KQZ pa vendim për votat e mërgatës që kanë ardhur me vonesë

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me mbi 4 mijë dërgesat që kanë arritur pas afatit ligjor nga mërgata. Në mbledhjen e sotme, KQZ nuk ka marrë vendim as për mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia që janë dorëzuar fizikisht dhe jo përmes postës.

Në këtë mbledhje të KQZ-së, Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit të Votuesve, tha se 4 mijë e 500 dërgesa postare që kanë arritur pas afatit përfundimtar janë futur në posta të ndryshme ndërkombëtare për nisje në Kosovë në datat 19, 20, 23 e 30 shtator.

“Kemi tërhequr nga posta numër 6 rreth 4 mijë 500 dërgesa postare të cilat kanë arritur pas afatit përfundimtar siç është ka qenë data 5 tetor. Do të thotë ne gjatë verifikimit të këtyre zarfeve dhe numërimit të tyre kemi vërejtur se këto zarfe janë futur në postat e ndryshme ndërkombëtare për nisjen në Kosovë e të cilat përmbajnë datat 19, 20, 23, 25 e deri me 30 shtator. Ky është një raport preliminar që e shpjegon mënyrën e pranimit dhe procesin e vlerësimit të zarfeve që përmbajnë fletëvotimet e që janë dërguar nga votuesit jashtë Kosovës”, tha ai.

Sa i përket votave të arritura nga Serbia, Buzhala tha se janë 3 mijë e 782 zarfe me fletëvotime të cilat janë dërguar fizikisht në postën numër 6. Ai tha se gjatë verifikimit në 150 zarfe është vërejtur se zarfi dërgues është i njëjtë për të gjitha.

“Nga Serbia kanë arritur 3 mijë e 782 zarfe të supozuara me fletëvotime, të cilat janë dërguar fizikisht në postën numër 6 në rrugën Agim Ramadani në Prishtinë. Për më shumë, këto zarfe të dërguara fizikisht ne i kemi paraqitur në tabelën numër 1, ku do të thotë që tabela që përmban më së paku zarfe me fletëvotime një paketë përmban 157 zarfe brenda, ndërsa paketa më e lartë përmban 238 zarfe me fletëvotime brenda. Gjithashtu, në pjesë të këtij raporti është tabela numër 1, ku fizikisht do të thotë kanë arritur në postën numër 6, 19 paketa me zarfe me fletëvotime që në total do të thotë zarfe të individualizuara janë 3 mijë e 782. Në pjesë të këtij raporti në faqen numër 3 e gjeni imazhin që ilustron se si janë dorëzuar këto paketa në postën numër 6. Gjithashtu, gjatë procesit të vlerësimit ne i kemi hapur 150 zarfe të individualizuara që na kanë arritur nga Serbia, ku kemi vërejtur se këto 150 zarfe, zarfi dërgues është pothuajse identik, është format A5 ngjyrë të bardhë, ndërsa zarfet e fshehtësisë brenda që kanë zarfe dërguese gjithashtu në 150 raste janë zarfe sa gjysma e formatit A5 që përmbajnë të njëjtën ngjyrë”, tha ai.

Më të zëshmit nga anëtarët e KQZ-së që të procesohen si të rregullta 4 mijë e 500 dërgesat postare të diasporës kanë qenë ata nga Vetëvendosja.

Anëtari i VV-së në KQZ, Adnan Rrustemi, ka propozuar që këto 4 mijë e 500 zarfe të pranohen si të rregullta në kuptimin e pranimit të tyre.

Në arsyetimin e tij, ai tha se në aspektin operacional nuk ka asnjë pengesë që të procedohen si të rregullta pasi operacioni nuk ka përfunduar ende dhe është duke vazhduar vlerësimi i pakove të fletëvotimeve të dërguara nga mërgata.

Rrustemi u shpreh se votat e mërgatës duhet të pranohen, ndërsa votat nga Serbia të hetohen.

