E dhimbshme, futbollisti Lorik Aliu pensionohet në moshën 24-vjeçare: Lëndimet ma shuan ëndrrën

Periskopi.com Sporti

Një prej talentëve të dalluar që ka prodhuar futbolli vendor, Lorik Aliu, ka vendosur t’i japë fund karrierës si futbollist në moshën 24-vjeçare.

Aliu mori këtë vendim për shkak të lëndimeve të vazhdueshme gjatë karrierës.

Aliu ka qenë pjesë e Prishtinës, Llapit e disa ekipeve tjera, derisa ishte edhe anëtar i shpresave të Kombëtares së Shqipërisë.

“Familjarë, shoqëri, dashamirë të futbollit!
Po shfrytëzoj këtë postim për t’ju dhënë një lajm jo të mirë për mua dhe të gjithë ata që më projektuan në majat e sportit më të bukur, FUTBOLLIT.

Kam vendosur që përfundimisht t’i jap fund karrierës time si futbollist aktiv, për shkak të lëndimeve të shumta duke e cilësuar si vendimin më të drejtë.

Është tejet e vështirë që të vendos atletet në gozhdë, pasi që ëndrra më e madhe e jetës time u ndërpre e u shua shumë shpejt.

Ëndrra për tu bërë futbollist profesionist i nivelit të lartë, do ngelet në sirtarin tim, si e parealizuar përjetësisht.

Dua që t’ju falenderoj të gjithëve që më qëndruat afër nga dita e parë e deri sot, dhe bashkëndjetë me mua dhimbje, zhgënjime e triumfe, por fati deshi të përfundonte kështu.

Shihemi në sfida të reja!”, ka shkruar Aliu.