Gjukanoviq akuzon Serbinë dhe Rusinë se po provojnë ta shkatërrojnë Malin e Zi

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Malit të Zi ka akuzuar Serbinë dhe Rusinë për shfrytëzim të Kishës ortodokse serbe për të minuar qeverinë pro-Perëndimore të vendit të tij derisa e njëjta kërkon anëtarësimin në BE.

Millo Gjukanoviq tha se një sërë tubimesh kundër një ligji të feve të cilat kanë qenë të udhëhequra nga klerikë ortodoksë serbë në vendin ballkanik kishin për qëllim “të vënin në pikëpyetje pavarësinë e Malit të Zi”.

Mitropoliti Ilarion, klerik i Kishës ortodokse ruse, ka ngritur zërin për mbështetje ndaj interesave të Kishës ortodokse serbe në Mal të Zi. Mitropoliti Onufriy, kreu i Kishës ortodokse ukrainase, besnik i patriarkatit të Moskës, u është bashkuar protestave këtë javë në Podgoricë.

“Nëse po pyesni nëse kjo është një vazhdimësi e shkatërrimit (të mbetur në tentativë) të Malit të Zi dhe pengimit të qëllimeve të tij për të vazhduar rrugën drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike, nuk ka dyshim për këtë”, tha Gjukanoviqi në një intervistë dhënë Reutersit, transmeton Koha.net.

“Moska ishte e qartë në shprehjen e interesave të saj për problemin e vazhdueshëm (për fe) në Mal të Zi”.

Gjukanoviqi akuzoi Beogradin për ringjalljen e konceptit nacionalist për Serbi të Madhe që kontribuoi në luftërat ballkanike të viteve të ’90-ta dhe kolapsin e ish-Jugosllavisë.

“S’kemi asnjë dyshim se… të gjithë mekanizmat e implementimit të projektit shtetëror për Serbinë e Madhe… janë vënë në lëvizje, dhe se Mali i Zi është po ashtu cak”, tha ai.

Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme ruse, ka hedhur poshtë deklarimet e Gjukanoviqit, duke thënë se “askush s’mund t’i minojë veprimet e veta më shumë se vetë ai/ajo”.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, i mohoi komentet e Gjukanoviqit. Duke iu referuar protestave që vendi me 620 mijë banorë është përballur, ajo tha se ai (Gjukanoviqi) “ka një problem në vendin e tij dhe me qytetarët e Malit të Zi”.

“Jam e befasuar me retorikën e presidentit Gjukanoviq… Serbia ka hequr dorë nga të ’90-tat moti kohë dhe është kthyer kah e ardhmja”, tha Bërnabiqi, duke shtuar se Serbia po kërkon vetëm të drejtën për gjuhën dhe besimin e serbëve në Mal të Zi.

Ambiciet e BE-së

Protestat që nisën në dhjetor kanë të bëjnë me një ligj që do t’i lejojë shtetit të marrë nën pronësi pronat kishtare nëse kisha s’mund të provojë se i ka pasur nën pronësi para vitit 1918 – kur Mbretëria e atëhershme e Malit të Zi iu bashkua Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, paraardhës të Jugosllavisë.

Kisha ortodokse serbe është besimi dominues në Mal të Zi, vend me 620,000 banorë, dhe ka rreth 12 milionë pjesëtarë, kryesisht në Serbi, Mal të Zi e Bosnje.

Serbia dhe Mali i Zi që të dyja po negociojnë hyrjen në BE. Mali i Zi ka hyrë në NATO më 2017, por Beogradi nuk synon anëtarësim në aleancën mbrojtëse.

Serbët etnikë përbëjnë rreth një të tretën të popullsisë së Malit të Zi. Shumë serbë kanë prejardhje në Mal të Zi dhe familje në vend, ndërsa dhjetëra mijëra malazezë jetojnë në Serbi.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi nuk do të ndërhyjë në çështjet e Malit të Zi, por ka thënë gjithashtu se Serbia do të ndihmojë pakicën serbe atje.

“Serbia po nxiton drejt një gracke të rrezikshme të mbrojtjes së të drejtave të supozuara të rrezikuara të (pakicës) serbe … ndërsa rrezikon sovranitetin e shteteve tjera”, tha Gjukanoviqi.

 

Gjukanoviq nuk i komenton deklaratat e Irinej i cili ia kërkoi çnjohjën e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha se nuk do t’i komentojë “pritjet” e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, që Mali i Zi të tërheqë njohjen e Kosovës.

