Komisioni Evropian premton strategji të re për luftimin e kancerit

Periskopi.com Lajme

Komisioni Evropian, deri në fund të këtij viti, do të paraqesë një strategji të re për luftimin e kancerit, tha të martën presidentja e këtij institucioni, Ursula von der Leyen.

Ajo i bëri këto komente para Parlamentit Evropian, në Ditën Botërore të Kancerit.

Komisioni Evropian vlerëson se ndikimi ekonomik i kancerit në Evropë është mbi 100 miliardë euro në vit.

Nëse nuk ndërmerren hapa të mëtejshëm, rastet me kancer në BE do të dyfishohen gjatë 15 vjetëve të ardhshëm, duke prekur 40 për qind të njerëzve, paralajmëron Komisioni.

Strategjia e re e tij pritet të përfshijë hapa nga ndryshimi i mënyrës së jetesës deri te luftimi i ndotjes së ajrit, vaksinimi dhe diagnostikimi më i mirë.

Komisioni Evropian thekson se parandalimi do të jetë prioritet, sepse, sipas tij, 40% e rasteve me kancer dalin nga shkaqe që mund të shmangen.

Von der Leyen theksoi se skema e fundit e BE-së për parandalimin dhe zbulimin e kancerit daton që 30 vjet.

“Bota ka ndryshuar. Evropa ka ndryshuar. Dhe, numri i rasteve është fatkeqësisht në rritje”, tha von der Leyen, e cila ka humbur motrën e saj nga kanceri.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të BE-së, një rast i ri me kancer diagnostikohet në BE çdo nëntë sekonda, ndërsa sëmundja vret 1.3 milion njerëz në vit.

Këta përbërës parandalojnë kollën dhe bronkitin

Periskopi.com Shëndeti

Kombinimi ideal mes mjaltit, qepës dhe limonit ka efekt të madh në parandalimin e kollës dhe bronkitit.

Sipas dietologut, Ismail Lutolli, përzierja e këtyre substancave ndikon në aftësinë mbrojtëse të imunitetit kundër infeksioneve bakteriale të cilat e qetësojnë kollën.

Kjo recetë natyrale me këta përbërës të cilët i keni përherë në kuzhinë, është një avantazh pasi që përbërësit mund të blihen në çdo kohë, pa marrë parasysh periudhën në të cilën ndodhemi.

Në anën tjetër, dobitë shëndetësore të cilat mund t’i marrë njeriu nga këta përbërës janë të pafundme.

Siç shkruan “Familja dhe shëndeti”, qepët janë të pasura me hekur, minerale, vitamina C, B6, krom, fosfor, kalium, kalcium, magnez dhe acid folik. Ato janë të pasur me flavonoide, si antocianinë dhe kuercetinë, që luftojnë inflamacionet dhe kancerin.

Qepët përmbajnë inulen, një lloj ky i fibrave, që ndihmon bakteret e mira në traktin tretës. Këto baktere e përmirësojnë funksionimin normal të sistemit tretës.

Në anën tjetër, mjalti ndikon në funksionimin më të mirë të sistemit imunitar, sistemi limfatik dhe qarkullimit të gjakut. Mjalti përmban në veti sasi të pasur të glukozës, fruktozave, vitamina të shumta, minerale, aminoacide, flavonide dhe hidroperokside etj., duke ndikuar direkt në shëndetin tonë. Mjalti pa asnjë dyshim mbetet njëri prej produkteve ushqimore më të shëndosha, dhe me efikasitet shumë të lartë shërues.

Kurse limoni ka një numër përbërësish duke përfshirë flavonoidet, limonoidet dhe polifenolet prezenca e lartë e vitaminës C. Një rol shumë të rëndësishëm edhe në ngritjen e imunitetit që në mënyrë direkte ka ndikim mbi sistemin e frymëmarrjes.

Në kohën e fundit studiuesit po zbulojnë mënyrën efikase se si duhet kombinuar këto ushqime për të marrë përfitimet maksimale shëndetësore.

 

Kërkohet bashkëpunim rajonal në luftimin kundër trafikimit me njerëz

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës ka bërë progres në luftën kundër trafikimit me njerëz, ndërsa kërkohet bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar në luftimin e kësaj dukurie.

Kështu u tha në Ditën e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz, me rastin e lansimit të fushatës një mujore “Mos hesht” nga Ministria e Punëve të Brendshme, fushatë kjo që do të shërbejë si thirrje për një qytetar aktiv, i cili në masë të madhe do të ndihmojë organet shtetërore.

Me këtë rast, përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, John Bush vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka bërë progres në parandalimin e trafikimit me njerëz.

Ai dha edhe rekomandimet për Qeverinë e Kosovës, me ç’rast tha se kjo e fundit duhet të vendosë një fond të qëndrueshëm përmes buxhetit për një organizatë jo-qeveritare për t’i strehuar viktimat e trafikimit, të punohet me autoritetet lokale për mbrojtjen e viktimave në komunat veriore, të ofrohet mbështetje profesionale e gjithëpërfshirëse në trajnimin dhe riintegrimin për viktimat si dhe të krijohet një bazë e të dhënave që zbërthen statistikat rreth trafikimit, ku çdokush mund ta shoh fushëveprimin e problemit.

Në emër të Qeverisë të Kosovës, këshilltari i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, Hysen Gashi tha se në luftën kundër trafikimit me njerëz duhet të angazhohen të gjithë mekanizmat shtetëror dhe të gjithë qytetarët.

Ai kërkoi nga organet kompetente të marrin masat më rigoroze në luftimin e kësaj dukurie.  Ndërsa detaje të fushatës “Mos hesht” dha ministri në largim i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili bëri të ditur se në kuadër të kësaj fushate do të ketë aktivitete të shumta, teksa theksoi se në dizajnimin e saj kanë marrë në konsideratë kategori dhe faktorë të ndryshëm.

E zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se Policia e Kosovës e ka prioritet parandalimin e trafikimit me njerëz.

Gjendja sociale dhe ekonomike e rëndë, moskujdesi i duhur prindëror dhe kujdestar sidomos ndaj fëmijëve, braktisja e shkollimit, mungesa e njohurive ndaj pasojave të trafikimit sipas Mehmetit janë faktorët kryesor të trafikimit me njerëz.

Me qëllim të luftimit të kësaj dukurie negative, Mehmeti bëri të ditur se sot në të gjitha xhamitë e Kosovës do të ligjërohet për rëndësinë e luftimit të trafikimit me njerëz.

Basri Kastrati nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, tha se Kosova ka bërë progres në luftimin e trafikimit me njerëz.

Siç tha ai, në kuadër të të gjitha masave që janë marrë, është shtuar edhe periudha e dënimit për rastet e trafikimit, ku ka pasur dënime prej 5-9 vite.

Edhe Besnik Ramosaj nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës u shpreh se krahasuar me vitin e kaluar, në 9 mujorin e parë të këtij viti, vërehet se ka pasur progres në trajtimin e rasteve.

Ndërsa Isak Shabani nga Ministria e Shëndetësisë tha se synojnë që të gjitha viktimave të trafikimit tu ofrojnë trajtim profesional dhe shërbime pa pagesë.