Nisma ka e gati kallëzimin penal për kontratën e Prizrenit rreth materialit mbrojtës

Periskopi.com Lajme

Dega e Nismës Socialdemokrate në Prizren ka bërë të ditur se do të paraqesë kallëzim penal në Prokurori kundër zyrtarëve të lartë komunalë për çështjen e kontratës së furnizimit me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi.

Ky subjekt opozitar pretendon se kryetari Mytaher Haskuka, drejtori i Shëndetësisë, Visar Shehu dhe shefi i Zyrës së Prokurimit, Isa Osmankaj në këtë lëndë të prokurimit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, shkruan KOHA.

“Të lartcekurit, në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Prizrenit duke i tejkaluar autorizimet ligjore dhe duke mos respektuar ligjin për prokurim publik, kanë nënshkruar një kontratë me çmimet për njësi që nuk janë në përputhje me çmimet e tregut, që përbën shkak të dyshimit të arsyeshëm për keqpërdorim të parasë publike. Me këtë veprim, dyshohet se të lartcekurit në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Prizrenit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, të sanksionuar në nenet 414 dhe 415, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e degës së NS-së. Aty theksohet se ky kallëzim penal do të dorëzohet të hënën në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Duke u bazuar në raportimet mediale, NS në arsyetimin e kallëzimit penal ka shkruar se kontrata në fjalë është nënshkruar me një operator ekonomik që në aktivitetet e saj ekonomike nuk i ka ato të produkteve mjekësore apo diçka të ngjashme, “gjë që vë dyshimin e arsyeshëm të keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga të lartcekurit gjatë negocimit të drejtpërdrejtë me këtë operator ekonomik”. Kësisoj subjekti opozitar ka vlerësuar si të nevojshme që Prokuroria t’i iniciojë hetimet, “në mënyrë që të sigurojë edhe provat e tjera në proces, që mund të jenë të nevojshme për ngritjen e aktakuzës”.

Shpërndahet materiali zgjedhor

Periskopi.com Lajme

Në mënyrë që procesi i votimit të shkojë mirë, KQZ-ja e ka nisë shpërndarjen e materialit zgjedhor.

Në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, kamioni që bartte materialin zgjedhor doli nga depoja e KQZ-së për të shpërndarë materialin zgjedhor për votimet e të dielës në 38 komunat e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, tashmë gjithçka është gati që nesër në ora 07:00 të fillojë procesi i votimit.