Rama me fjalë emocionale për Mini-Shengenin: Unë tradhtar motra e vëllezër nga Kosova?

Edi Rama Op-Ed

*Fjalët e mëposhtme janë të paredaktuara në tërësi nga video-adresimi i kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z.Edi Rama për Mini-Shengenin. 

Dua të flas për Shengenin Rajonal, si një nga prioritetet tona dhe as nuk e fsheh dot që më kanë lënduar shumë miq kosovarë, ndjekës të kësaj faqeje, as nuk mundem dot të rri pa ju thënë si fillim, se unë, për asnjë çmim, në asnjë rast dhe për asgjë në këtë botë, nuk e tradhëtoj popullin tim, vendin tim, njerëzit e mi.

Dhe kur unë them popullin tim, nuk kam parasysh vetëm popullin e Shqipërisë po edhe të Kosovës; kur them vendin tim, nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë po edhe Kosovën; kur them njerëzit e mi, nuk kam parasysh vetëm shqiptarët në Shqipëri, po edhe shqiptarët në Kosovë.

Unë tradhtar o motra e vëllezër nga Kosova?

Po si, kur, pse dhe për cilën arsye tjetër në botë përveç arsyes së mosarsyes të atyre që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë, nuk duan të kuptojnë të vërtetat e thjeshta të një procesi publik, transparent, politik e ndërkombëtar, të nisur këtu e pesë vjet më parë!

Me sa duket të tjerët kanë një zotësi që unë nuk e kam dhe dinë ta luajnë me sukses publik, rolin për mua të neveritshëm të mëmëdhetarit të flaktë, të patriotit të përvëluar, të shqiptarit që digjet për flamur e vret për atdhe, thjesht sapo flitet për shkjaun.

E di që momenti është gjithnjë me ta, kur luhet me emocione e me rrena patriotike dhe kur plagët e paharrueshme të së shkuarës, preken djallëzisht për të ndezur zjarrin verbues në sytë e njerëzve të prekur nga e shkuara tragjike. Koha është me të drejtën dhe me të vërtetat që mund të mbulohen apo të deformohen përkohësisht, po kurrsesi nuk mund të treten e të zhbëhen.

Shengeni Rajonal nuk është një Jugosllavi e re, siç thonë ata që nuk bëjnë dot as një qeveri me dy parti, në Kosovën që e duan aq shumë. Sepse (mesa duket kur vjen puna tek bashkimi i forcave për ta qeverisur Kosovën, ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova e mbetur në udhëkryq, pa strategji e pa qeveri). Po shyqyr janë të bashkuar bukur mirë, pa dallim partie e madje edhe me do ustallarë në Tiranë, për ta hedhur Kosovën kundër “vëllaut të Vuqiqit” në Shqipëri, duke i’a prishur gjakun dhe errur sytë njerëzve në Kosovë, me dokrra patetike e me rrena patriotike.

Shengeni Rajonal nuk është as një plan serb për të pushtuar ekonomikisht rajonin, siç thonë disa që Kosovën e kanë fushë për lojën e tyre politike, teksa Kosovës po i’a marrin fytyrën e po i’a tresin respektin në sytë e miqve të paçmueshëm amerikanë dhe europianë), pa të cilët shteti i Kosovës nuk do të kishte lindur dot kurrë. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme, se sa t’i dëgjosh ata miq pazëvendësueshëm, të thonë se sot politikanët në Kosovë, dinë çka duan për vete, po nuk dinë çfarë duan për Kosovën!

Shengeni Rajonal nuk është jo e jo, mos e dhëntë kurrë Zoti i shqiptarëve, as ndonjë program a marrëveshje për të aministuar krimet e regjimit gjakatar të Milosheviçit). Për të harruar Reçakun. Për të pafajësuar agresorin e djeshëm, e për të ndaluar betejën politike me Serbinë për pranimin e realitetit dhe njohjen e Kosovës shtet sovran.

Kush i thotë këto e shumë poshtërsi të tjera të këtij rendi), ku hyn edhe poshtërsia e madhe që unë paskam dashur të ndaj Kosovën, (ose është krejt i paaftë për ta çuar përpara me sukses betejën politike me Serbinë ose është krejt i nginjur me çka ka përfituar prej Kosovës dhe s’do më hiç, asnjë dhimbje koke për të ardhmen e popullit, se të vetën e ka siguruar ndoshta për shtatë breza. Ose edhe të dyja bashkë në të shumtën e rasteve. Ndërsa kush u beson atyre që e mbushin ajrin mes nesh, me këtë soj helmi patriotik, thjesht gabon.

Shengeni Rajonal është një domosdoshmëri historike sot, kur beteja jonë është zgjerimi i hapësirës së lirisë së lëvizjes për njerëzit, mallrat, shërbimet e kapitalet.

Veç ata që s’duan ta shohin a s’dinë të lexojnë, nuk e kuptojnë se Shengeni Rajonal është rruga e vetme për Shqipërinë e për Kosovën, që të thyejmë barrierën kufitare mesveti dhe të garantojmë liri të plotë lëvizjeje mes të dyja të shteteve, për njerëzit, për mallrat, shërbimet e kapitalet.

