Mustafa për përbërjen e listës së LDK’së: S’kemi ardhacakë

Periskopi.com Lajme

Një ditë pas dorëzimit të listave me emrat e atyre që do të garojnë për deputetë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, ka reaguar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke thënë se renditja e emrave në atë listë është bërë sipas meritave dhe nëse do të kishte mundësi për të gjithë do të vendoste një numër.

Ndër të tjera Mustafa ka thënë se në listën për deputetë të partisë së tij nuk ka të atillë që kreu i LDK’së i cilëson si ‘ardhacak’.

Shkrimi i plotë:

Lista e LDK-së për deputetë përfaqëson identitetin dhe vlerat e Kosovës

Veprimtare e veprimtarë me dije dhe profesione, të respektuar në mjedisin ku jetojnë për punën dhe sjelljen e tyre. Është kjo cilësi themelore e të gjithëve.

Renditja nuk është kriter i vlerës dhe meritës. Po të ishte e mundur të gjithë do të kishin një numër, në rrafsh me prijësen e listës dhe kandidaten për Kryeministre, Vjosa Osmani.

LDK ka njerëz me të cilët do të qeveris me standarde evropiane të dijes e me përgjegjësi e ndërgjegje familjare e ligjore. Lista jonë siguron që ligjet në të ardhmen të mos aprovohen në Parlament nga ata që kanë probleme me shtetin ligjor.

Lista reflekton një diversitet specifik: akademikë, profesorë universitar, kuadro të shquara të kulturës, të biznesit, ministre dhe ministra të suksesshëm, mësues, drejtues shkollash e biznesesh, inxhinierë, juristë, ekonomistë, mjekë… Të gjithë të përkushtuar, në rend të parë, për shtetin e Kosovës – KOSOVACENTRIZMIN. Të përcaktuar që Kosova të forcohet ekonomikisht, kulturalisht dhe ndërkombëtarisht, pa ia prekur askush kufijtë, shtetësinë dhe simbolet e saj. Ta ndërtojmë një Kosovë evropiane, në miqësi të përhershme me SHBA-të, ashtu siç e predikonte Presidenti ynë i Parë, dr. Ibrahim Rugova.

Lista e LDK-së nuk është listë e ardhacakëve të ditëve të fundit nga partitë e tjera ose sferat sociale. Është listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e LDK-së. Ata që e kishin mendjen na u bashkëngjiten në procesin e zgjedhjeve të brendshme partiake. Lista përfaqëson kandidatët që janë propozuar nga çdo cep i Kosovës, të cilët kanë marrë parkrahjen e të gjitha organeve të LDK-së, atyre lokale dhe qendrore. Prandaj ne garantojmë para qytetarëve për çdonjërin që e kemi në listë se është i yni. Ndërkaq qytetarët vendosin për vlerat tona dhe vlerat e çdonjërit veç e veç! E LDK iu beson qytetarëve të Kosovës, e bindur se kemi vetëm një atdhe dhe vetëm një popull që vendos për te! IM

 

Ambasadori britanik: FSK e ndërtuar në meritë dhe profesionalizëm

Periskopi.com Lajme

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, ku është biseduar për progresin e arritur në zbatimin e planit gjithëpërfshirës së tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përkrahjen e pa rezervë që ka dhënë dhe po jep Mbretëria e Bashkuar në shkollimin dhe stërvitjen e pjesëtarëve të FSK-së.

Në takim ministri e falënderoi ambasadorin për kontributin e tij të veçantë në thellimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ai e cilësoi ambasadorin O’Connell si mik të madh të Republikës së Kosovës, i cili do të na mungojë të gjithëve.

“Në takim u bisedua edhe për progresin e arritur në zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës së Tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përkrahjen e pa rezervë që ka dhënë dhe po jep Mbretëria e Bashkuar në shkollimin dhe stërvitjen e pjesëtarëve të FSK-së. Me theks të veçantë u diskutua suksesi i kadetëve tanë gjatë shkollimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe vende tjera. Ata i kanë përfaqësuar më së miri vlerat që kultivon FSK-ja si një Forcë profesionale, multietnike dhe kredibile”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ambasadori O’Connell e falënderoi Ministrin për bashkëpunimin e deritashëm dhe nënvizoi se FSK-ja është një prej sukseseve të Kosovës pas luftës. Ai shtoi se FSK-ja është ndërtuar si institucion duke u bazuar në meritë dhe profesionalizëm. Ambasadori gjithashtu e rikonfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për ta vazhduar përkrahjen ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ministri Berisha edhe një herë shprehu gatishmërinë që FSK-ja, edhe me kapacitetet e tanishme, të kontribuojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, gjithashtu edhe si pjesë e kontingjenteve të partneriteteve strategjikë, siç është Mbretëria e Bashkuar, në misionet paqeruajtëse në botë.

 

 

 

 

 

 

Krasniqi: Kushdo që ka dhënë kontribut në PDK e ka vendin e merituar për të ardhmen e partisë

Periskopi.com Lajme

Memli Krasniqi thotë se gjithë njerëzit që kanë dhënë kontribut brenda PDK-së janë vlera dhe si të tillë e kanë edhe meritën, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e PDK-së.       

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi thotë për KosovaPress se gjitha vendimet e kryetarit Kadri Veseli për reforma brenda partisë e kanë përkrahjen e tyre, derisa i mohon zërat për probleme të brendshme duke i cilësuar si tendenca të qëllimshme për t’i dëmtuar.

“Tendenca për me shkaktuar keqkuptime ose me shkaktuar situata të paqena brenda PDK-së është tendencë  e dështuar. Fakti që parti tjera kanë probleme të tyre të brendshme dhe me u mundu me relativizu si problemin në gjitha partitë nuk ekziston. Njerëzit që kanë dhënë kontribut brenda PDK-së janë vlera të PDK-së dhe si të tillë e kanë edhe meritën edhe përgjegjësin jo vetëm për të kaluarën, por të sotmen dhe të ardhmen e PDK-së. Kontributi ynë brenda PDK-së është i përbashkët. Nuk ka ekskluzivitet në këtë çështje ne gjithë bashkë jemi pjesëmarrës në ngritjen e PDK-së dhe të ardhëm e saj padyshim. Unë besoj që asnjë mënyrë nuk ka probleme brenda PDK-së gjë që është e verifikueshme”, thotë Krasniqi.

Këtë veprim të kryetarit të PDK-së e sheh të vështirë, drejtori i Institutin të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, i cili thotë se ky hap i Veselit ka hasur qysh në fillim në rezistencë të madhe nga ata që konsiderohen të fuqishmit e partisë.