“Kjo pjesa e ardhur nga Serbia ndalohet në mekanizmin e ardhjes, 4 mijë e 500 dërgesat nga mërgata nuk e kanë këtë problem, nuk e kanë këtë problem. Thjeshtë janë të vonuara për arsye objektive, e ne nuk kemi asnjë pengesë me i procedua. Unë seriozisht jam në KQZ prej 2009, unë aktualisht nuk e kam të qartë dhe nuk po më bindë kurrkush, me ma jep një përgjigje pse nuk bënë me i pranua, cili është impakti operacional dhe procedural mos me i pranua 4 mijë e 500 zarfet nga mërgata…Në rastin e dërgesave nga Serbia, nuk ka të bëjë me paligjshmëri, ka dy elemente kjo, le ta themi troç, këto dërgesa janë të kundërligjshme nga mënyra se si janë sjellë në Kosovë dhe janë me elemente të keqpërdorimit të zgjedhjeve për nga përmbajtja e tyre”, u shpreh ai.

Kurse, anëtari i Listës Serbe në KQZ, Stevan Veselinoviq, tha se po përmenden votat me postë nga Serbia si pretekst për t’i anuluar ato.

Ai tha se gjithçka ka qenë në rregull sa i përket votave të ardhura nga Serbia dhe se nuk sheh ndonjë arsye që këto vota të refuzohen.

“Gjithmonë përmendim ligjin kur janë në pyetje votat nga Serbia, pyes cili ligj është thyer. Në ligj përmendet, votat që kanë ardhur përmes postës, ekziston vula postare dhe kanë ardhur me postë. Tash është në pyetje çfarë ju dëshironi të bëni me këto vota, por nëse thirreni në ligj, atëherë sqarojeni. Ekziston marrëveshja e Brukselit dhe zotëri Paviceviq ka të drejtë në qasje të postës diplomatike. Të gjithë e dini se posta teknikisht nuk ka bashkëpunim me postën e Serbisë dhe kjo është mënyra e vetme që këto vota të sillen nga Serbia. Të gjithë këta votues jashtë Kosovës janë të regjistruar dhe tani dëshironi t’ua mohoni të drejtën 3782 votuesve dhe kjo është drejtpërdrejtë kundër komunitetit serb. Thoni qartë, nuk i duam më votat me postë nga Serbia, kjo është diçka tjetër, por nëse thirreni në ligjin, atëherë respektojeni, sepse në këtë ligj askund nuk qëndron ndonjë arsye që këto vota tà « refuzohen”, tha ai.

Ndërsa për deklarimet e anëtarëve të KQZ se këto vota nga Serbia janë të fabrikuara, Veselinoviq tha se kushdo që ka fakte dhe arrin të konfirmojë diçka të tillë duhet t’i drejtohet organeve kompetente.

Në anën tjetër, anëtari i LDK-së dhe ai i PDK-së në KQZ kanë kërkuar që në të dyja rastet të respektohet ligji.

Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, tha se duhet të respektohet ligji në të dyja rastet, pasi sipas tij, në bazë të procedurave të dyja rastet janë të jashtëligjshme.

“Në bazë të procedurave dhe të ligjit të dyja janë të jashtëligjshme, tash emocionalisht mund të flasim qysh të duam. Ne kemi marrë një qëndrim, po flas për pjesën e parë që foli Adnani, po kanë ndodhur edhe herëve të tjera po e kemi marrë një konkluzion që një herë dhe do të vendosim standard që do ta zbatojmë ligjin, në ligj është e përcaktuar 24 orë para ditës së votimit, janë të ligjshme ato që mbërrijnë deri në atë moment. Unë ndjejë keqardhje për ata njerëz, por është një ligj…Votat nga Serbia, totalisht jashtëligjshëm kanë ardhur, lidhje me ligjin nuk ka, ligji thotë duhet të vijnë me postë, ka qenë një përfaqësues i zyrës ndërlidhëse, Policia e ka obligim me e përcjellë…Njësia duhet ta zbatojë ligjin përpikërisht në të dyja rastet, po janë afate dhe është ligj, kemi bërë lëshime. ”, tha ai.

