60 milionë euro do të shkojnë për kategoritë e luftës nga buxheti i vitit 2019

Periskopi.com Lajme

Projektbuxheti për vitin 2019, nga ekspert të ekonomisë po konsiderohet të mos jetë zhvillimor, por si vazhdimësi e buxheteve të viteve paraprake, pa ndryshime të mëdha strukturore sa i përket shpenzimeve. Madje, edhe në aspektin e të hyrave vështirë se do të jetë i realizueshëm.

Berat Thaçi, analist politikash në Institutin GAP thotë për KosovaPress se projektbuxheti në parim mbetet një buxhet i asfaltit, ngase Ministria e Infrastrukturës e dominon strukturën e investimeve kapitale për rrugë me rreth 48 përqind të buxhetit total.

Ai thotë se ka një rritje të vogël të buxhetit për sektorin e shëndetësisë dhe drejtësisë, mirëpo sipas tij, nuk janë të mjaftueshme, veçmas në shëndetësi kur dihet se ky sektor është mjaft në gjendje të rëndë.

“Gati gjysma e projekteve kapitale janë të menaxhuara nga Ministria e Infrastrukturës. Rrjedhimisht edhe rezultatet nuk pritet të jenë sa i përket rrezitjes ekonomike. Rritja ekonomike me këtë buxhet ka me vazhdua me qenë e pa mjaftueshme për nevojat e tregut të punës apo për nevojat e zhvillimit të gjithmbarshëm në Kosovë. Diçka tjetër që bie në sy është se ka një rritje të vogël sa i përket disa sektorëve siç është ai i shëndetësisë dhe sundimit të ligjit. Ky është zhvillim pozitiv mirëpo jo i mjaftueshëm për të bërë përmirësime të theksuara, veçanërisht në sektorin e shëndetësi”, thotë Thaçi.

Projektbuxheti për vitin 2019 që pritet të jetë 2.3 miliardë euro është i orientuar edhe në skemat sociale, që sipas Thaçit, dëmtojnë perspektivën e vendit.

Madje, Thaçi tha se vetëm për kategoritë e luftës me buxhetin e vitit të ardhshëm, janë paraparë të jenë rreth 60 milionë euro.

“Në përgjithësi skemat sociale janë rritur dukshëm. Kemi një buxhet i cili më shumë koncentrohet tash në skema sociale në dëm të investimeve kapitale të cilat janë më të prira që të nxisin zhvillimin ekonomik…… Ne po e sakrifikojmë të ardhmen dhe zhvillimin ekonomik për shkak të koncentrimit në konsum”, thotë Thaçi.

Edhe profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi thotë se ky lloj buxheti ose kjo shpërndarje e buxhetit tregon se nuk ka shumë performancë në aspektin e ndarjes së buxhetit në kontekst të zhvillimit ekonomik, por më tepër buxheti është i përqendruar në aspektin e mirëmbajtjes sociale, në aspektin  fushës së shëndetësisë, të arsimit dhe FSK-së.

“Buxheti nuk është zhvillimor, por buxhet për konsum. Nga ana tjetër dihet fakti se në këtë vit është edhe themelimi i ushtrisë, respektivisht, një pjesë e buxhetit shkon në drejtim të forcave të sigurisë së Kosovës… Buxheti për vitin 2019 nuk ka të bëjë shumë me projeksione që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe me hapjen e vendeve të reja të punës, por ka më tepër për ruajtjen  e mirëqenies sociale”, ka thotë Skënderi.

Ndërsa, eksperti financiar Hekuran Murati thekson për KosovaPress se në të kaluarën, tek pjesa e të hyrave zakonisht ka pasur nën-performim në kategorinë e të hyrave të njëhershme, si në rastin e të hyrave nga shitja e telekomit, licencave të ndryshme, apo edhe dividentave.

Ai thotë se kësaj radhe po ashtu është planifikuar një shumë e konsiderueshme e të hyrave të tilla kryesisht nga fondet e AKP-së, të cilat vështirë se do të realizohen sipas planit, meqë ajo varet më tepër edhe nga gjykata.

“Kurse tek pjesa e shpenzimeve, kategoria e vetme që rëndom nuk realizohet sipas buxhetimit është ajo e shpenzimeve kapitale. Kjo për shkakun se ministritë e linjës nuk bëjnë planifikimin adekuat të projekteve dhe kanë mangësi në kapacitetet për implementim të tyre. Andaj edhe për vitin 2019 për mendimin tim do të përcillet trendi i njëjtë”, deklaron Murati.

Për skemat sociale, Murati thotë se tashmë kanë arritur pothuajse nivelin e pagave, dhe problemi është që pritet të rriten edhe më tutje.

Sipas tij, është barrë e papërballueshme për vendin në afat-mesëm dhe afat-gjatë, dhe jep prognozë të keqe për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë financiare. Kjo për shkakun se skemat sociale janë shpenzime të rrjedhshme, dhe po u rritën njëherë, është pothuajse e pamundur të zvogëlohen.

Madje, Murati paralajmëron se kjo sjell në mënyrë të paevitueshme deri tek nevoja për rritjen e taksave, gjë që po ashtu është e vështirë marrë parasysh nivelin e ulët të punësimit.