Shengeni Rajonal nuk sjell asgjë të re në aspektin e marrëdhenieve politike mes Serbisë e Kosovës dhe as në aspektin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë e Serbisë, në raport me Kosovën. Qëndrimi ynë në këtë drejtim as ka lëvizur, as nuk lëviz. Ne jemi një dhe kemi të njëjtin qëndrim. Pikë.

Unë besoj fort se Shengeni Rajonal, jo vetëm nuk e dëmton Kosovën në betejën politike me Serbinë, po përkundrazi, e ndihmon.

Kush ndër zotërinjtë që i fryjnë këtij zjarri kundërshtie është kundër Shengenit Rajonal, sepse parasheh pasoja ekonomike negative për Shqipërinë e për Kosovën, thjesht nuk di çfarë flet.

Ndërsa kush është kundër Shengenit Rajonal, për shkak të së shkuarës duhet pyetur se si e ndihmoka Kosovën, vetëpërjashtimi nga një nisëm që ka të paktën pesë vjet, që diskutohet dhe dakordësohet përgjatë procesit të Berlinit, ku Kosova ka qenë gjithnjë e pranishme e gjithnjë dakord në tryezë?

Ne, Shqipëria, kemi arritur ta bindim Serbinë, po po, unë kam arritur ta bind Presidentin e Serbisë, që as të mos e kushtëzojë tryezën me asgjë që na ndan ne me Serbinë për Kosovën dhe që e ndan Kosovën me Serbinë, as të mos pretendojë që Shqipëria dhe Kosova, të mos e bëjnë marrëveshjen e lëvizjes së lirë të njerëzve e të mallrave në kufi, në rast se Kosova nuk pranon të bëjë të njëjtën gjë me Serbinë. Ditën që Serbia nuk do t’i qëndronte kësaj pike themelore, s’do kishte më tryezë ku Shqipëria të merrte pjesë për këtë proces.

Kjo do të thotë që Shengeni Rajonal na jep ne, Shqipërisë dhe Kosovës mundësinë të bëjmë atë që nuk e kemi bërë dot për vite të tëra), sepse jo vetëm Serbia, po as Uashingtoni e Brukseli nuk na e kanë lejuar kurrësesi, madje na janë hedhur në fyt sa herë e kemi përmendur: (Hapjen e kufirit mes nesh dhe krijimin e një zone të vetme ekonomike.

Tani ndjesë po nëse flasim me argumenta e jo me emocione, unë ende nuk e kam dëgjuar një argument racional kundër këtij projekti rajonal të mbështetur pa rezervë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Ashtu sikundër ende nuk e kam gjetur në historinë e post-konflikteve të përgjakshme, ndonjë rast kur arritja e paqes ka ardhur me retorikën e luftës e me të sjellurit si në luftë, vite të tëra pasi lufta ka mbaruar e armët i’a kanë lënë vendin politikës dhe diplomacisë.

Bashkimi Europian vitin e ardhshëm do të vendosë 1.2 miliardë euro në mbështetje të bashkëpunimit rajonal. Po edhe pa këtë, rritja e bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrja e të dyja shteteve shqiptare në këtë dimension të ri bashkëpunimi, është një premisë më shumë që të rritet jo vetëm ekonomia e vendeve tona, po që të përmirësohet edhe klima e përgjithshme e të krijohen kushte më të favorshme për vetë dialogun mes Kosovës e Serbisë. Madje unë as nuk e dyshoj fare, se sa më shumë ne të përfshihemi, së bashku, Shqipëri e Kosovë, në dimensionin rajonal, aq më shumë fuqizojmë dimensionin e realitetit tonë ndërkombëtarisht edhe në sytë e Serbisë dhe aq më shumë ndihmojmë veten, në rrugën drejt njohjes së plotë e përfundimtare të Kosovës nga të gjithë.

Siç e thashë në fillim, ne nuk kemi kohë për të humbur në asnjë drejtim. Tërmeti ishte një shtysë e fortë për të gjithë ne, që (të prodhojmë më shumë energji pozitive e të shpenzojmë më pak energji negative. Mundësitë janë të gjitha për t’u shfrytëzuar, jo për t’u humbur dhe asnjë mundësi për të zgjeruar rrugën e të ardhmes, nuk mund të humbet në emër të së shkuarës.

Të dashur miq,

teksa lemë pas vitin 2019 dhe me të drejtë duam shumë më tepër jo vetëm se sa çfarë na dha ky vit i vështirë, po në përgjithësi për vendin, familjen e fëmijët tanë, (mendoni sidoqoftë ku ishim dhjetë vjet më parë).

E di e di, e di që shumëkush nga ju do të më hidhej në fyt tani e do të më thoshte, yhy, kushedi se sa shumë gjëra për botën që fluturon e për Shqipërinë që mezi ecën, po në fakt nuk është kështu. Nuk është aspak kështu dhe jam gati të debatoj, me ditë e me netë me ju për këtë.

