Befasi apo jo, Ballkani do të luftojë për titullin e kampionit

Periskopi.com Sporti

Deri më tani kanë kaluar 11 javë të Superligës së Kosovës, ku shumë skuadra janë duke luftuar për kreun e tabelës.

Një ndër to është edhe skuadra nga Theranda, Ballkani e cila ka pasur startin më të mirë ndonjëherë, duke arritur shtatë fitore, dy barazime dhe ka pësuar vetëm dy humbje, kështu duke u renditur në vendin e dytë në tabelë.

Trajneri i mirënjohur i skuadrës së Ballkanit, Ismet Munishi u shpreh se e ka pritur këtë start të skuadrës së tij duke parë punën e palodhur që është duke u bërë në Therandë, duke filluar nga lojtarët e deri te kryesia e klubit.

“Me të thënë të drejtën e kemi prit sepse transferimet që i kemi bo, ndryshimet e strukturës që e kemi bo brenda skuadrës edhe serioziteti që ka, organizimi i mirë që ka skuadra e Ballkanit. Normalisht që e kemi prit këtë sukses…Nuk ka sekret është puna e palodhshme e të gjithëve domethënë prej presidentit e deri tek ne këtu që jemi akterët ne fushë, normalisht që barrën kryesore e kanë lojtarët edhe lojtarët me punën e palodhshme që e kanë bërë edhe normalisht që barrën kryesore tjetër e ka presidenti i klubit, i cili në çdo aspekt edhe organizativ edhe financiar edhe të përkrahjes morale edhe të gjitha ka qenë në nivelin më të lartë”, tha fillimisht ai.

Munishi pohoi se ata të cilët e cilësojnë si befasi skuadrën e tij, nuk e njohin mirë futbollin e Kosovës, dhe sipas tij një numër i madh i opinionit kosovar e mendon një gjë të tillë.

“Duke e parë opinionin e Kosovës që dikush edhe ndoshta nuk e njohin futbollin aq mirë, dikush ndoshta mundet të ketë edhe pak xhelozi, nuk e di domethënë çka janë shkaqet por me i shiku emrat që i kemi në skuadër, me i shiku emrat që i kemi edhe në stafin e trajnerëve edhe seriozitetin e klubit që vjet nuk ka ec klubi mirë domethënë të gjitha gjërat kanë qenë në rregull pavarësisht që nuk ka pasur rezultate por klubi nuk ka pasur traditë në Superligë. Mua nuk më duket befasi, njerëzve tjerë mundet edhe me ju duk befasi, por është punë e tyre.

Trajneri i Ballakanit, vite më parë kishte arritur ta shpall kampion të Superligës së Kosovës, skuadrën e Vushtrrisë, ku nga aty kishte dalur edhe lojtari i mirënjohur kosovar, Milot Rashica që tanimë po vazhdon karrierën e tij në Werder Bremen, në Bundeslingën gjermane.

Munishi pohoi se do të ishte privilegj i madh për të që të përsëritej ky sukses i njëjtë me skuadrën e Ballkanit, si dhe nga kjo skuadër të dalin shumë talenta në pah që të vazhdojnë karrierën në nivele më të larta të futbollit, e pse jo edhe të ndjekin hapat e Rashicës.

“Me Vushtrrinë kemi bërë sukses jashtëzakonisht të madh. Barabartë që jemi dal kampion me Vushtrrinë ne kemi arrit me prodhuar një superlojtar nga Vushtrria në atë kohën kur kam qenë unë aty, të gjithë bashkërisht. Me të thënë të drejtën edhe këtu i kemi disa supertalenta është Blend Baftiu, Arbër Hoxha, Jetmir Topalli shpresoj që edhe këta ta kenë fatin e Milotit sepse kanë shumë talent edhe do të ishte kënaqësi për mua që këta djem nëse arrijnë të luajnë në nivel shumë të lartë në futboll. Do të ishte ma merr mendja barabartë me çdo sukses që do e kish arrit skuadra nëse këta futbollista arrimë ti trajtojmë mirë dhe të shkojnë të luajnë në nivel më të lartë”, përfundoi Munishi.

Kapiteni, Visar Berisha u shpreh se atmosfera në klub është në nivelin më të lartë të mundshëm, dhe lojtarët do të hyjnë në çdo ndeshje me motivin më të madh, për të arritur rezultatet pozitive.

“Me të thënë të drejtën Ballkani ka hyrë në çdo ndeshje për të treguar futboll cilësor por na ka ecur mirë edhe me rezultate duke parë edhe vendin e dytë. Neve është duke na ecur mjafte mirë. Trajneri është duke punuar mjaft mirë. Lojtarët kanë motiv mjaftë të madh për të treguar rezultat” pohoi Berisha.

Një ndër talentët e kësaj skuadre është edhe ish-lojtari i Prishtinës, Blend Baftiu.

Baftiu për startin e mirë të skuadrës pohoi se një gjë e tillë është pritur duke parë faktin se faza përgatitore për ta ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme duke mos pësuar humbje në asnjë prej ndeshjeve miqësorë që kanë zhvilluar.

“Kemi pasur një start shumë të mirë të sezonit me ekipin po ashtu edhe në aspektin personal po ashtu edhe gjendja në tabelë tregon më së miri këtë. Shpresoj që të vazhdojmë deri në fund kështu. Mendoj vet transferimet që kemi bërë edhe gjatë fazës përgatitore ne në ndeshjet miqësore që kemi pasur, nuk kemi pasur asnjë humbje, ka qenë ndoshta e pritshme që të kemi një start të mirë, ndoshta jo edhe kaq të mirë por ka qenë, ka qenë e pritshme që të kemi start të mirë”, tha Baftiu.

Kujtojmë që Ballkani gjatë ditës së sotme do ta zhvillojë ndeshjen e javës së 12-të ku në Therandë pret skuadrën e Dukagjinit.

Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave kishte përfunduar me barazim pa gola 0:0.