Ish-futbollisti i Dinamos tregon sekretet e Kroacisë: Lovren i fiksuar kundër gjithë botës

Periskopi.com Botërori 2018

“Perisiç volejbollist, Manxukiç perfeksionist dhe Lovren një i fiksuar kundër gjithë botës…”. Kështu i përshkruan Matko Djarmati, ish-futbollist i Dinamos, bashkatdhetarët e tij. Kush më mirë se një kroat i njeh yjet që drejton sot Daliçi?

Në një intervistë për ‘Panorama Sport’, Djarmati thotë se lojtari që e ka befasuar më shumë është Rebiç, ndërsa trajneri Daliç u dha leksion klaneve të forta pranë federatës kroate që nuk e donin në stolin e kombëtares.

A e kishit menduar se Kroacia do të shkonte deri në finale të Botërorit?

Unë e kam thënë edhe në të kaluarën se Kroacia, me grupin e lojtarëve që ka, minimalisht duhet të shkojë ndër tetë skuadrat më të mira. Fundja do të ishte një rezultat i mirë për një shtet si ne me katër milionë banorë. Personalisht, isha i kënaqur edhe me kaq, por me emocionet që kam përjetuar në ndeshjen me Anglinë nuk kam për t’i harruar kurrë. Nuk di si ta përshkruaj, ndaj jam i lumtur që Kroacia i tejkaloi parashikimet dhe na dhuroi kaq shumë lumturi. Ky është një rezultat shumë i madh, i pabesueshëm dhe mendoj se ishte legjitime festa më e madhe që u bë pas ndeshjes me Anglinë. Ishte delir total.

Si do ta përshkruanit ju Daliçin si trajner?

E bukura është se Zdravko Mamiç, ai zotëron Dinamon e Zagrebit, por që bën ligjin në futbollin kroat dhe ka ndikim të fortë në federatë, nuk e donte Daliçin në krye të stolit të Kombëtares. E megjithatë, Daliç ia doli të ulej aty mes shumë vështirësive dhe mbi të gjitha me një dyshim të madh rreth tij. Por, ai tregoi se është një trajner i thjeshtë, punëtor dhe shumë ‘ i zoti.

Sa mesazhe keni marrë nga Shqipëria?

Ishte e pabesueshme se sa shumë mesazhe kam marrë. Ishte fantastike. Kurrë në jetën time nuk e kisha menduar se shqiptarët janë vërtet kaq dashamirës dhe kaq tifozë të Kroacisë. Kam marrë me qindra mesazhe, nga të njohur dhe të panjohur që më uronin. Kjo ma bëri edhe më të veçantë mbrëmjen. U emocionova pa masë sepse telefoni nuk pushonte, ishte zjarr fare… Këtë do t’ua tregoj të gjithë miqve të mi kroatë, sepse e ndihem krenar që vendi im vlerësohet kaq shumë nga shqiptarët.

A njihni ndonjë nga lojtarët e Kroacisë dhe a keni ndonjërin prej tyre mik?

Personalisht nuk i njoh shumë nga afër, sepse me shumicën prej tyre kemi diferencë brezash. Njoh Vukojeviçin që është analisti i Kombëtares dhe pjesë e stafit. Njoh Dario Srnën që është gjithashtu pjesë e stafit. Nga lojtarët direkt njoh Modriçin, me të cilin kemi luajtur te moshat. Kam luajtur kundër Modriçit në ekipet e moshave dhe kundër Çorlukës.

Si është Modriçi jashtë fushës?

Është një djalë fantastik. Është i sinqertë dhe shumë i edukuar. Është gjithnjë me këmbët në tokë dhe punon më shumë se gjithë të tjerët në stërvitje. Më thonë që ende nuk ka ndryshuar as tani që është yll i Realit.

Po Manxukiç?

Disa miq të përbashkët më thonë vazhdimisht se është tip i çuditshëm.

Pse?

Është i pakënaqur gjatë gjithë kohës. Mund ta mbyllë ndeshjen me dy gola dhe prapë të thotë se duhej të kishte bërë “këtë” apo “atë” gjë më mirë. Perfeksionist nga natyra, por megjithëse duket shumë i vrazhdë, është njeri që i ka shumë qejf shakatë.

Kush janë humoristët e kombëtares?

Vrsajlko dhe Vida. Vrsajlko është më punëtori në stërvitje dhe ai që luan gjithnjë me intensitet të lartë, por ka humor dhe batutë. Njësoj edhe Vida… Më thonë që ata të dy mbajnë gjallë alegrinë në ekip.

Për kë tjetër keni informacion?

… (mendohet). Lovren për shembull më thonë se është paksa i kompleksuar. U kushton shumë vëmendje mediave dhe për pasojë mendon se gjithë bota është kundër tij. E kam vënë re që bën edhe postime kundër medias angleze, kundër anglezëve, ose poston fjali ku i kritikon të gjithë. Është super lojtar, por kur bën gabime, i bën shumë të rënda dhe e urren faktin që shpesh e kritikojnë për këtë gjë. Është paksa i mbyllur. Jo si Perisiçi…

Si është Perisiç?

Është moskokëçarës dhe i fiksuar pas volejbollit. Nuk rri dot pa luajtur volej në plazh (beach voley) dhe për këtë arsye ka pasur shpesh probleme tek Interi, të cilët i kërkojnë të mos e bëjë këtë sepse rrezikon shumë. Por më besoni që është shumë i talentuar, sepse e kam parë vetë. Është një volejbollist i shkëlqyer dhe ka marrë pjesë edhe në turne profesionistësh.

Kush ka qenë lojtari që ju ka surprizuar më shumë?

Rebiçi, pa dyshim. Askush nuk e priste të ishte kaq mirë në Botëror dhe kam përshtypjen se Bajerni nuk ka për t’ua lënë të tjerëve…

Sa shanse ka Kroacia që të fitojë Kupën e Botës?

Besoj se shanset janë 50- 50. Kisha më shumë frikë Belgjikën sesa Francën. Ata (belgët) kanë kundërsulme të frikshme dhe janë shumë të paparashikueshëm. Franca është më solide, më cinike, por jo aq e palexueshme sa Belgjika. Kanë yje, por jo aq ekspertë sa lojtarët tanë, sidomos në mesfushë.