Por ky s’është rasti për t’ju bezdisur me shifra e me fakte, po është rasti për t’ju thënë, se ndërkohë që një vit i ri po vjen me një dekadë të re përpara nesh, mendojeni edhe ju bashkë me mua, se sa dhe si mund të bëjmë, ne shqiptarët për Shqipërinë, katër a pesë herë më shumë se sa në dekadën që po lemë pas. Eshtë jo vetëm e mundur, po është ajo që duhet të bëjmë.

Zoti çon dritë e çon tërmete, po nuk çon dhurata mbi këtë tokë. E kemi ne për detyrë ta bëjmë më të mirë, më të sigurtë e më të begatë për fëmijët tanë.

Eshtë detyra jonë të mos i trembemi të përpjetave sfiduese të së ardhmes dhe të mos biem në tatëpjetat e përbaltura të së shkuarës.

Eshtë sfida jonë të mos dorëzohemi përpara vështirësive në arritjen e rezultateve dhe të mos gënjejmë veten me rezultatet sa hap e mbyll sytë në kafene.

Eshtë e jona dhe vetëm e jona, e njerëzve përtej kufirit të adoleshencës, që (të mos e humbasim durimin në përballjen me realitetin dhe të mos e lëshojmë gojën e veten në mexhelisin e komunikimit të ulët), sharjeve e shpifjeve, që rrezikojnë të infektojnë si një sëmundje kronike edhe fëmijët tanë.

Ky vend i ka të gjitha që ne t’ia dalim në krye të përpjetës ku po ngjitemi me vështirësi, për ta bërë Shqipërinë një shtet normal, funksional, social. Po ne duhet të kemi vullnetin, vendosmërinë, përkushtimin dhe mbi të gjitha vetëdijen, se kjo kërkon kohë, durim, punë e bashkim.

Ky vend i ka të gjitha që ne t’ia dalim në krye të përpjetës ku po ngjitemi me vështirësi, për ta bërë Shqipërinë një shtet normal, funksional, social. Po ne duhet të kemi vullnetin, vendosmërinë, përkushtimin dhe mbi të gjitha vetëdijen, se kjo kërkon kohë, durim, punë e bashkim.

Bashkim në qëllime, jo në bindje politike. Bashkim fuqish pozitive, jo forcash politike. Bashkim për të jetuar në një vend ku askush nuk duhet të jetë kurrë vetëm.

Unë ju falenderoj nga zemra të gjithëve, juve që më keni besuar, mbështetur, inkurajuar, po edhe juve që nuk më keni besuar a më keni gjykuar keq, po sidoqoftë më keni ndjekur në punën time.

Në fund të ditës koha ikën, vitet ikin, kryeministrat vijnë e shkojnë, të gjithë jemi kalimtarë në këtë tokë, çka mbetet është Shqipëria dhe kombi ynë. Le të vazhdojmë të bëjmë së bashku më të mirën për Shqipërinë e për kombin shqiptar dhe më e mira u bëftë për ju e gjithkënd që ju do zemra.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut kundër ‘mini-Shengenit’ pa Kosovën

Periskopi.com Lajme

Nisma e “Mini-Schengenit” ballkanik sërish ka nxjerrë në sipërfaqe dallimet mes kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilat mbështesin nismat rajonale, por jo pa pjesëmarrjen në këtë nismë të të gjitha shteteve të rajonit.

Kryeministri Zaev, të martën i ka bërë thirrje partive politike shqiptare që publikisht të tregojnë se çfarë u pengon nga nisma për “Mini-Schengenin” ballkanik, që të mund të japë vlerësimin e tij për këtë nismë, të cilën e vlerëson në funksion të qytetarëve të shteteve të rajonit.

“Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, të tregojnë se çfarë i shqetëson lidhur me marrëveshjet e ‘Mini-Schengenit’ dhe unë jam gati të them se pse ato janë nënshkruar. Ato duhet të thonë se pse janë kundër, çfarë u pengon? Të tregojnë se a janë ata kundër uljes së taksave, a kundër kolonave të gjata në vendkalimet doganore … A janë ata kundër heqjes së vizave në tregun e punës në rastet kur një turist ka hyrë tashmë në një prej shteteve anëtare të nismës së ‘Mini-Schengenit’?”, u shpreh Zaev.

Ai tha se i gjithë rajoni është i interesuar për iniciativën dhe se kjo sipas tij u dëshmua edhe me pjesëmarrjen e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Zaevi tha se Kosova gjithashtu mund t’i bashkohet iniciativës, por Kosova dëshiron të ftohet si një shtet më vete, e cila nga ana tjetër është pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbisë, ku vendet e tjera nuk mund të ndërhyjnë.

Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut pa përjashtim kanë dalë kundër kësaj nisme pikërisht për shkak të mospjesëmarrjes së Kosovës në këtë nismë, pa u njohur pavarësia e saj nga Serbia, raporton Evropa e Lirë.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një komunikate, kanë thënë se “nisma nuk do të jetë e suksesshme pa përfshirjen e të gjitha gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, nisma të përfshihet në kornizat e iniciativave evropiane rajonale si dhe në këto takime të ketë prani të BE-së dhe SHBA-së”.

