Hoxha i VV-së flet për herë të parë për shkrimtarin shqiptar që punoi për UDBA-n

Periskopi.com Lajme

Anëtari i njohur i Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, ka dhënë fjalën e tij për temën e nxehtë të Martin Camajt dhe Ernest Koliqi, pasi një studiues shqiptar rezulton të ketë dokumentuar lidhjet e të parit me UDBA-n famëkeqe ndërsa të të dytit me shërbime të tjera sekrete. 

Në fakt, fjala e z.Hoxha duket mjaft e dykuptimshme dhe mbrojtëse e veprimtarisë së Camajt e Koliqit, por edhe më tej, të Gjergj Fishtës – për të cilën është dokumentuar letra ku shpreh adhurimin për regjimin fashist.

“Duket se nuk kemi mësuar asgjë nga dështimi ideologjik i disa brezave. Asnjë empati, asnjë kërkim-falje. Presim të na kërkojnë falje nga cepi i vdekjes dhe braktisjes së tyre, Fishta, Camaj, Koliqi. Ata na e kanë përjetësisht fajin.” – shkruan z.Hoxha, përcjell Periskopi.

Martin Camaj dhe Ernest Koliqi për kohë të gjatë janë parë si ndër figurat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Ky i pari kishte marrë pjesë në famëkeqin Komitet i Prizrenit, që ishte i krijuar dhe udhëhequr nga UDBA jugosllave, shërbimi sekret përgjegjës për shumë të këqija ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Nuk dihet se nga kush konkretisht pret kërkim-falje z.Hoxha, duke qenë se amniston këto dy figura të letërsisë kombëtare.

Statusi i plotë: 

Regjimi stalinist thuhet se është rrëzuar në Shqipëri. Por çuditërisht po flitet për të njëjtët armiq. Para ca kohësh Fishta u shpall nazist, tani na dalin përsëri spiunët Koliqi e Camaj. Nuk i rehabilituam kurrë.
Ama, pa shqetësimin më të vogël pranuam azilin politik të Agron Tufës si dhe frazat staliniste me ndjekje deri në “skutat e minjve të armiqve të klasës”. Armiqtë e kombit janë nëpër gjithë piedestalet e mediave. Armiqtë e klasës duhet të shuhen.
Duket se nuk kemi mësuar asgjë nga dështimi ideologjik i disa brezave. Asnjë empati, asnjë kërkim falje. Presim të na kërkojnë falje nga cepi i vdekjes dhe braktisjes së tyre Fishta, Camaj, Koliqi. Ata na i kanë përjetësisht fajin. Ndërsa mizoria e këtushme është aq e lartë sa nuk mund të shpresojmë përballë saj asnjë gradë ndërgjegje. Është gjithnjë më e lehtë të gjykosh të drejtët se sadistët.