DnV: Në 7 % të vendvotimeve ka materiale propaganduese

Periskopi.com Lajme

Dita e zgjedhjeve, 6 tetor, ka nisur me vonesa në hapjen e 2.6 për qind të vendvotimeve, ndërsa në një vendvotim në Prizren procesi i votimit nuk ka filluar ende për shkak të mungesës së një komisioneri.

Në anën tjetër, në disa qendra të votimit ende ka materiale me përmbajtje propaganduese.

Kështu bëri të ditur drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, i cili në një konferencë për media tha se KQZ-ja është duke bërë punën e saj për zëvendësimin e komisionerit që mungon në vendvotimin që nuk ka nisur ende puna, e që është në qendrën “Ukshin Hoti” në Prizren.

Ndonëse heshtja zgjedhore ka filluar 24 orë më parë, ai tha se në disa qendra të votimit ende ka materiale me përmbajtje propaganduese ë subjekteve politike, teksa shtoi se në 30 për qind të qendrave të votimit nuk është mundësuar qasje për personat me aftësi të kufizuara.

Kryeziu tha se nga të gjithë komisionerët në nivel vendi ka 35 për qind pjesëmarrje të grave në komisione, e që sipas tij, është një lëvizje pozitive krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017-të kur kjo pjesëmarrje ishte 29 për qind.

Ai ftoi qytetarët që të dalin dhe të votojnë, për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për tu bërë pjesë e vendimmarrjes.