Guardiola thotë se Mane nganjëherë simulon

Periskopi.com Sporti

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, tentoi ta shtojë tensionin para përballjes që mund të jetë vendimtare për Premierligës fundjavën e ardhshme, duke e kritikuar yllin e Liverpoolit, Sadio Mane, për simulim.

Manchester City dhe Liverpooli siguruan të shtunën (sot) fitore të vështira në kuadër të xhiros së 11-të të Premierligës, duke e detyruar ta përmbysin rezultatin pasi që fillimisht kishin qenë duke pësuar disfatë. Megjithatë, të dyja skuadrat i morën tre pikët dhe tani do ta vazhdojnë garën për vendin e parë, transmeton Gazeta Express.

Skuadra e Guardiolës e përmbysi rezultatin në ndeshjen kundër Suthamptonin dhe siguroi fitore me rezultat 2:1, mirëpo fitorja e tyre ishte më pak dramatike në krahasim me atë që ndodhi në Villa Park.

Liverpooli ishte duke pësuar disfatë deri në minutën e 87-të nga Aston Villa, mirëpo golat e shënuara në fund të ndeshjes nga Andrew Robertson dhe Sadio Mane ia shpëtuan tre pikët Liverpoolit në momentet e fundit.

Më 10 nëntor Manchester City do ta vizitojë Liverpoolin në Anfield dhe pikërisht senegalezi Mane është lojtari për të cilët Guardiola ka përgatitur kujdes të veçantë.

“Nganjëherë Mane simulon, nganjëherë ai e ka këtë talent të jashtëzakonshëm për të shënuar gola në minutat e fundit. Ai është një talent”, ka thënë Guardiola për Sky Sports.

“Edhe një tjetër fitore e ngushtë e Liverpoolit? Nëse është një herë e dy herë mund të themi se ka të bëjë me fat, por atyre po u ndodh shumë shpesh gjatë sezoneve të fundit – ka të bëjë me karakterin që e kanë”.

“Ne e shikojmë veten, e dimë se me çfarë skuadre do të përballemi, mendoj se ata i kanë fituar dhjet ndeshje dhe e kanë barazuar një tjetër… Javën tjetër ne shkojmë në Anfield për të luajtur kundër tyre”.