Sfidat e mëdha që e presin Qeverinë Kurti

Periskopi.com Lajme

LVV-ja dhe LDK-ja, u zotuan në vazhdimësi se do ta sjellin ndryshimin në Kosovë.

Luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, finalizimi i procesit të negociatave Kosovë – Serbi, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe e termocentrali “Kosova e Re” po konsiderohen vetëm disa prej sfidave kryesore me të cilat do të ballafaqohet qeveria e re, e udhëhequr nga kryeministri i ri Albin Kurti.

Sa i përket dialogut, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri i ka bërë thirrje qeverisë “Kurti” të jetë syçelë dhe të mos bjerë pre e lojërave të rrezikshme me kufij, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Para dy ditësh Kuvendi i Kosovës zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Dy partitë kryesore të koalicionit qeverisës, LVV-ja dhe LDK-ja, u zotuan në vazhdimësi se do ta sjellin ndryshimin në Kosovë. Krerët e këtyre dy subjekteve kanë pohuar se Kosovën e presin punë të shumta për t’i kryer në mandatin e ri qeverisës.

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit, përmbyllja e dialogut Kosovë – Serbi pa ndonjë skenar të rrezikshëm, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, strategjia që do të përdoret rreth termocentralit “Kosova e Re” po konsiderohen vetëm disa prej sfidave kyçe me të cilat do të ballafaqohet qeveria e re. Kryeministri tashmë i zgjedhur Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm të merret me negociatat Kosovë – Serbi, shkruan tutje “Zëri”.

Por ish-kryenegociatorja e Kosovës në këtë proces, Edita Tahiri, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Kurti duhet të jetë syçelë dhe të mos bjerë pre e lojërave të rrezikshme, që lidhen me paralajmërimet rreth ndryshimit të kufijve.

Matematikat e partive para zgjedhjeve

Periskopi.com Lajme

Ende pa u caktuar ndonjë datë zyrtare e zgjedhjeve të parakohshme partitë politike kanë nisur t’i përpilojnë matematikat e tyre sa i përket garës së ardhshme zgjedhore.

Disa prej tyre tashmë kanë shfaqur publikisht preferencat për koalicionet e mundshme parazgjedhore. Derisa nga PDK-ja kanë thënë se do të garojnë të vetëm, zyrtarët e AAK-së kanë bërë të ditur se PSD-në dhe Nismën Socialdemokrate i shohim si partnerë të mundshëm në koalicion para zgjedhjeve, shkruan gazeta “Zëri”.

Nga kjo e fundit kanë pohuar se me Nismën kanë qëndrime të përafërta, porse kanë theksuar se PSD-ja ende nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me këtë çështje. Kurse nga Nisma kanë përjashtuar nga bashkëpunimi tri partitë më të mëdha parlamentare, PDK-në, LVV-në dhe LDK-në, por jo edhe AAK-në, ndonëse kanë thënë se parapëlqejnë të garojnë të vetëm në zgjedhje.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e dy partive më të mëdha opozitare, LVV-ja dhe LDK-ja, kanë përsëritur disa herë se mes këtyre dy subjekteve shihet një përafrim i qëndrimeve.