Intervista e Kosovare Asllanit me “The Guardian”: 30 mijë njerëz erdhën të festojnë me ne

Periskopi.com Sporti

Mesfushorja Kosovare Asllani e dha një intervistë për “The Guardian”, ku diskutoi për mënyrën se si Suedia u “çmend” pas Kupës së Botës së vajzave dhe pse fitorja kundër Anglisë për medalje të bronztë nuk ishte e pakuptimtë.

Kosovare Asllani e Suedisë e ka një mendim plotësisht të ndryshëm me trajnerin e Anglisë, Phill Neville, për ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Botës. Neville e quajti atë ndeshje të pakuptimtë, por bashkëkombësit e Asllanit pajtohen me mesfushoren e tyre. Kur ekipi kombëtar i Suedisë u kthye në shtëpi pas fitores kundër Anglisë, që ua siguroi medaljen e bronztë, ato u pritën nga 30 mijë tifozë në Gothenburg.

“Kjo është një shenjë që kombi është krenar me ne”, thotë Asllani, Mesfushorja e cila i shënoi golat e parë të skuadrës së saj në ndeshjet kundër Kilit dhe Anglisë. Pritja e mrekullueshme erdhi si befasi e veçantë për skuadrën që nuk ishte e vetëdijshme për famën që e kishin fituar në shtëpi për shkak të sukseseve të tyre.

“Është gjithmonë e vështirë ta dish këtë sepse ti je pak a shumë në botën tënde”, thotë Asllani. “Ti vetëm përgatitesh për stërvitjen tjetër, për ndeshjen tjetër. Natyrisht kemi dëgjuar pak se njerëzit janë duke u çmendur në Suedi dhe se po i shikojnë ndeshjet tona në çdo bar të sportit dhe nëpër sheshe dhe e ndienim se i gjithë vendi është prapa nesh. E patëm kryeministrin në dy ndeshjet tona, erdhi edhe princi”.

Kjo rrethanë është e ngjashme për pothuajse çdo sportiste në Kupën e Botës: nevoja për të frymëzuar dhe për ta shtyrë sportin e tyre përpara. Por, përderisa medalja e bronztë e nxiti këtë rritje në Suedi, dhimbja e dështimit në gjysmëfinale kundër Norvegjisë nuk u la në harresë.

“Mendoj se mund ta kishim fituar atë ndeshjes; e goditëm shtyllën e portës në dy apo tri raste”, u shpreh 29-vjeçarja. “Nëse e krahasoj skuadrën tonë me të tyre, ne nuk jemi larg tyre. Dua të them, mendoj se mund të garojmë me ato”.

“Është një ndjenjë e çuditshme sepse është e tmerrshme të humbasësh në një gjysmëfinale. Ti gjithmonë ëndërrosh të luash në ndeshjet e mëdha. Por, ne jemi një skuadër që përmirësohet gjatë gjithë kohës, kështu që mundësitë janë që ne të jemi në nivelin më të lartë sërish për Kupën e ardhshme të Botës ose Lojërat Olimpike vitin tjetër”.

“Ndjenja e parë është zhgënjimi, ndjenja e radhës është hakmarrja. Ti mezi e pret një ndeshje kundër tyre në turneun e ardhshëm, që është në Lojërat Olimpike”.

Mentaliteti fitues i Asllanit kuptohet nga përgjigja e saj ndaj deklaratës së trajnerit të Anglisë se rezultati i ndeshjes për vend të tretë nuk kishte kuptim.

“Çdo ndeshje është e rëndësishme”, thotë ajo. “Kështu që është habitëse të dëgjosh diçka të tillë. Nëse trajneri im do të thoshte diçka të tillë, unë do të isha e habitur”.

“Mendoj se nëse përfundon në pozitën e katërt, kjo pozita më e keqe që mund ta marrësh. Dua të them, ke shkuar aq afër një medaljeje. Nëse ne do ta kishim humbur atë ndeshje të fundit, do ta kisha një ndjenjë plotësisht të ndryshme tani sepse do të ndihesha sikur gjithçka që kemi bërë deri në ato tani s’do të kishte rëndësi”.

Asllani, teknika dhe aftësia e së cilës ishte zemra e sukseseve të vendit të saj, shpreson se medalja e bronztë mund të ketë një katalizator për futbollin në Suedi.

“Mendoj se e kemi frymëzuar gjeneratën e ardhshme në Suedi – jo vetëm vajzat, por edhe djemtë. Para kësaj Kupe së Botës, unë e dija se do të ishte turneu më i madh. Kur vjen fjala te marketingu dhe gjithçka, kjo është historike”.

“Mendoj se e kemi arritur një audiencë plotësisht të re në Suedi. Me të vërtetë ndiej se e gjithë Suedia është prapa nesh. Dua të them, dy milionë e gjysmë njerëz e përcollën gjysmëfinalen tonë dhe ne i kemi vetëm nëntë apo dhjetë milionë njerëz në Suedi – ky është një numër i madh për futbollin e vajzave”.

Asllani është përfaqësuesja kryesore për komunitetin e emigrantëve në Suedi për shkak të prindërve të saj kosovarë. Ajo ka luajtur dy herë në Lojërat Olimpike (Londër 2013 dhe Rio 2016).