Serbi: 15 të vdekur dhe 159 raste të reja nga pickimi i mushkonjave

Periskopi.com Lajme

Deri më 21 gusht, Serbia ka regjistruar 15 raste të vdekjes dhe 159 raste të etheve të Nilit Perëndimor, thuhet në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik serb.

Numri i vdekjeve është rritur për katër krahasuar me raportin e mëparshëm.

Rastet e Nilit Perëndimor janë raportuar në rrethin e Baçkës Jugore (29), Banatin Jugor (26), në Bregun Perëndimor (gjashtë), etj.

Ethet e Nilit Perëndimor janë një sëmundje virale që transmetohen përmes mushkonjave të infektuara.

Një i vdekur dhe tre të infektuar në Kosovë nga virusi që e shkaktojnë mickojat

Periskopi.com Lajme

Tre qytetarë këtë vit janë infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor, një prej të cilëve edhe ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Prishtinë. Ky virus po përcillet nëpërmjet thumbimit të mushkonjave të infektuara, të cilat ushqehen me gjakun e kuajve, si dhe të zogjve të ngordhur. Infektimi nga ky virus konsiderohet i rrezikshëm pasi në shumicën e rasteve ai mund të jetë pa simptoma, mirëpo mund të jetë fatal për qytetarët e veçanërisht për personat më të moshuar, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Era Pireva, zyrtare për Informim në Institutin Kombëtar për Shëndetësi Publike në Kosovë (IKSHPK), ka thënë për gazetën “Zëri” se deri më tani tre persona në Kosovë janë të prekur nga virusi i Nilit Perëndimor, ku njëri prej tyre edhe ka ndërruar jetë. Sipas saj, edhe vitin e kaluar ka pasur qytetarë të cilët kanë qenë të prekur me këtë virus. “Aktualisht nga ky virus janë prekur tre persona, prej të cilëve njëri ka ndërruar jetë, njëri është trajtuar dhe më pas është liruar në shtëpi, ndërsa një person është duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Sa i përket vitit 2017 kanë qenë gjithsej dy persona të diagnostikuar, me virusin e Nilit Perëndimor”, ka thënë ajo.

Sipas saj, IKSHPK-ja është e përgatitur të bëjë diagnostikimin e sëmundjes dhe të përcjellë situatën epidemiologjike. “Rreziku nga virusi i Nilit është i mundshëm në rast se njerëzit pickohen nga mushkonjat që bartin virusin e sëmundjes së Nilit Perëndimor. Aktualisht, pickimet nuk janë në numër të madh, në bazë të frekuencës së paraqitjes së personave në institucionet shëndetësore”, ka thënë ajo.