Mosmarrëveshja: Çka po i ndan në të vërtetë LDK-në me VV-në?

Periskopi.com Lajme

Që nga 19 korriku, Kosova mbeti pa qeveri të zgjedhur pasi që kryeministri Haradinaj ofroi dorëheqjen. Kjo bëri që të krijohej një ngërç politik i cili nuk do të zgjidhej as me zgjedhje.

Haradinaj, u dorëhoq pasi u ftua nga Gjykata Speciale si i dyshuar për krime lufte. Që nga ai moment, vendi automatikisht shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Zgjedhjet u mbajtën më datë 6 tetor 2019 dhe si parti e parë doli Lëvizja Vetëvendosje kurse e dyta doli Lidhja Demokratike e Kosovës.

Vetëvendosje kishte kandidat për kryeministër liderin e partisë, Albin Kurtin, ndërsa, LDK përdori ‘’armën’’ e fundit që e kishte për të dalë nga opozita, Vjosa Osmanin.

Megjithëse KQZ vazhdonte numërimet e rinumërimet e saj derisa NISMA Socialdemokrate kaloi pragun, LDK dhe LVV tashmë veçse kishin filluar takimet e grupeve punuese për definimin e marrëveshjes për koalicion.

Ani pse këto grupe zhvilluan gjashtë takime me njëra-tjetrën, në fund fare rezultuan sipas tyre si të suksesshme dhe që koalicioni mund të ndodhte dita-ditës.

Pas përfundimit të punës së grupeve punuese, topi kaloi tek lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i VV-së, Albin Kurti, shkruan Periskopi.

Mustafa dhe Kurti filluan takimet e tyre herë në shtëpi e herë në hotele për të arritur marrëveshje për koalicion qeverisës. Pas bisedimeve, Kurti deklaroi për media se pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ, këto dy parti do ta formonin qeverinë.

Dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, Kosova vazhdon të jetë pa qeverinë e re.

Takimi i datës 2 dhjetor u cilësua nga dy partitë si ditë e madhe ku do të nënshkruhej marrëveshja për koalicion. Por, Lidhja Demokratike e Kosovës ua prishi përllogaritjet në moment të fundit VV-së. LDK doli me kërkesë të veçantë ku e vuri mbi tryezë postin e presidentit. Kjo kërkesë nuk i pëlqeu aspak VV-së, dhe si përfundim, nga takimi dolën pa marrëveshje.

Ata thanë se kishin qenë të befasuar nga kjo kërkesë, edhe pse Periskopi kishte raportuar qysh në muajin korrik për një gjë të tillë.

Kaloi një javë pas takimit të fundit dhe VV nuk u bë  “e gjallë”, e në anën tjetër, LDK ishte gjithë sy e veshë e të gatshëm për ftesën e radhës nga VV.

Albin Kurti, pasi u kthye nga Berlini, sërish e thirri Mustafën në takim për t’i vazhduar diskutimet që i kishin lënë në gjysmë.

Takimi që zgjati disa orë, prapë rezultoi pa sukses. Madje, kësaj radhe VV veç sa shkonte duke u ftohur e LDK nuk hiqte dorë nga kërkesa e saj.

Në anën tjetër, nuk mungonin deklaratat boshe ‘’ U takuam për t’u dakorduar për tu takuar’’.

E gjatë ditës së djeshme, VV kishte mbledhur kryesinë e saj për të diskutuar rreth bisedimeve që i kanë zhvilluar me LDK-në, duke u munduar të krijonin idenë se në këtë parti vendoste edhe dikush tjetër, për ndonjë gjë, përveç liderit të saj. Ky i fundit, duhej të jepte dorëheqje sipas statutit të Vetëvendosjes si i pari i partisë sapo të bëhej kryeministër, por… e ndërroi statutin që t’i mbante të dyja pozitat.

Pas takimit foli deputetja Albulena Haxhiu e cila tha qartë se LDK duhet të heqë dorë nga barrikada (kërkesa për postin e presidentit) dhe duhet të tërhiqen nga deklaratat ku zyrtarë të LDK-së, shprehnin garancë se marrëveshja do të arrihet.