 

Rama i ashpër me zërat nga Kosova kundër ‘mini-Shengenit’: Këta mua të më shpallin tradhtar, këta mua?

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë i ashpër me kundërshtarët nga Kosova rreth  ‘mini-Shengenit’, për çka do të mbahet edhe samit në Tiranë në fund të kësaj jave, transmeton Periskopi.

‘’Unë nuk  e dua paqen dhe Shengenin rajonal dhe transformimin historik për t’i bërë Serbisë ndonjë nder, apo të mirën e saj, unë e dua për Shqipërinë, Kosovën dhe kombëtarët’’, ka thënë ai.

Tutje për Samitin e ‘mini-Shengeit’ në Tiranë, Rama ka thënë se është i hapur për të gjithë, pa përjashtime. Ndërsa  vlerësoi se Kosova po gabon që refuzon pjesëmarrjen , pasi në të SHBA do të dërgojë edhe dy përfaqësues.

‘’Është e hapur për të gjithë dhe aspak përjashtuese’’.

‘’Unë nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe nuk jam tradhtar sot që bëj këtë. Isha dhe jam unë, që bëj gjëra që besoj dhe i bëj me zemër dhe bindje. E kuptoj që me Serbinë, emocionet dhe e gjitha problemet nga Serbia, mund të bëhet politike në Kosovë, të fitohen pikë në elektoral, mund të bëhen pikë edhe atyre që më sulmojnë. S’keni bërë asgjë akoma me Qeverinë dhe tani që jeni zgjedhur mundoheni ta shihni horizontin e vështrimit, sepse i juaji është tash sa horizionti i një subjekti politik. Nuk më ndal dot askush duke u munduar të më kompleksojë, sharë  e bërë pis me baltë. Besoj që kjo është rruga, dhe po të mos ishte, të paktën SHBA’të, jo nuk do t’i kishim mbështetëse dhe nxitëse të procesit, por do të na thonin stop se nuk është koha për të bërë një gjë të tillë’’,ka thënë Rama.

I pyetur në Zona B rreth heqjes së kufirit pas kësaj ideje, Rama u përgjigj:

‘’Nuk e heqim dot kufirin sepse nuk na lejon Amerika, BE. Kurse Shengeni rajonal  e heq kufirin. Por në këtë proces ka shumë progres. Kufiri hiqet në momentin që të kemi nga Kosova dakordësinë për t’u ulur dhe ta bërë këtë proces. Kosova vetëm përfitime ka nga kjo histori. Shengeni është transformues për lëvizjen e njerëzve sepse nuk do hysh e dalësh me kontrolle, transformim për mallrat, kapitalet dhe shërbimet’’, ka thënë Rama.

‘’Këta njerëz nuk kanë lexuar cka kemi shkruar dhe nuk duan të dëgjojnë’’.

‘’Ky është një virus se kush është më patriot dhe kush të shpallet tradhtar. Këta mua të synojnë të më shpallin tradhtar, këta mua? Kjo nuk shkon’’,përfundoi Rama./PERISKOPI/

 

Komisionari i Zgjerimit i BE-së: Mirëpres “mini-Shëngenin”, por kam një kusht

Periskopi.com Lajme

Komisionari i Zgjerimit i BE-së Oliver Varhelyi tha se iniciativa për krijimin e një “mini-Shëngeni” midis vendeve të Ballkanit Perëndimor është i mirëseardhur, me kusht që të gjithë në rajon të mund të bashkohen me të.

“Unë e mirëpres iniciativën, por siguroj që kushdo që interesohet për rajonin mund të përfshihet në çdo kohë,” tha ai.

Në debatin para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, komisionari i Zgjerimit tha se “çdo bashkëpunim rajonal” midis vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara pranimit në Bashkimin Evropian ishte “i mirëpritur”.

Varhelyi tha se “mini-Shëngeni” do të lehtësonte kalimin e kufijve, do të ndihmonte tregtinë dhe kontaktet midis njerëzve në Ballkanin Perëndimor.

“Unë mirëpres idenë e një mini-Shëngen, por vendos edhe një kusht. Bëni atë të arritshëm për të gjithë në Ballkanin Perëndimor,” porositi ai.

 

Vuçiq për ‘mini-Shengenin’: Kosovarët s’dijnë as çka dojnë, Albin Kurti po sjellet si drejtues i Shqipërisë së Madhe

Periskopi.com Lajme

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq në një intervistë për gazetën gjermane, Speigel është pyetur se a duhet të përfshihet Kosova në projektin ‘mini-Shengen’, temë e cila  zgjoi debat dhe reagime të shumta ditëve të fundit, transmeton Periskopi.

Vuçiq u përgjigj se Kosova nuk di as çka do. Ndërsa për Albin Kurtin thotë se  sjellet sikurse drejtues i Shqipërisë së Madhe, duke ia përmendur edhe fyerjen që ai thotë se ia kishte bërë vajzës së tij të mitur.

