Intervistimi i Maxhunit po bëhet me dyer të mbyllura

Periskopi.com Lajme

Ka filluar intervistimi i ish-drejtorit të Policisë, Shpend Maxhunit, para deputetëve, anëtarë të Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Me kërkesë të deputetit të AAK-së Muharrem Nitaj, u vendos që intervistimi të bëhet pa praninë e mediave.

Deputetët nuk kanë bërë të ditur për kohëzgjatjen e intervistimit. Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla ka thënë se  kjo varet nga përgjigjet që do të marrin.

Edhe herën e kaluar kur u morën në pyetje disa policë,  gazetarët nuk janë lënë brenda.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq pa asnjë procedurë ka ndodhur në mars të këtij viti, në kohën kur Shpend Maxhuni ka qenë drejtor i Policisë.

Ai është emëruar drejtor i AKI-së pas shkarkimit të Driton Gashit nga kjo pozitë pikërisht në lidhje me këtë rast.