18 vjet nga Marrëveshja e Ohrit

Periskopi.com Lajme

Marrëveshja Kornizë e Ohrit që u nënshkrua para 18 vitesh është një kontratë shqiptaro-maqedonase për raportet e reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë.

Kjo kontratë e të dy popujve u bë e mundshme pas luftës së armatosur që ndodhi në vitin 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontributin e vet për zgjidhje politike të krizës ndëretnike në Maqedoni.

Roli i bashkësisë ndërkombëtare për ndërprerjen e konfliktit dhe arritjen e marrëveshjes politike ishte i pazëvendësueshëm. Qysh gjatë zhvillimeve luftarake në ish-IRJM, Unioni Evropian dhe SHBA, dërguan përfaqësuesit e tyre: Francois Leotard dhe James Perdew, si ndërmjetësues për arritjen e paqes.

Pas negociatave të mundimshme me palët e konfrontuara, ata përgatitën dokumentin e ashtuquajtur “Versioni Draft i Dokumentit Kornizë”, të cilin më 7 korrik 2001 ua dorëzuan katër liderëve pjesëmarrës në Qeverinë e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe presidentit Trajkovski.

Gjatë zhvillimit të negociatave në Ohër, faktori politik shqiptar startoi me pozicione euro-perëndimore. Ai nuk doli me kërkesa për ndarje territoriale, por për barazi të plotë etnike, që ishte në harmoni me parimet europerëndimore.

Në fakt, kërkohej që karakteri multietnik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror.

Ndërkaq, pala maqedonase mbante pozicion ekskluziv duke refuzuar kërkesën që pasqyronte diversitetin objektiv të shoqërisë në konceptin e shtetit. Ose me fjalë të tjera, përderisa pala maqedonase synonte të kontrollojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, pala shqiptare nuk ndërhynte në korpusin e të drejtave të maqedonasve.

Fundi i negociatave shqiptaro-maqedonase ishte Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Në momentin kur pritej që negociatat e Ohrit të marrin fund, qarqe të caktuara nacionaliste, qeveritare dhe joqeveritare maqedonase filluan të japin deklarata të pamatura, të cilat shkaktuan reagime të ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Këto deklarata përpiqeshin të minojnë procesin politik dhe projektin e marrëveshjes të hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Por, qendrat e vendosjes ndërkombëtare ia bënë me dije palës maqedonase, se: “Rrugëdalje më të mirë, pos pajtimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti nuk ka”.

Negociatat shqiptaro-maqedonase në Ohër zgjatën rreth dhjetë ditë dhe përfunduan më 13 gusht 2001. Nën trysninë ndërkombëtare, konflikti shqiptaro-maqedonas u mbyll me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

Ajo u nënshkrua në Shkup nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas që merrnin pjesë në koalicionin e zgjeruar qeveritar: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri.

Këtë marrëveshje e nënshkroi edhe kryetari i shtetit, Boris Trajkovski dhe ndërmjetësuesit evro-amerikanë, Leotard dhe Perdew.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit përfshinë dhjetë pika kyçe:

1. Parimet themelore;

2. Ndërprerja e armiqësive;

3. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar;

4. Mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë;

5. Procedurat e posaçme kuvendore;

6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve;

7. Shprehja e identitetit;

8. Implementimi;

9. Anekset; dhe

10. Dispozitat përfundimtare.

Thaçi: Marrëveshja e Ohrit, pikënisje e jetësimit të aspiratave të shqiptarëve

Periskopi.com Lajme

Sot janë bërë 18 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit – një kontratë shqiptaro-maqedonase për raportet e reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit të quajtur Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë – tash Maqedonia e Veriut.

Këtë moment e ka kujtuar edhe Presidenti Hashim Thaçi.

“Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar 18 vjet më parë, ishte pikënisje e jetësimit të aspiratave të shqiptarëve për trajtimin të barabartë dhe dinjitoz në Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar ai në Facebook.

“Ndonëse implementimi i kësaj marrëveshjeje mori shumë kohë, ajo sot është garantuesi më i madh i stabilitetit në Maqedoninë e Veriut. Republika e Kosovës gjithmonë do të jetë partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe faktor në ruajtjen e paqes në rajon”.

Veseli: Marrëveshja e Ohrit dëshmon se shqiptarët preferojnë që problemet t’i zgjidhin nëpërmjet dialogut

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, në 18 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, ka thënë se kjo ngjarje përbën arritjen më të madhe të përpjekjeve të shqiptarëve për të jetuar si të barabartë në trojet e tyre brenda Maqedonisë së Veriut.

Nëpërmjet një shkrimi në faqen e tij në Facebook, Veseli tha se marrëveshja e Ohrit dëshmon se kombi shqiptar është paqedashës dhe se problemet parapëlqen t’i zgjidhë përmes dialogut e mirëkuptimit.

“18 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoninë e Veriut. Kjo ngjarje përbën arritjen më të madhe të përpjekjeve të shqiptarëve për të jetuar si të barabartë në trojet e tyre brenda këtij shteti. Kjo ujdi dëshmon se kombi shqiptar është paqedashës dhe se problemet parapëlqen t’i zgjidhë përmes dialogut e mirëkuptimit. Së bashku me Marrëveshjen për emrin ajo ka demokratizuar Maqedoninë e Veriut dhe ka stabilizuar Ballkanin. Paqja në Maqedoninë e Veriut ka rëndësi jetësore edhe për Kosovën, prandaj ne jemi shumë krenarë që bashkombasit tanë kanë qenë konstruktivë dhe kanë luajtur rol vendimtar në rrugën Euro-Atlantike të këtij shteti”, ka shkruar Veseli.