‘’Kosovarët nuk dijnë çfarë duan. Kreu i ri i supozuar i qeverisë, Albin Kurti tingëllon sikur të dëshironte të bëhej drejtuesi i Shqipërisë së Madhe. Kosova e sheh veten si shtet, por ne nuk e shohim atë në atë mënyrë. Megjithatë,  mund të bënim biznes të shkëlqyeshëm së bashku.

‘’Albin Kurti dikur ofendoi vajzën time të mitur dhe e këshilloi që të kërkonte një shqiptar për burrë të ardhshëm.  Pse Perëndimi në fakt hapi Kutinë e Pandorës në vitin 2008 me njohjen e Kosovës?”, tha Vuçiq.

Tutje për dialogun, Vuçiq është shprehur se do që të ruajë mundësinë e një kompromisi me Kosovën./PERISKOPI/

 

OVL e UÇK-së në Dukagjin reagon për Gjykatën Speciale e mini-Shengenin

Periskopi.com Lajme

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Dukagjin, ka reaguar kundër Gjykatës Speciales, ndryshimit të territoreve dhe mini-shengenit, duke thënë se derisa të jetojë shqiptari i fundit liridashës, nuk do të lejohet që me trysni, shantazhe e propaganda të hapet terreni që të dëmtohet Kosova, të ndryshohet territori i tij apo të jemi pjesë e ndonjë “mini-jugosllavie”.

OVL e UÇK-së thotë se do të jetë në mbrojtje të të gjithë atyre që do të bien pre e këtij gjahu të shtrigave, që assesi nuk po ndalet që pas çlirimit, e do të kundërshtojë me vendosmëri të plotë, të gjitha planet djallëzore kudo që thuren ato.

Komunikata e plotë:

OVL UÇK Dukagjin, në shumë komunikata e paraqitje mediale, ka shprehur mendimin e vet të qartë rreth të ashtuquajturës “Gjykatë Speciale”. Kemi qenë të bindur se kjo gjykatë, e cila fatkeqësisht mori asokohe edhe miratimin e Kuvendit të Kosovës, është vetëm vazhdimësi e misioneve famëkeqe të UNMIK-ut,dhe EULEX-it dhe që qëllimi i saj është vetëm politik, e jo vendosja e drejtësisë për viktimat.

Këto misione arritën që urrejtjen ndaj vlerave të luftës së UÇK-së dhe bartësve të saj, ta kultivojnë dhe ta shtrijnë në të gjitha segmentet shoqërore në Kosovë, në mënyrë që të mbjellin tek shqiptarët shpirtin e nënshtrimit e ta shuajnë dashurinë e këtij populli për Kombin, Atdheun dhe vlerat më të shenjta të tij.

Përderisa shumë elementë jugosllavë, të maskuar në petkun e “opinionistëve”, kanë kundërshtuar vazhdimisht çasjen e OVL të UÇK-së ndaj këtyre misioneve ndërkombëtare, ka disa kohë, e tani edhe me veprime konkrete është demaskuar veprimtaria e këtyre organizatave. Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve, Malcomm Simons, ka paraqitur prova e fakte të shumta, duke paditur drejtuesit më të lartë të EULEX-it, dhe duke e bërë të qartë se ky mision ka qenë gjithçka tjetër veç mision i drejtësisë jo. Ne e përshëndesim veprimin e tij dhe inkurajojmë që edhe të tjerët, të flasin e të mos mbajnë fshehtë djallëzitë e këtyre misioneve.

Gjykata Speciale, duke qenë vetëm vazhdimësi e organizmave dashakeqe për Kosovën dhe anti-shqiptare në thelbin e tyre, ka në mesin e saj edhe elementë që kontribuan në EULEX, me vite të tëra në pozita të larta drejtuese, siç është z.Charles Smith, që aktualisht është gjyqtar në këtë pseudogjykatë.

Mekanizma si kjo e ashtuquajtur gjykatë, nuk i bëjnë mirë Kosovës, sepse misioni i tyre nuk është aspak vendosje e drejtësisë, por ndërhyrja në jetën politike, për të larguar nga skena njerëzit e guximshëm të këtij vendi, në mënyrë që të instalojnë në pushtet marionetat e tyre.

E kush tjetër më mirë se mbeturinat jugosllave, do të përmbush apetitet e qarqeve armiqësore, që të godasin nga pozitat e inferioritetit, popullin më të vjetër të Evropës, të cilin që prej vitit 1912, asnjëherë nuk e lejuan të bashkohet e të zhvillohet.

Ne nuk jemi fajtor që kemi lindur shqiptar dhe që jemi banorët e parë të kontinentit, themelues të civilizimeve më të famshme që njohu bota. Ne nuk jemi fajtor as për ndjenjën e tyre inferiore kundrejt nesh. Ne nuk deshëm asgjë tjetër, përpos të jetojmë të lirë, e në paqe, biles edhe me fqinjtë tonë grabitqar që erdhën nga Karpatet.