Ai tha se votat që vijnë duhet ta kenë vulën nga janë nisur, derisa thekoi se dërgesat e ardhura nga Serbia sipas tij janë të fabrikuara.

Respektim të ligjit ka kërkuar edhe anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, i cili tha se ligji e thotë qartë mënyrën dhe procesin se si zhvillohet votimi nga diaspora.

“Unë mendoj që ligji e thotë qartë mënyrën dhe procesin se si zhvillohet votimi nga diaspora dhe kur vijnë votat, kur nisen. Ne dhe unë personalisht nuk jam i interesuar për kurrfarë vendimmarrje e cila bie ndesh me ligjin, përkatësisht nenin 96 pika 2 të ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullës 3, 4 dhe 5 të këtij institucioni. Në harmoni me këto konsideroj që duhet të jetë edhe konkluzioni jonë dhe jo vendimi jonë që njësia përkatëse duhet t’i respektojë edhe ligjin edhe rregullat, në mënyrë që pastaj të procedojë gjithçka që është në përputhshmëri me këto”, tha ai.

Gashi ka pasur një kërkesë që votat të cilat vijnë nga Finlanda të mos i trajtojnë pa prezencën e Prokurorisë, kjo kërkesë tha se ka të bëjë me publikimin e disa videove nëpër rrjete sociale.

Anëtarët e komisionit kanë kërkuar nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, që të jap një qëndrim sa i përket të dyja rasteve, ku ajo u shpreh se pret që njësia për shërbim të votuesve ta zbatojë ligjin në fuqi.

“Është një ligj mbi zgjedhjet e përgjithshme, kryetarja nuk ka mbetur pa përgjigje, kryetarja e ka ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, i cili është në zbatim dhe i cili është zbatuar deri më sot. Unë pres nga njësia për shërbim të votuesve që ta zbatojë ligjin në fuqi, mos të përdorë standarde të dyfishta për askënd, por ta zbatojë ligjin njësojë për të gjitha votat që kanë ardhur, qysh e kemi zbatuar në këto zgjedhje ligjin për çdo çështje edhe për këto zarfe, të shqyrtohet ligjshmëria e tyre dhe pastaj të vendoset se a janë të pranueshme apo jo”, u shpreh ajo.

Ajo ka kërkuar që ndaj njësisë së shërbimit të votuesve të mos ushtrohet presion as partiak as medial.

Në këtë mbledhje të KQZ-së ka raportuar koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, i cili bëri të ditur se është duke vazhduar procesi i rinumërimit të vendvotimeve. Ai u shpreh se deri ditën e djeshme janë rinumëruar 95 vendvotime nga gjithsej 113 sa është numri që QKZ ka vendosur të rinumërohen.

“Në QNR është duke vazhduar procesi i rinumërimit të vendvotimeve nga vendimi i KQZ-së. Deri më datën 11 tetor janë rinumëruar 95 vendvotime dhe jemi në procesin e rinumërimit të vendvotimeve tjera. Sa i përket votave me kusht, në mëngjesin e sotëm sipas procedurave kemi vazhduar me procesin e vendosjes së numrave të zarfeve të fletëvotimeve me kusht, në mënyrë që votat me kusht të kalojnë në hapësirën e futjes së të dhënave që të regjistrohen në bazën e të dhënave”, tha ai.

Sa i përket futjes së të dhënave nga formularët e rezultateve për votat për subjektet dhe për kandidatët, Ahmetaj bëri të ditur se në bazën e të dhënave deri tani janë procesuar 70.37 përqind të votave për subjektet. Ndërsa të votat e kandidatëve ai tha se janë procesuar 50.45 përqind.