Përgjysmimi i numrit të Ministrive ndikon në funksionimin më të mirë të Qeverisë

Periskopi.com Lajme

Një Qeveri që do të kishte 15 Ministri, do të bënte që ekzekutivi të ishte më efikas dhe që Kuvendi do të kishte mundësi që të ushtronte më shumë kontroll.

Kështu është thënë në debatin e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ku temë e diskutimit ka qenë “Përgjysmimi i numrit të ministrive përmes një ligji për qeverinë: një debat për kushtetutshmërinë dhe gatishmërinë politike”.

Ligji për Qeverinë u pa si i domosdoshëm për të pamundësuar abuzimin që bëhet me numrin e ministrive, zëvendësministrave dhe këshilltarëve të tjerë.

Koordinatori nacional për reforma, Besnik Tahiri, ka prezantuar projektligjin për Qeverinë ku tha se sipas tij 15 ministri janë të mjaftueshme për një funksionim normal të Qeverisë.

Ai tha se ky ligj është i domosdoshëm për të bërë përcaktimin e numrit të ministrive dhe të anëtarëve të tjerë të Qeverisë

“Unë si koordinator mendoj që vendosja e tavanit duhet numri dhe unë mendoj që në bazë të kësaj që e kam studiuar pa ndonjë problem të madh 15 ministri janë të mjaftueshme për funksionimin e Qeverisë. Mund të them me përgjegjësi të plotë që në vlerësimin dhe analizat që ne i kemi bërë, në konsultimet e brendshme dhe të jashtme, Kosova mund të funksionojë shumë mirë me 15 ministri dhe në secilën ministri ka dy zëvendësministra me portofolio, zëvendësministra që nuk kanë vetëm pozicion politik po kanë detyra”, tha ai.

Tahiri tha se në këtë projektligj mandati i një anëtari të Qeverisë mund të përfundojë kur ai refuzon 6 thirrje radhazi të Kuvendit apo një komisioni parlamentar përgjegjës për dikasterin përkatës për t’u dëgjuar.

Me ligj është paraparë edhe madhësia e kabineteve politike të anëtarëve të Qeverisë, ku kryeministri mund të emërojë deri në 10 këshilltarë politikë. Ndërsa, zëvendëskryeministrat mund të emërojnë deri në 5 këshilltarë politikë, aq sa munden edhe ministrat.

Që ky ligj të miratohet, Tahiri tha se ka mbështetjen e plotë të partnerëve të koalicionit qeverisës.

“Unë e kam mbështetjen e plotë të kryeministrit, e kam pasur edhe në pakon e reformave shtetërore, e kam edhe për këtë ligj dhe i kam duart e lira me e prezantua diçka që është e mirë për Kosovën dhe diçka që është e parakonsultuar me njerëz që ndoshta e njohin këtë temë ma mirë se unë. Po ashtu, më duhet ta them që e kam edhe mbështetjen e liderëve që janë në koalicion, duke filluar prej kryeparlamentarit e poshtë. Me përgjegjësi të plotë, kam biseduar kur e kam marrë këtë detyrë edhe me kryeparlamentarin edhe me Limajn, me të gjithë kam biseduar, nuk ka dikush një njeri që ka ardhur të më thotë mos e bë ose shiko është pozicion i imi, të gjithë kanë qenë amon veç le të bëhet mirë. Po ashtu, ju them me përgjegjësi të plotë që kam folur me partitë opozitare dhe nëse kam një thirrje për Kuvendin e Kosovës ajo do të jetë që para se ta dërgojmë në Qeveri, e unë pjesën time do ta bëjë, do të konsultohem me partitë parlamentare, ejani dhe jepni komentet që ta kemi një draft të konsoliduar”, tha ai.

Përgjysmimi i numrit të ministrive sipas profesorit Visar Morina, do të ndikonte që ekzekutivi të ishte më efikas.

“Krejt logjika e një nisme të tillë është kursimi i parasë publike, është racionalizimi i vendimmarrjes, shmangja e dublifikimeve në kuptimin e institucioneve në nivelin qendror dhe janë edhe dy elemente të rëndësishme përse unë e mbështesë fuqishëm një iniciativë të tillë. E para është funksionimi i ekzekutivit, unë mendoj se një ekzekutiv me më pak ministri është shumë më efikase, është në gjendje që të sigurojë një vendimmarrje shumë më të shpejtë dhe është në gjendje mendoj që t’i përgjigjet kërkesave të qytetarëve në një kohë shumë më të arsyeshme, në raport me një Qeveri që shkon me mbi 20 ministri. E dyta, ne jemi demokraci parlamentare, ekzekutivi legjitimohet prej Parlamentit dhe mbikëqyret nga Parlamenti, është shumë më e lehtë edhe për Parlamentin si organ ligjvënës që të ushtrojë një kontroll shumë më efikas në raport me një ekzekutiv që është më kompakt, që është më racion al në raport me një Qeveri që në radhët e veta numëron 20 e sa ministri”, tha ai.