Derisa të jetojë edhe shqiptari i fundit liridashës, nuk do të lejojmë që me trysni, shantazhe e propaganda të hapet terreni që të dëmtohet vendi ynë, të ndryshohet territori i tij, apo të jemi pjesë e ndonjë “mini-jugosllavie”.

OVL e UÇK-së, do të jetë në mbrojtje të të gjithë atyre që do të bien pre e këtij gjahu të shtrigave, që assesi nuk po ndalet që pas Çlirimit, e do të kundërshtojë me vendosmëri të plotë, të gjitha planet djallëzore kudo që thuren ato.

22.11.2019

OVL-UÇK DUKAGJIN

 

Profesori amerikan flet për “Mini-Shengenin”, thotë se shqiptarët duhet të bashkëpunojnë me shqiptarët

Periskopi.com Lajme

Krijimi i të ashtuquajturës zona e “Mini-Shengenit” ballkanik mori një goditje kur Mali i Zi bëri të ditur se nuk do të marrë pjesë. Arsyeja e këtij refuzimi ka të bëjë me rëndësinë që Mali i Zi i jep Bashkimit Europian.

Duke qene se Mali i Zi është një vend që ka hapur negociatat me Bashkimin Europian, një angazhim i tillë do të ishte i tepërt për të.

Por, Mali i Zi bëri të ditur se do të vazhdojë të jetë në kontakt me liderët dhe vendet e Ballkanit Perëndimor për të vijuar me ecurinë e zhvillimit ekonomik dhe nënshkrimin të marrëveshjeve të ndryshëm rajonale. Një qasje e tillë nevojitet edhe për Shqipërinë.

Këtë mendim ka Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit të Columbias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. David Phillips, i cili ka dhënë opinion e tij për disa nga ngjarjet më të rëndësishëm në Shqipëri, flet në një prononcim për gazetën “Shekulli”.

I pyetur për faktin se cilat duhet të jenë prioritetet e Shqipërisë në lidhje me pozicionin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhëniet me fqinjët, Prof. Phillips u shpreh se, Shqipëria duhet të përqendrohet në forcimin e lidhjeve me ato vende në të cilat jetojnë shqiptarë.

Pra në mënyrë indirekte kjo thirrje drejtohet për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Në lidhje me faktin se cili duhet të jetë prioriteti kryesor për Shqipërinë, Z. Phillips, vuri në dukje vetëm një fakt: Përparësia e Shqipërisë duhet të jetë kombi shqiptar.

Prononcimi i David Phillips

“Shqiptarët duhet të përqendrohen në forcimin e lidhjeve me të gjithë fqinjët e Shqipërisë duke nxitur lidhjen kudo ku jetojnë shqiptarët, në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Bashkëpunimi midis shqiptarëve nuk parandalon zhvillimin e bazës së përbashkët me vendet e tjera ose integrimin më të gjerë Euro-Atlantik. Sidoqoftë, përparësia duhet të jetë kombi shqiptar”.

Grenell: ‘Mini-Shengeni’ mund të jetë i suksesshëm veç nëse përfshihet edhe Kosova

Periskopi.com Lajme

Ambasadori Richard Grenell, i dërguari presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, tha të enjten se e mirëpret nismën për “shëngenin ballkanik”, duke theksuar se kjo nismë mund të jetë e suksesshme nëse përfshihen të gjithë në rajon, përfshirë edhe Kosovën.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Berlin, thuhet se “ne mirëpresim nismën për “mini-Shengenin” e Ballkanit Perëndimor si një mënyrë për të filluar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ne besojmë se që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës. Administrata Trump është e përqendruar për të ndihmuar gjithë rajonin të krijojë mundësi ekonomike dhe punë për të rinjtë”, thuhet në deklaratë, transmeton VOA.

Një nismë e përbashkët e udhëheqësve të tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për një Shengen Balkanik, nxiti reagime dhe përplasje në distancë ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës.

Të dielën që lamë pas, në Ohër u mbajt takimi i radhës që pasoi atë të 10 tetorit që u mbajt në Novi Sad dhe aty ishin ftuar edhe Kosova, Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina.

Por, Kosova refuzoi pjesëmarrjen duke e cilësuar nismën si një përpjekje për rikrijim të një Jugosllavie. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova nuk dëshiron ta zëvendësojë ardhmërinë euroatlantike me çfarëdo nisme rajonale.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kandidat për kryeministër të Kosovës, tha të mërkurën se është bërë gabim në hapa lidhur me nismën rajonale për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Shqipëria, sipas tij, është dashur të pres formimin e qeverisë së re të Kosovës para çdo nisme rajonale.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, kritikoi Kosovën për vetizolim ndërsa theksoi se nisma ka për qëllim vetëm lëvizjen e lirë të njerëzve në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Blerim Shala: Mini-Shengeni, terapia që nuk mund të nisë shërimin politik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor

Periskopi.com Lajme

Publicisti kosovar Blerim Shala, mendon se nisma rajonale  e vendeve të Ballkanit Perëndimor, konrektisht Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe  Serbisë, për krijimin e Mini-Shëngenit, është terapia  e cila duket që nuk mundet as për së afërmi të nisë shërimin politik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Shalës, në 15 vitet e fundit nuk mbahet mend të ketë pasur më pak Evropë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe më pak interesm evropian për të integruar këtë pjesë .

