Nis diskutimi mbi ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Periskopi.com Lajme

Pas kalimit të fazës së parë të ndryshimeve kushtetuese, sot në Kuvendin e Maqedonisë pritet të nisë debati mbi hartimin e amendamenteve, me propozim të Qeverisë, por me përfshirjen e të gjitha grupeve parlamentare, me qëllim siç thonë, të arritjes së një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha partitë.

Amendamentet duhet të jenë në përputhje me Marrëveshjen me Greqinë për emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut. Do të ndryshohen katër amendamente, përfshirë edhe preambulën për të hequr emrin Maqedoni dhe mbiemrin maqedonas nga të gjitha nenet e Kushtetutës, por edhe element të tjerë që bien në kundërshtim me marrëveshjen e arritur më 17 qershor në Prespë.

Me këtë marrëveshje, përfundimisht Maqedonia do të zgjidhë kontestin 27-vjeçar me Greqinë, e cila nga ana tjetër, do të heqë veton për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkim Evropian.

Nga opozita kanë thënë se mbeten në qëndrimin se “marrëveshja është e dëmshme për identitetin, gjuhën dhe qenien maqedonase në përgjithësi”, andaj edhe nuk do të mbështesin asnjë fazë të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa bëjnë thirrje “të respektohet vullneti i popullit në referendumin më 30 shtator, të cilin rreth 70 për qind e popullatës e bojkotuan si shprehje e revoltës me marrëveshjen kapitulluese”.

Njohësit e çështjeve politike thonë se faza e parë e ndryshimeve kushtetuese ishte më e vështira për t’u arritur, për shkak se pushteti nuk kishte numrin e mjaftueshëm prej dy të tretave. Por, edhe faza e dytë sipas tyre nuk do të jetë e lehtë, për shkak të kundërshtimeve që mund të dalin për amendamentet, por nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë ndryshimi të qëndrimit të atyre që i dhanë mbështetje fazës së parë.

Partitë opozitare shqiptare do të intervenojnë me disa amendamentet për zgjidhjen sipas tyre të çështjeve që kanë të bëjë me shqiptarët. Aleanca për Shqiptarët dhe njëri krah i Lëvizjes Besa, kërkojnë që shqiptarët në Kushtetutë të jenë popull shtetformues, ndërsa gjuha shqipe të mos trajtohet si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës, por si gjuhë shqipe e barabartë me gjuhën maqedonase