Ministri britanik: Do ta vazhdojmë përkrahjen për Kosovën, nuk e harrojmë mikpritjen e tyre para 20 vitesh

Periskopi.com Lajme

Ministri britanik i mbrojtjes, Mark Lancaster, ka deklaruar se Britania e Madhe do të vazhdojë përkrahjen ndaj Kosovës, përmes misionit të NATO’s.

Duke folur në një event të Muzeut të Ushtrisë Kombëtare, Lancaster tha se e kujton pritjen e ëmbël që i ka bërë Kosova 20 vjet më parë.

“E mbaj mend mirë se si më pritën kosovarët 20 vjet më parë kur shkova atje. Kjo shoqëri nuk harrohet nga asnjë vend, kështu që ne do të vazhdojmë përkushtimin tonë për stabilitet në rajon”, tha ai.

Kujtojmë se KFOR’i në Kosovë përbëhet nga trupa që vijnë nga rreth 30 vende, duke përfshirë këtu SHBA’në, Italinë, Turqinë dhe Poloninë.

Ndërsa, trupat e Britanisë kanë ndihmuar në përmirësimin e aftësive të zbulimit, vëzhgimit si dhe forcës së këtij misioni.

Misioni i NATO’s në Kosovë  është një prej misioneve më të gjata paqeruajtëse në histori, kurse këtë vit shënoi 20 vjetorin e intervenimit në vend.

 

Haradinaj takon ministrin e ushtrisë britanike

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë vizitës në Londër është takuar me ministrin për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe Mark Lancaster.

Haradinaj në një postim në Facebook ka thënë se me ministrin Lancaster ka biseduar për zhvillimet në Kosovë duke in kërkuar mbështetje për transformimin e FSK-së në ushtri.

Postimi i Haradinajt:

Gjate vizitës zyrtare në Londër, sot takova Ministrin e Shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancaster, të cilin e falënderova për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar për Kosovën. Me Ministrin Lancaster biseduam për zhvillimet e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Kosovë e më gjerë si dhe kërkova mbështetjen e Britanisë së Madhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe procesin e tranzicionit të saj në Forca të Armatosura të Kosovës. Shqyrtimi i mundësive për pjesëmarrjen e forcës sonë në operacionet paqeruajtëse në kuadër të trupave ushtarake britanike ishte po ashtu një temë e diskutimit. Marrëdhëniet bilaterale të shkëlqyera mes dy vendeve tona do të thellohen edhe me tepër në të ardhmen dhe e sigurova Ministrin Lancaster se Kosova mbetet e palëkundur ne drejtimin e saj drejt anëtarësimit te plotë në NATO dhe BE.