“Problemi është që në rrethanat e sotme, këndejpari, ka më pak Evropë se kurrë në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit, që në BE ka më pak se kurrë, në dhjetë vjetët e fundit interesim për Ballkanin Perëndimor, ndërsa raportet fqinjësore në mes të shteteve të kësaj ane të Evropës, janë realisht, më të këqija se kurrë në pesë-dhjetë vitet e fundit. Terapia me ‘Mini – Schengen’ pra, duket që nuk mundet as për së afërmi të nisë shërimin politik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor, i cili siç dihet këtu, në Bruksel dhe në Ëashington, është edhe një fushëbetejë e veçantë e konfrontimit në mes të Rusisë dhe Perëndimit”, shkruan Shala në një kolumne për portalin lajmi. net.

Sipas Shalës, çelësi i stabilitetit rajonal politik dhe ekonomik, të cilin si synim të vetin primar e ka nisma e fundit e Tiranës, Beogradit dhe Shkupit, është në duart e Prishtinës dhe Beogradit.

“Ndërsa aktualisht, as këtu dhe as në Serbi, nuk ka farë vullneti të mirëfilltë që të mëkëmbet dialogu në mes të dy palëve, dhe që në një periudhë që me ‘njësitë matëse’ të Administratës Amerikane, njeh disa muaj, të nënshkruhet ajo Marrëveshja historike që në themelet e veta do ta ketë njohjen reciproke në mes të dy shteteve”, shkruan tutje Shala.

“Në një mënyrë apo tjetrën, herët a vonë, ‘Mini – Schengeni’ do ta humbë udhën në këtë labirinthin e raporteve Kosovë – Serbi”, ka shkruar në fund publicisti Shala./Periskopi/

Vjosa Osmani për ‘mini-shengenin’: Ne do ta bindim Edi Ramën se e ka gabim

Periskopi.com Lajme

Në Samitin e Ohrit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Edi Rama ka folur me tone të ashpra ndaj kritikëve të Shengenit Ballkanit. Rama foli për mungesën e Kosovës në këtë samit, për të cilën tha se është vetëpërjashtuar nga ky proces.

Por veç Albin Kurtit, që këtë nismë e shikon me shumë kritika, edhe Vjosa Osmani nga LDK ka dalë kundër.
Në emisionin Opinion, ajo deklaroi se “Shengeni Ballkanik” do të dështojë dhe sipas saj kryeministri i Shqipërisë Edi Rama më parë duhet të kishte folur me Kosovën.

Pjesë nga intervista

Blendi Fevziu: Çfarë qëndrimi keni ju si LDK dhe ju si personalisht për “Shengenin Ballkanik?

Vjosa Osmani: Ne si LDK jemi deklaruar se nuk përkrahim një qëndrim të tillë. Unë jam deklaruar dhe në ditën që është mbajtur takimi në Novi Sad,. Për mua nuk ka qenë e kuptueshme pse është mbajtur ai takim, ose pse ka filluar ajo iniciativë me Serbinë pa u marrë dhe pajtimin e shteteve të tjera dhe në veçanti të Kosovës. Kosova sa është udhëhequr nga LDK ka refuzuar ide të ngjashme.

Blendi Fevziu: Pse mos të ketë një “Shengen Ballkanik” sipas modelit BE, çfarë problemesh sjellin për Kosovës dhe për rajonin?

Vjosa Osmani: Ka të shumta dhe në aspektin ekonomik dhe në aspektin e vendosjes së masës së reciprocitetit të cilën e përmenda më herët. Ne nuk mund të lidhim marrëveshje të tillë me Serbinë e cila e përdor për të dërguar zyrtarët e lartë shtetëror të cilët provokojnë incidente në Kosovës.

Blendi Fevziu: Sipas kryeministrit Rama, kjo do të funksionojë me ato shtet që duan të funksionojnë dhe do të ruhet dhe reciprociteti që kanë probleme mes tyre si mes Serbisë dhe Bosnjës, Serbisë dhe Kosovës , por do të krijohet një hapësirë e përbashkët për lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave se ngjashme me BE.

Vjosa Osmani: Ne për ato që jemi pajtuar e kemi vënë nën shkrimin tonë si Kosovës në procesin e Berlinit që njihet si REA. Prandaj, nuk shohim asnjë arsye për duplifikim për të diçka që tashmë janë marrë vesh të 6 shtetet. Jo të ketë marrëveshje me iniciativën e vetëm tre shteteve, pa u konsultuar me shtetet e tjera. Nga ajo që ne kemi dëgjuar ju dhe akoma nuk e keni asnjë dokument i cili do të detajonte se çka përfshin kjo nismë.

Blendi Fevziu: Bëhet fjalë për një dokument për 700 e ca pika, i cili rregullon të gjithë këtë marrëveshje.