Sa i përket çështjeve kushtetuese se a ka pengesa që ky ligj të miratohet, Morina tha se nuk sheh aspekte që bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Ai tha se nuk sheh probleme kushtetuese që prish frymën apo parimin e ndarjes së pushteteve.

Por, ndryshe mendon profesori Robert Muharremi, sipas të cilit projektligji për Qeverinë mund të përfundojë njëjtë si projektligji për Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë.

Ai tha se Kushtetuta nuk i jep Kuvendit kompetencë që me ligj ta rregullojë numrin e anëtarëve të Qeverisë.

“Na jep parametrat kryesor të cilat vlejnë edhe për ligjin për Qeverinë. A është përcaktimi i numrit të ministrive nga Kuvendi i Kosovës kompetencë e Kuvendit apo mos po cenon kompetencën e Qeverisë. Po e marr sikur Gjykata Kushtetuese një qasje tekstuale të interpretimit…Nëse e marrim nenin 65 kompetencat e Kuvendit dhe Gjykata Kushtetuese thirret tek kompetencat e Kuvendit, asnjë dispozitë e nenit 65 nuk i jep Kuvendit të Kosovës kompetencë me ia caktua Qeverisë numrin e ministrive. Kushtetuta thotë Kuvendi mbikëqyrë punën e Qeverisë, por jo e organizon. Nëse shkojmë tek nen i 95 paragrafi 2, ka të bëjë me emërimin e Qeverisë, nuk ka kurrfarë numri sa ministri me qenë…Fakt është që Kushtetua nuk i jep Kuvendit kompetencë që me ligj me e rregullua numrin e anëtarëve të Qeverisë”, tha ai.

Për këto arsye, Muharremi  tha se edhe koordinatorit nacional për reforma Bensik Tahirit, i ka propozuar që të ndërrohet Kushtetuta dhe të mos mundohen të rregullojnë këtë çështje përmes ligjit i cili mund të shpallet antikushtetues.

Për rëndësinë që ky ligj të miratohet ka folur Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili tha se dimensionet që i rregullon ligji janë me vlerë jo vetëm fundamentale kushtetuese, por kanë shumë vlerë të madhe edhe sa i përket përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë politike të një Qeverie.

Sipas tij mbirregullimi i Qeverisë është nevojë e kontekstit aktual, nevojë për ta parandaluar abuzimin që bëhet sot.

“Nëse Kosova do të kishte një kontekst tjetër nga ai që ka sot, ligji për Qeverinë do të ishte i panevojshëm sepse nuk do të kishte asnjë kryeministër, asnjë koalicion që do të merrte përsipër pa bërë një skandal siç është ky sot, që një Qeveri të ketë 21 Ministri, 5 zëvendëskryeministra e një numër të pamatshëm të zëvendësministrave. Por ja që përgjegjësia politike, morali politik, sanksionet e votuesit ndaj partive në pushtet, klientelizmi i gjerë e bëjnë të pamundur kontrollin e abuzimit të Qeverisë. Mënyra se si është strukturuar Qeveria e sotshme dhe si janë strukturuar edhe Qeveritë e kaluara është skajshmërisht abuzive, ne kemi bërë Qeveri për të rehatuar cdo interes të cdo anëtari të një koalicioni qeverisës”, tha ai.

Korenica tha se Kosova aktualisht ka Ministri të cilat në një shtet normal jo që nuk do të duhej të ekzistonin, por nuk ka asnjë logjikë në kuptim të kompetencave që ato të ekzistojnë të ndara. Një e tillë sipas tij është Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Tahiri thotë se Ligji për qeverinë do të miratohet këtë vit

Periskopi.com Lajme

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se gjatë këtij viti do të miratohet Ligji për qeverinë.

Ai ka thënë se me këtë ligj qeveria nuk do të ketë më shumë se 15 ministri, 30 zëvendësministra si dhe nuk do të ketë zëvendëskryeministra pa portofol.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka deklaruar se ky ligj përmirëson efikasitetin dhe funksionalitetin e ekzekutivit.

