Edhe një yll shqiptar në Superligën e Zvicrës

Periskopi.com Sporti

Lorik Emini ka shkëlqyer të dielën në fitoren 2:1 të Luzernit ndaj Baselit. Ndeshja i takoi xhiros së 24-t të Superligës së Zvicrës në futboll. Me këtë xhiro ka rifilluar edicioni në Zvicër.

Gazeta e madhe zvicerane, Blick, e ka përfshirë në ekipin më të mirë të xhiros, ndërsa paraqitjen e 20-vjeçarit e ka vlerësuar si të shkëlqyeshme. Sipas Blick, Emini është shquar me pamjen e lojës dhe me pasimet që ka bërë. Kulmin e arriti me një pasim diagonal para golit për 1:0. Ajo është vlerësuar skena kryesore e ndeshjes, kurse mesfushori Emini e ka përshkruar atë.

Sipas Blick, Emini ishte bindës edhe në duele. Ka fituar duelin me Taulant Xhakën e Baselit.

Emini mori lavdata nga trajneri, Fabio Celestini.

“Ndonëse Loriku ishte në gjendje të ushtronte vetëm prej të hënës për shkak të një lëndimi, ai ka pasur paraqitje të fuqishme. Ai sjell aftësi të liderit”.

Emini i ka luajtur tri ndeshje në dhjetor, ndërsa e kishte kompletuar një prej tyre. Të dielën luajti 84 minuta dhe bindi plotësisht. Ai për herë të parë këtë edicion luan në Superligën e Zvicrës, kampionatin e mbushur me futbollistë shqiptarë.

Në tri edicionet e kaluara luajti për ekipin e dytë të Luzernit.