Matoshi në Abu Dhabi kërkon përfshirjen e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar

Periskopi.com Lajme

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, me ftesë të Ministrit të Mjedisit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Thani Ahmed Al Zeyoudi, po merr pjesë në Konferencën përgatitore për Samitin e OKB-së për Klimën që do të mbahet në shtator në Nju Jork.

Siç njofton MMPH, në kuadër të zhvillimit të kësaj konference, ministri Matoshi ka takuar shumë lider botëror, në mesin e tyre Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe shumë ministra homolog të tij, me të cilët ka biseduar rreth marrëdhënieve nder shtetërore si dhe integrimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar në fushën e mjedisit.

Takimet e tilla sipas Matoshit e forcojnë pozicionin tonë si shtet në raport me shumë nisma globale që ndërlidhen me ndryshimet klimatike dhe mjedisin në përgjithësi.

Vizitën e tij në Abu Dhabi dhe pjesëmarrjen në konferencën ndërkombëtare për klimën, Matoshi e ka cilësuar si një mundësi shumë të mirë për lidhjen e urave të bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me vende të tjera, dhe për rrugën tonë drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Pas takimit mikpritës me ministrin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Thani Ahmed Al Zeyoudi, Matoshi ka ftuar atë në vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës si dhe kërkoi nga ai që EBA ta mbështesin Kosovën në sfidat tona të përbashkëta për klimë e mjedis më të mirë.

Ftesën e Matoshit, e ka pranuar ministri Thani Ahmed Al Zeyoudi dhe u zotua që do të mbështes Kosovën në rrugën e saj integruese.

 

Matoshi për Anton Çetën: Të mos identifikohemi me emra të veçantë, por me ngjarje të rëndësishme

Periskopi.com Lajme

Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, ka thënë se Anton Çeta meriton të gëzojë një vend meritor të tillë çfarë e ka pasur edhe në kohën kur ka jetuar.

Ai   ka thënë se vendi që ka kërkuar Këshilli Organizativ për ngritjen e shtatores për Anton Çetën është konsideruar i papërshtatshëm për shkak se është i vogël.

“Ne kemi hapur diskutimin nga viti 2005 për shtatoren e Anton Çetës. Kjo shtatore kemi kërkuar të vendoset në një shesh që do të quhej “Sheshi i Pajtimit – Anton Qeta”. Vendi që ka kërkuar Këshilli Organizativ është konsideruar i papërshtatshëm.”

“Kërkesa e Këshillit Organizativ do të kishte kuptim vetëm nëse edhe instituti do të mbante emrin e Anton Qetës, por një kërkesë e tillë nuk ka ardhur”, ka thënë Matoshi.

Matoshi ka thënë se respekti i Institutit Albanologjik është parë ndër vite.

“Instituti ka bërë gjithçka që ka qenë e mundur për Anton Çetën, i ka bërë disa ‘përmendore’ atij. Ne i kemi botuar katër vepra të profesor Anton Çetës, asnjë punonjësi tjetër nuk i kemi bërë këtë nder, me përjashtim që i kemi botuar një vepër Bajram Krasniqit”, ka deklaruar ai, përcjell Telegrafi.

Drejtori i Institutit Albanologjik ka thënë se ka një vendim që para këtij institucioni të mos vendoset asnjë shtatore e ndonjë personi të veçantë.

“Qendrimi që të mos ketë shtatore para Institutit Albanologjik por vetëm një obelisk nuk e nënkupton vetëm Anton Çetën, nënkupton të gjitha personalitetet, sepse ne kemi pesë degë të këtij instituti, dhe në secilën degë kemi nga dy-tri personalitete të shquara”.

Ai ka thënë se ka pasur kërkesa të ndryshme për të identifikuar Institutin Albanologjik me emra të veçantë.

“Kemi pas një kërkesë që institucioni të emërohet me emrin e Idriz Ajetit, por kërkesa jonë është që Instituti Albanologjik të mos identifikohet me emra të veçantë por me ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar”, ka deklaruar më tej Hysen Matoshi.