​​Nxirret nga rrënojat viktima e tretë pas shembjes së pallateve në Marsejë

Periskopi.com Lajme

Trupi i tretë i pajetë i një burri u gjet sot nën rrënojat e dy pallateve të vjetra, pas shembjes së tyre në qendër të Marsejës, njoftoi prokurori, Xavier Tarabeux.

Trupi i pajetë i një personi tjetër dhe i një gruaje u gjetën më parë nga forcat e shpëtimit nën rrënojat e godinave.

Në total, sipas autoriteteve deri në 9 persona rezultojnë ende të zhdukur pas shembjes së dy ndërtesave në qendër të Marsejës, bëri të ditur presidenti i rajonit të provincës Alpe-Kotë d’Azyr, Renaud Muselier, ndërsa kërkimet nën rrënoja vazhdojnë me intensitet të lartë, shkruan ATSH.

Mes të zhdukurve rezultojnë 7 banorë rezidentë dhe 2 kalimtarë.

Pavarësisht motit të keq operacionet e kërkimit për gjetjen e të mbijetuarve po vazhdojnë punën. Në vendngjarje është i pranishëm edhe ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner.