Krasniqi: PDK-ja dallon nga tjerët sepse të paktën pranon gabimet

Periskopi.com Lajme

Memli Krasniqi, nënkryetar i PDK-së, ka thënë se partia e tij dallon nga të tjerët për shkak se nuk i mohon gabimet që kanë ndodhur në qeverisje.

Në Interaktiv të KTV-së, Krasniqi ka thënë se PDK-ja në zgjedhjet e 6 tetorit hyn me listë të pastër dhe se si parti tashmë është e reformuar.

“Besoj se qytetarët e Kosovës, përkundër hezitimeve që mund t’i kenë, e kuptojnë dhe e pranojnë që PDK-ja gjatë periudhës së saj qeverisëse, veçanërisht kur ka udhëhequr qeverinë, ka arritur suksese dhe rezultate të prekshme. Ka realizuar shumicën e premtimeve. Por asnjëherë s’e kemi mohuar se ka pasur gabime në këtë periudhë. Nëse ka dallim me partitë tjera është se ne kemi pranuar devijimet që kanë mundur të ndodhin, problemet që kanë mundur të jenë si pasojë e njerëzve të caktuar. Kjo është arsye pse ne paraprakisht në procesin tonë të brendshëm, e kemi quajtur Dekada e Re sepse në të vërtetë është dekadë e re për PDK-në. Duam t’u themi qytetarëve se ai dhjetëvjeçar ka përfunduar dhe kemi konsideruar se dekada e ardhshme duhet ta gjejë PDK-në të rinovuar, të reformuar. E kemi arritur këtë. Nëse e shihni listën zgjedhore të PDK-së, që jam i bindur se është më e mira, kemi 68 kandidatë që garojnë për herë të parë”, ka thënë ai.

Se “ku ishin deri tash për të luftuar korrupsionin”, Krasniqi ka thënë se kësaj pyetje i përgjigjet me një kundërpyetje.

“S’ia mohoj askujt të drejtën të bëjë pyetje kështu, sidomos neve që kemi pasur vazhdimësi në qeverisje në 12 vjetët e fundit. Kohëzgjatja jonë në qeverisje është e njëjtë me të LDK-së. Po aq vite ka qenë LDK-ja në pushtet. Por sidoqoftë, pyetja është e drejtë legjitime. Unë do të bëja kundërpyetje. Pse jo tash? E nëse jo tash, kur? Ne ia kemi bërë pyetjen vetes: nëse ne jo, kush? Në garë ka parti që s’kanë as guximin as mundësinë e as vullnetin që të bëhen pjesë e luftës së tillë. Kjo s’është luftë me vetveten. Ne bëjmë shembull nga vetvetja. Para se të kishte dikush ide për zgjedhje ne patëm prioritet për luftën anti-korrupsion, dhe Kadri Veseli, pasi mori mandatin e parë zyrtar të plotë si kryetar partie, vendosi të largojë ata që kanë aktakuza për vepra të caktuara”, ka shtuar ai.