Deklarata e tmerrshme e Scolarit: Nëse avioni rrëzohet, do të isha i lumtur

Periskopi.com Sporti

Trajneri i Palmeiras, Felipe Scolari, ka bërë një batutë me shije shumë të keqe. Pas fitores 4-0 të skuadrës së tij në Kupën Libertadores, tekniku ka thënë: “Nëse avioni rrëzohet, do të isha i lumtur për disa”.

Siç ka bërë të ditur “AS”, Scolari nuk ka arritur ta festojë siç duhet fitoren e marrë kundër Godoy Cruz dhe kalimin në çerekfinalen e kompeticionit për shkak të një deklarate që ka shkaktuar shumë polemika. Ai ka thënë në fund të ndeshjes:

“Përforcime? Mattos, Cicero dhe presidenti e dinë kë dua. Do të punojnë me emrat që i jap, por nuk do t’i them këtu. Ndër të tjera, avioni mund të rrëzohet nesër dhe të gjithë do të vdisnin. Nëse kjo do të ndodhte, do të hidhja disa fishekzjarrë për disa prej tyre”, transmeton Periskopi.

Një frazë kjo që, veçanërisht në Brazil, pas fatkeqësisë së Chapecoense në 2016-ën, që i kushtoi jetën 71 pasagjerëve dhe pothuajse gjithë ekipit, ka bërë të shpërthejë zemërimin e mediave dhe publikut, duke shtyrë Scolari-n që të bëjë një hap mbrapa.

“Nuk i jam referuar lojtarëve, ju (gazetarët) nuk e keni kuptuar batutën time”, ka thënë trajneri.

Megjithatë, dëmi është bërë. Javën e kaluar, mes të tjerave, avioni që transportonte Palmeiras-in ka patur disa probleme, duke shtyrë me disa orë uljen në tokë. /Periskopi.com/