Qeveria e Kosovës hap dyqane të përkohshme në veri

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, si reagim ndaj mbylljes së dyqaneve në veri të Mitrovicës, të cilët e ndërmorën këtë veprim si reagim ndaj taksës 100 për qind për prodhimet e Serbisë, ka thënë se Qeveria e Kosovës mbron qytetarët në veri, duke hapur pikat shitëse në bashkëpunim me bizneset kosovare.

“Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e saj, pa dallim! Në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit në Republikën e Kosovës dhe pas konsultave me të gjitha institucionet përkatëse, kemi organizuar hapjen e pikave të përkohshme shitëse me pakicë në veriun e vendit. Ky aksion, i koordinuar dhe planifikuar, ka për qëllim ofrimin e të gjitha produkteve elementare për banorët e asaj ane”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tej, kreu i ekzekutivit të Kosovës ka thënë se sot, edhe njëherë u kemi dhënë përgjigjen institucionale të gjitha veprimeve të orkestruara nga Serbia, “përgjigje e cila vulos sovranitetin e vendit, solidaritetin qytetar, përgjegjësinë dhe kujdesin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“Asnjë qytetar i Kosovës nuk do të jetë viktimë e luftës speciale që orkestrohet nga agjentë të jashtëm. Kosova është shtet që ne e ndajmë bashkë si shoqëri”, ka përfunduar kryeministri Haradinaj.