajme

Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, ka shprehur bindjen se arsyeja pse fuqia punëtore po ikën nga Kosova nuk është papunësia, sa është mungesa e respektimit të Ligjit të Punës.

Në Interaktiv të KTV-së, Llumnica ka bërë thirrje Qeverisë që të miratojë pagën minimale në 300 euro, e sektorit privat që të zbatojë në përpikëri Ligjin e Punës.

“Biznesi privat thotë se po na ikin punëtorët, e kur i pyesim se çfarë keni bërë për të mos ikur, a i keni bërë kontratë pune, a keni respektuar kontratën kolektive, sigurinë, të gjitha aspektet e Ligjit të Punës, del që ata po ikin për shkak të kësaj. Në Kosovë nuk është krejt papunësia në pyetje, por është mosrespektimi i ligjit të punës, pse punëtorët po e lëshojnë Kosovën”, ka thënë Llumnica.

“I bëjmë thirrje sektorit privat që të bëjnë të mundshme respektimin e Ligjit të Punës dhe Qeverisë që të bëjë pagën minimale në 300 euro. Në të kundërtën do të ikin punëtorët dhe për ta do të jetë më e kushtueshme”, ka shtuar më tej ai.

Ai ka thënë se Qeveria nuk po e merr këtë vendim ose sepse i frikohet Ligjit për Veteranët që thotë se pensioni i një veterani është sa paga minimale, ose i kanë të afërta kompanitë e bizneseve.

“Por këta sikur nuk po e dinë matematikën. Sepse nëse e rrisin pagën minimale marrin më shumë taksa”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se siguria në punë nuk është në nivelin e duhur.

“Edhe pse ka filluar një vetëdijesim, nuk është në nivelin e duhur në atë mënyrë që të mos ketë vdekje ose lëndime të rënda në vendin e punës. Inspektorati gjithherë ankohet se nuk po kanë staf të mjaftueshëm. Po le të shtohen, se nuk po bëhet nami kur po shtohen ministra e zëvendësministra. Por nuk është vetëm aty problemi, problemi është te mospuna e këtyre inspektorëve ekzistues”, ka thënë ai.

Kur ka folur për KEK-un, ai ka thënë se kjo korporatë deri në 90 për qind e respekton Ligjin e Punës.

“Në KEK ligji i punës respektohet deri në 90 për qind. Por në kompanitë private mosrespektimi i ligjit është i lartë. Ne sot u kemi bërë thirrje punëtorëve tonë që të dalin në protestë, por 60 për qind e punëtorëve janë të lidhur drejtpërdrejt me prodhimin dhe ata nuk i kemi ftuar që ta ndalin prodhimin për të dalë në protestë”, ka thënë ai.

Ka treguar se në KEK, në 20 vjetët e fundit në vendin e punës e kanë humbur 43 punëtorë, derisa nuk kanë evidenca për të lënduarit.

“Kryesisht kjo si pasojë e sigurisë jo të mirë në punë. Megjithatë KEK-u tash ka bërë një infrastrukturë më të mirë”, ka thënë ai.

Ai ka shprehur edhe njëherë pakënaqur me Ligjin për Paga. Ka thënë se i kanë kërkuar Avokatit të Popullit që ta çojë në Kushtetuese Ligjin për Paga.

“Nëse nuk ndodh kjo ne do të bëjmë protesta dhe greva deri në arritjen e qëllimeve tona. Nuk do të donim që ta linim në terr, edhe ashtu përgjegjësinë për këtë e ka KEDS-i që është i obliguar që të blejë rrymë, por ne e dimë që sa herë që nuk ka prodhuar KEK-u atëherë Kosova ka mbetur në terr”, ka thënë ai.

VV: Vdekja e 17 vjeçarit në vendin e punës tragjedi kombëtare për Kosovën, fajtor është ministria e Punës

Periskopi.com Lajme

Deputetja nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka kërkuar nga institucionet qeveritare për aksidentet me fatalitet që po ndodhin në vendin e punës.

Kollçaku ka fajësuar ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për vdekjen e 17 vjeçarit në Prizren, përcjell gazetametro.net.

Ajo e ka quajtur vdekjen e 17 vjeçarit nga Prizrenin në vendin e punës si tragjedi kombëtare për Kosovën.

“Me 30 qershor ndodhi edhe një aksident në vendin e punës me fatalitet, çdo vdekje e punëtorit në vendin e punës duhet të vret ndërgjegjen e shoqërisë, por vdekja e një të mituri në vend të punës vërtet mund të quhet tragjedi kombëtare”, tha Kollçaku, përcjell gazetametro.net.

Kollçaku ka kërkuar që të jep përgjegjësi për këto aksidente me fatalitet në vendet e punës që po ndodhin në kohën e fundit në Kosovë.

“Ne jemi shumë të shqetësuar me trendin e rritjes së numrit të aksidenteve vit pas viti në punë, po ashtu këto aksidente jo rrallë përfundojnë me fatalitet dhe sot tashmë një i ri që kishte jetën para vetës humbi jetën dhe ne duhet të dimë se a do të jep dikush përgjegjësi për të gjitha aksidentet në punë, për të gjitha vdekjet në punë”, tha Kollçaku.