Shfajësohet Qeveria: Po i zhvendosim zv/ministrat nga një ministri në tjetrën

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës përmes një reagimi për media ka sqaruar emërimet e reja të zëvendësministrave, për të cilat u raportua sot – shkruan Periskopi.

Në sqarimin e Qeverisë thuhet se bëhet fjalë për ri-emërime, konkretisht për dy zëvendësime nga partneri i koalicionit Nisma për Kosovën.

“Qeveria e Republikës së Kosovës sqaron publikun e gjerë sa i përket shkrimeve në disa medie të vendit, për emërime të reja të zëvendësministrave në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Bëhet fjalë për ri-emërime, konkretisht për dy zëvendësime nga partneri i koalicionit Nisma për Kosovën. Me qëllim të informimit të drejtë, bashkëngjitur gjeni vendimet për lirim dhe emërim të zëvendësministrave”, thuhet në reagim të Qeverisë.

Tutje, aty sqarohet se kush ku është emëruar apo riemëruar.

“Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Besnik Hoti, është liruar nga detyra e Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, ndërsa në këtë pozitë është emëruar zëvendësministër z. Çerkin Dukolli, i cili në të njëjtën kohë është liruar nga detyra si zëvendësministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në të cilën Ministri në vend të tij është emëruar zëvendësministër z. Besnik Berisha. Për më tepër, të bashkëngjitur i gjeni vendimet për secilin lirim nga detyra dhe emërim në këto detyra”, përfundon sqarimi./PERISKOPI