Në anën tjetër, të njëjtën gjë e bëri edhe LDK me kryesinë e saj. Pas takimit, foli zëdhënësi për media e njëherish edhe deputeti i ri i Kuvendit të Kosovës, Besian Mustafa.

Mustafa, vazhdimisht potenconte se LDK kërkon nga VV ‘’mirëkuptim dhe mirëbesim’’. Ndërsa, nuk komentoi fare deklaratën e Haxhiut ku kërkonte që të hiqeshin barrikadat.

Pastaj, Kurti dhe Mustafa të shoqëruar nga zyrtarë të partisë u takuan në ambientet e Kuvendit të Kosovës për t’i vazhduar bisedimet për arritjen e koalicionit. Ata ishin të mbyllur hermetikisht edhe për mediat.

Pas tri orësh pritje, Glauk Konjufca dhe Avdullah Hoti dolën para gazetarëve për të thënë se ende nuk është arritur marrëveshja, ndërsa Hoti tha deklaratën tashmë të famshme ‘’U dakorduam që të takohemi”.

Kujtojmë se në vitin 2017, koalicioni PANA ishte krijuar pas tre muajsh ngërçi ndërsa në vitin 2014 pas më shumë se pesë muajsh. Por, po në vitin 2015 ishte themeluar edhe koalicioni VLAN, vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit./PERISKOPI/Z.R/

A kanë arritur marrëveshje për koalicion Haradinaj e Ahmeti, flasin për Periskopin nga të dy partitë

Periskopi.com Lajme

Gjatë mëngjesit të sotëm në medie doli lajmi se PSD dhe AAK tashmë kanë arritur marrëveshje për koalicion dhe se kjo ka ndodhur gjatë mbrëmjes të së premtes, raporton Periskopi.

Të kontaktuar nga Periskopi anëtarë të AAK-së së Ramush Haradinajt dhe PSD-së së Shpend Ahmetit nuk kanë thënë së mbrëmë ka pasur takim, por nga PSD konfirmuan se të hënën do të merret një vendim për koalicion.

Nga Partia Socialdemokrate, zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi ka thënë se PSD-ja nuk ka ende marrëveshje zgjedhore me askënd.

“Aktualisht nuk ka kurrfarë marrëveshje zgjedhore me askënd. Ajo çka mund të them është se të hënën mbahet Këshilli Drejtues i PSD-së, ku do të diskutohet lidhur me çështjet zgjedhore. Natyrisht aty mund të merren edhe vendime, por nuk ka ende marrëveshje”, ka thënë Kuçi.

E pyetur nëse mbrëmë kishin takim strukturat e PSD-ës me ato të AAK-ës, ajo e mohoi një gjë të tillë.

“Jo nuk ka pasur takim me AAK-ën”, tha Kuçi.

Nënkryetarja e AAK-ës, Time Kadriaj tha se do ta mirëpriste një koalicion me partinë e Shpend Ahmetit.

“Mendoj se kjo do të duhej të diskutohej me kryesinë e partisë, nuk e kemi të konfirmume as na si nënkryetar kështu, por nëse ndodhë një gjë e tillë do të ishte një lajm i mirë”, tha Kadriaj.

E pyetur për takimin e mbrëmshëm, ajo tha se nuk e di se kush është takuar me PDS-ën.

“Nuk  kemi asgjë zyrtare. Nuk e kemi një informacion të tillë. Për të tilla çështje është i obliguar kryeministri Haradinaj, në momentin që arrihet marrëveshja ne do të njoftojmë publikisht”, tha Kadriaj për Periskopin.

Edhe Donika Kadaj-Bujupi tha se janë të hapur për një koalicion me PDS-ën.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e hapur për një koalicion parazgjedhor me PSD-ën dhe eventualisht subjekte të tjera, por jo me partitë e mëdha, me qëllim që të paraqitet program jonë i përbashkët që të dal Aleanca subjekti i parë politik në vend. Mendoj që një bashkëpunim me PSD-ën do të na bënte koalicion fitues”, tha Kadaj-Bujupi.