“Mali i Zi ka politikë të jashtme të qëndrueshme, të bazuar në interesat e tij shtetërore dhe kombëtare, e cila, sipas vlerësimeve nga adresat më të rëndësishme evropiane dhe botërore, i kontribuon edhe stabilitetit në rajon”, tha shërbimi për informim i Gjukanoviqit, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Dy ditë më parë, gjatë qëndrimit në Mal të Zi, kreu i Kishës Ortodokse Serbe tha se është i bindur se Gjukanoviq do ta tërheqë njohjen e, siç u shpreh, “shtetit të rremë të Kosovës” dhe se ai “do t’iu kthehet vlerave të vërteta”.

Mali i Zi e ka njohur Kosovën në tetor të vitit 2008, vetëm disa muaj pasi Kosova ka shpallur pavarësinë.

Serbia, tash e sa kohë, thuhet se është angazhuar në një fushatë për të bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën që të zmbrapsen nga një hap i tillë.

Më 11 shtator, edhe presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, gjatë takimit me autoritetet serbe në Beograd, tha se do të diskutojë me zyrtarët e tij mundsinë që Çekia ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

Në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme të Kosovës figurojnë 116 shtete, të cilat thuhet se e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt, 2008.

Erdogani kritikon BE-në për mos-integrim të Ballkanit, Gjukanoviqi për mos-liberalizim të vizave me Kosovën

Periskopi.com Lajme

Populizmi miop anti-migrantë në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian ka bllokuar integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke dobësuar kështu stabilitetin e rajonit, ka thënë të martën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ai këto komente i bëri në samitin ballkanik të mbajtur në Sarajevë ku liderët shfaqën zhgënjimin e tyre të thellë me mos-mbajtjen e premtimeve nga BE-ja për të hapur bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, gjë që u kundërshtuar nga shtetet veriore të BE-së.

Erdogani dhe folësit tjerë në samitin ballkanik kritikuan BE-në për ngurrimin në raport me zgjerimin e bllokut.

“Kohëve të fundit kemi parë se disa qarqe miope populiste kanë bllokuar politikën e zgjerimit të BE-së. Trende negative ndaj ndarjes dhe diskriminimit janë shpërndarë në mbarë kontinentin dhe rrezikojnë jo vetëm paqen e brendshme brenda BE-së por… edhe shpresën dhe potencialin rajonit të Ballkanit”, ka thënë presidenti turk, raporton Reuters.

Apetiti i BE-së për zgjerim të mëtejmë është shkatërruar nga ndjenja anti-emigrim midis votuesve dhe nga kritikat në rritje të procesit veçse kompleks të bllokut 28 anëtarësh për vendimmarrje.

Franca dhe Holanda, me mbështetjen e Danimarkës, po ashtu kërkojnë kushte tjera si reforma më të shumta për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri e Maqedoni.

Edhe vet kërkesa e Turqisë për anëtarësim në BE, e nisur më 2004, ka ngecur për vite të tëra, pasi zyrtarë të BE-së përmendin shpërfilljen e Ankarasë për të drejtat e njeriut dhe liritë civile nën pushtetin e Erdoganit. Disa liderë të BE-së dëshirojnë të bisedimet të braktisen. Erdogani ka fajësuar paragjykimet ndaj myslimanëve për këtë rrugë pa krye, transmeton Koha.net.

Presidenti malazez, Millo Gjukanoviq, u bëri thirrje liderëve të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor që të dalin me një qasje të qartë dhe të përbashkët në lidhje me pritjet për raportet me BE-në.

“Jemi të shqetësuar për politikën e zgjerimit e cila po vonohet dhe po bëhet e mjegullt”, tha Gjukanoviqi, duke shtuar se edhe vende tjera të rajonit kanë pranuar sinjale dekurajuese në lidhje me procesin e anëtarësimit në BE.

Ai tha se BE-ja ka dështuar që t’ua heqë kërkesat për viza qytetarëve të Kosovës apo të aprovojë hapjen e kapitullit të fundit të procesit të anëtarësimit të Malit të Zi, ndërsa ka vonuar edhe aprovimin e statusit të kandidat për Bosnjën.

“Besoj se çështja e një perspektive reale të zgjerimit do të duhet të hapet shumë shpejt – nëse ne, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja, jemi partnerë të privilegjuar ose po kthehemi në pozicionin e fqinjëve që (thjesht) ndajnë brengat për të ardhmen e kontinentit tonë të përbashkët”, tha ai.

Erdogani nderoi edhe viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, duke vënë lule në kamionët që bartnin arkivolet e 33 prej 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë të masakruar nga forcat serbe të Bosnjës. Mbetjet mortore, që u ekshumuan nga varreza masive, do të rivarrosen në një ceremoni më 11 korrik, në përvjetorin e masakrës.