Vjosa Osmani: Dhe ne nuk përtojmë ta lexojmë.

Vjosa Osmani: Ky është një synim që të zëvendësohen mekanizma që tashmë ekzistojnë brenda BE-së të cilat i shërbejnë shteteve për t’u integruar.

Blendi Fevziu: Kush e ka këtë synim sipas jush?

Vjosa Osmani: Është e qartë që këtë synim e ka Vuçiçi.

Blendi Fevziu: Dhe pse përfshihen kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë?

Vjosa Osmani: Unë besoj se përfshihen për shkak të një iniciative që do ta dëmtonte shtetin e Kosovës.

Blendi Fevziu: Ju mendoni që kryeministri i Shqipërisë po ndërmerr një iniciativë për të dëmtuar shtetin e Kosovës?

Vjosa Osmani: Nuk mendoj se është ndërmarrje e tij. Mendoj se është ndërmarrje e Presidentit Vuçiç dhe mendoj se ka qenë gabim për faktin se kam lexuar disa nga arsyet që i ka dhënë kryeministri Rama. Unë mendoj se duhet të ulemi si dy shtete dhe t’ia shpjegojmë më qartë si kryeministrit të Shqipërisë pse mendojmë se nuk është në interesin e Kosovës një nismë e tillë.

Blendi Fevziu: E shihni të dështuar si nismë apo mendoni që duhet diskutuar dhe parë konkretisht.

Vjosa Osmani: Ne tashmë duke parë rrethanat aktuale e shohim si një nismë të dështuar megjithatë besoj që patjetër do duhej të ulemi me kryeministrin e Shqipërisë dhe të mos shkëmbejmë akuza politike nga studiot televizive./ Opinion.a

 

Macron-Vuçiqit: Mini-Shengeni një hap i mirë drejt BE-së

Periskopi.com Lajme

Presidenti francez Emmanuel Macron mbështet “Mini – Shengenin ” sepse reflekton idenë e tij kur bëhet fjalë për funksionimin e rajonit përpara se të anëtarësohet në BE,

Kështu shkruan Blic, duke shtuar se Macron këtë porosi ia kishte përcjell presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

“Macron dhe Vuçiq biseduan për iniciativën e zonës ekonomike rajonale. Presidenti francez tha se ishte një ide pozitive, që ai imagjinonte funksionimin e rajonit derisa të gjitha shtetet të bëhen anëtare. Ai gjithashtu premtoi mbështetje”, i ka thënë një burim kësaj të përditshmeje serbe, transmeton Klan Kosova.

Me ndërmjetësimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, kryetari i Kosovës, hashim Thaçi ka takuar të martën homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi në këtë takim ka konfirmuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit në Kosovë dhe integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian

Mustafa: Mini-Schengen’i ballkanik është një Jugosllavi e re

Periskopi.com Lajme

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Mini-shengeni është një Mini-Jugosllavi, që kësaj here po bëhet pa Kroacinë e Slloveninë, por me Shqipërinë në të, përcjellë Periskopi.

Ai duke komentuar takimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor, Rama Zaev e Vuçiq tha se “politikat e Mini-shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i qon në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia”.

Sipas Mustafës, në shikim të parë këto duken projekt atraktivë, por në esencë po bëhet fjalë për një Jugosllavi të re.

Më poshtë keni shkrimin e plotë të Isa Mustafës. /Periskopi

Mini Shengeni ballkanik, Rama në Serbi për nënshkrimin e marrëveshjes

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Edi Rama do të jetë sot në Novi Sad të Serbisë, ku do të zhvillojë një takim me presidentin serb, Alexandar Vuçiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Në përfundim të takimit dyditor, pritet që të tre liderët të nënshkruajnë një marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, që është cilësuar edhe si një Mini Shengen ballkanik.

Kryeministri Rama mbërrin gjatë drekës në qytetin serb, ku do të pritet fillimisht nga Vuçiq e më pas do të ketë edhe një takim me homologun e Maqedonisë së Veriut, Zaev. Ndërkohë, të enjten, takimet për miratimin e detajeve të fundit të marrëveshjes nisin që herët në mëngjes, ndërsa gjatë drekës të tre liderët do të mbajnë edhe një konferencë për mediet.

Marrëveshja është kundërshtuar vazhdimisht nga Kosova, e cila është e lënë jashtë saj, pasi e konsideron atë si një rikthim të ish-Jugosllavisë, edhe pse kjo është një nismë e mbështetur nga institucionet europiane që e shohin si një fazë të ndërmjetme para integrimit europian të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, tha në një intervistë për A2 pak ditë më parë se nuk mund të ketë Mini Shengen ballkanik pa Kosovën. “E them ekskluzivisht për ju që këto gjëra janë diskutuar në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, por unë them se nëse ndodh Mini-Shengeni, atëherë do të jenë të gjitha vendet, pa përjashtim. Edhe po deshi një vend të përjashtojë një vend tjetër, kjo nuk mund të ndodhë. Të jeni të sigurt”, u shpreh ai/A2CNN.