Duke folur për reformën shtetërore, ai ka thënë se nuk ka reformë e cila nuk është e dhimbshme.

Megjithatë, Tahiri ka vlerësuar se reforma mund të jetë në disfavor të partive që udhëheqin qeverinë, por gjithmonë është e pëlqyer nga shoqëria.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës reformën në administratën shtetërore e ka vendosur në prioritetin kryesor.

Kemi ligj për Ansamblin Shota, por jo për Qeverinë

Periskopi.com Lajme

Në debatin e parë ‘Talk the Talk’ të organizuar nga departamenti i universitetit të Londrës, në institutin Riinvest është diskutuar sot për projektligjin për Qeverinë.

Agron Demi nga Instituti GAP tha se Kosova e ka numrin më të madh të ministrive krahasuar me popullsinë. Në këto 10 vite më shumë tha i është dhënë rëndësi ligjit për Ansamblin “Shota”.

“Ka ligj për Asamblin ‘Shota’,e nuk kemi ligj për Qeverinë. Për punën e Qeverisë fokusohemi në shpenzime, ka ndodh shumë shpesh që investitorët e huaj, me i taku deri në pesë ministri. Çka ndodh tash këta ministra nuk kanë kohë me u taku. Në qeverinë e re, një numër i zëvendësministrave i kanë kaluar në shtëpi, se nuk kanë pasur hapësirë. Duhet të kufizohet numri i ministrave”, tha ai.

Demi tha se sa herë po flasin për ligjin për Qeverinë, po shtohet numri i ministrave, duke përmendur kështu qeverinë Haradinaj, që gjatë këtij mandati janë shtuar dy ministri.

Besnik Tahiri, koordinator nacional tha se ligji për Qeverinë është në konsultim të brendshëm.

Ai ka treguar se çfarë propozon grupi punues, për numrin e ministrive, zëvendësministrave dhe zëvenëskryeministrave.

“Kur e kemi marrë ne Qeverinë, shumë gjëra kanë qenë pa trajtuar, është dashur të krijohet një rregull, nuk kemi mundur të bëjmë ligjin për Qeverinë para pakos së administratës. E kemi pasur problem me juristët për sanksionimin e numrit të ministrive. Ligji e normon krejt funksionimin e ekzekutivit.

Me këtë ligj kjo rregullohet. Ligji është ne konsultim të brendshëm, që po kërkojmë ndihmë. Sot janë 21 ministri, unë të mundohem të bëjë një propozim për 13, se çfarë do të ndodh në qeveri e kuvend nuk e di. Kemi me i propozu dy zëvendëskryeministra”, tha ai.

Tahiri tha se se ky ligj do të shkojë në Kuvend në qershor, para se Kuvendi të shkoj në pushim Qeveria në dorëheqje me këtë ligj, Tahiri se nuk do të kenë mundësi që të marrin vendime, siç ka ndodhur deri tash.

Naim Jakaj nga Partia Socialdemokrate tha se është shumë e rëndësishme që kjo po bëhet fal partisë që ai i takon. Jakaj tha se PSD nuk do të votojë një projektligj në të cilin janë më shumë se dy zëvendësministra.

Në pritje të Ligjit për Qeveri, shtohet numri i këshilltarëve në Ministri

Periskopi.com Lajme

Pavarësisht se është duke u hartuar Ligji për Qeverinë, kabineti qeveritar ka vazhduar të marrë vendime që janë në kundërshtim me këtë nismë ligjore të sajën.

Pas vendimit për rritjen e këshilltarëve të kryeministrit, të zëvendëskryeministrave e ministrave, Qeveria ka marrë vendim që Ministria e Zhvillimit Rajonal të mund të emërojë edhe 3 këshilltarë të tjerë, raporton KTV.

Në kabinetin e kësaj ministrie janë të punësuar 18 persona. Kjo ministri ka thënë se do të kthejë një përgjigje për emërimet gjatë kësaj jave.

Por, koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, thotë se nuk është në dijeni për një vendim të tillë të Qeverisë.

Sipas Tahirit, me Ligjin për Qeverinë që do të procedohet në maj, do të ketë kufizime edhe për numër të ministrive, zëvendësministrave dhe të këshilltarëve.

Duke kritikuar Qeverinë për numër të madh të zëvendësministrave dhe të këshilltarëve politikë, Visar Rushiti nga Demokracia Plus, thotë se emërimi i tyre po bëhet për t’i rehatuar militantët politikë.

Në dhjetor të vitit të kaluar Qeveria mori vendim për shtimin e numrit të këshilltarëve për kryeministrin, zëvendëskryeministrat dhe ministrat.

Derisa, kryeministri mund të emërojë 24 këshilltarë, 15 prej tyre politikë dhe 9 të komuniteteve, ministrat mund të emërojnë deri në 6 këshilltarë.

Këshilltari i lartë politik i ministrit ka pagë mujore 1050 euro.

Disa ministra që nga marsi do të mbeten pa punë – do të bëhet Ligji që zvogëlon numrin e ministrive

Periskopi.com Lajme

Në fund të marsit të këtij viti Qeveria e Kosovës pritet të bëhet me ligj. Si rezultat i këtij ligji pritet të bëhet edhe zvogëlimi i numrit të ministrive në Qeverinë e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i Komisionit për Hartimin e projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri.

Pas takimit të grupit punues të këtij komisioni, Tahiri njoftoi se kanë  bërë prezantimin e të gjeturave nga studimet të organizatave të ndryshme jo-qeveritare, diskutimi mbi të gjeturat e tyre, dhe hapat e ardhshëm për procesin e hartimit të projektligjit për Qeverinë.

Tahiri theksoi se vëmendje të veçantë në këtë takim kanë marrë dy tema, ajo e kufizimit të numrit të ministrive si dhe aspekti krahasimor të shteteve të rajonit.

“Ne kemi ligj për gjithçka, por nuk kemi ligj për Qeveri, në këtë kuptim ne i diskutuam dy çështje kryesore:  Në detaje e diskutuam aspektin e kufizimit të numrit të ministrive…e trajtuam aspektin krahasimor të shteteve të rajonit, i prezantuar nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim…Qeveria e Kosovës e ka marrë me seriozitet të madh hartimin dhe miratimin e këtij ligji deri në fund të marsit. Poashtu jemi duke trajtuar aspektin juridik dhe kushtetues të sanskionimit të numrit të ministrive në këtë ligj për shkak se ky ligj duhet të sanksionojë numrin e ministrive. Poashtu jemi duke e trajtu aspektin e funksionalitetit që lidhet me numrin e te punësuarve që lidhet me buxhetin dhe efikasitetin e Qeverisë”, tha Tahiri.

Ai bëri të ditur se Qeveria do ta vendosë këtë ligj  me konsult im paraprak me Shoqërinë Civile, do ta bëjë një analizë krahasuese dhe do të prezantojë deri në fund të marsit këtë draft-para kabinetit të Qeverisë.

Deri më tani përbërja e qeverive të Kosovës ka qenë me numër të madh të ministrive e zëvendësministrave, duke qenë ndër më të mëdhatë në Evropë.

Qeveria aktuale e drejtuar nga Haradinaj ka 21 ministri dhe mbi 70 zëvendësministra.

Qeveria beson se raportimet e zv.ministrave do të shkojnë duke u përmirësuar

Periskopi.com Lajme

Pjesë të raportit të zëvendësministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni, u bënë pjesë e debatit publik gjatë kësaj jave.

Përveç relacionit Lopë – Fermer, që sipas zëvendësministrit Maxhuni, çojnë në zhvillimin e shtetit, edhe titujt akademikë të tij u komentuan gjerë e gjatë në rrjete sociale.

E, Maxhuni nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.

Në Qeverinë e Kosovës e shohin si pozitiv debatin që i ka rrethuar zëvendësministrat e shumtë por edhe punën e tyre.

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore thotë se një gjë e tillë do të ndikojë në përmirësimin e punës së tyre në të ardhmen.

Besnik Tahiri ka bërë të ditur se zëvendësministrat do të vlerësohen për punën e tyre rreth muajit nëntor.

Përndryshe, Tahiri ka folur edhe për Ligjin për Qeverinë, që pritet të përcaktojë mes tjerash numrin e ministrive dhe zëvendësministrave, për të cilin tha se brenda këtij viti do të marrë miratimin e qeverisë.

E derisa potencialisht të miratohet Ligji për Qeverinë, raportet e zëvendësministrave po dalin të jenë mjaft argëtuese.

Njëri prej tyre, siç e ka publikuar Agron Demi nga Instituti GAP, në dy fjali ka arritur të bëjë një lidhje mes dhurimit të gjakut dhe akcizës në propan, butan dhe gaz.