FSK-ja do të bëhet me Federatë të Sporteve?

Periskopi.com Lajme

Ministri i Mbrojtjes ka pritur në takim presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani.

Ministri i Mbrojtjes u shpreh i nderuar për këtë takim dhe përgëzoi  Hasanin për sukseset e sportistëve kosovarë, të cilët na bëjnë krenarë të gjithëve.

Më tej ministri i informoi zyrtarët e KOK-ut rreth procesit të tranzicionit të FSK-së dhe të arriturave gjatë fazës së parë 120 ditëshe pas miratimit të ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në. Në takim u diskutua rreth formalizimit të bashkëpunimit të KOK-ut me FSK-në në fushën e sportit. Kjo do të ndikonte edhe në masovizimin e sportit te të rinjtë e vendit tonë.

Presidenti Hasani shprehu gatishmërinë që KOK-u ta përkrahë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në organizimin e pjesëtarëve të FSK-së nëpër klube në disiplina të ndryshme sportive, organizimin e garave si dhe në themelimin e federatës ushtarake së sporteve brenda FSK-së.

FSK-ja në radhët e saj ka sportistë të përgatitur, të cilët me sukses mund të garojnë në gara ndërkombëtare.

Duke ndjekur praktikat e mira të disa ushtrive në Evropë, presidenti Hasani propozoi që disa prej sportistëve elitarë të Kosovës t’u mundësohet që të bëhen pjesëtarë të FSK-së.

Ministri Berisha e përkrahu këtë ide dhe u zotua që do të hulumtohen modalitet më të përshtatshme që sportistët elitarë ta nderojnë FSK-në si pjesëtarë në uniformë, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi.

Ministri Berisha dhe Presidenti i KOK-ut Hasani u pajtuan që pa vonesë të themelohen grupet punuese nga të dy palët për ta hartuar një memorandum bashkëpunimi me qëllim të thellimit të bashkëpunimit institucional midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.

 

Kaq pasuri ka Ministri i Mbrojtjes

Periskopi.com Lajme

Ministri i Mbrojtjes i cili gjithashtu mban dhe pozitën e nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rrustem Berisha ka deklaruar pasurinë e tij në AKK.

Si pasuri të paluajtshme ministri Berisha ka deklaruar tokë punuese, tokë shtëpi, tokë bujqësore, livadh, arë e stan të drurit, secila prej tyre në vlerë mijëra euro.

Por në të gjitha këto deklarime të pasurisë së paluajtshme pronësia figuronte të jetë e përbashkët.

E si pasuri të luajtshme ministri i Mbrojtjes ka deklaruar pajisje bujqësore në vlerë 20 mijë euro si dhe një veturë ‘Touran’ që është në pronësi të bashkëshortes me vlerë 7 mijë e 500 euro, transmeton Indeksonline.

Ministri i Berisha ka deklaruar poashtu edhe para të gatshme të mbajtura në institucione financiare.

Në bankën NLB, Berisha ka 273 euro kurse në BKT ka 1 mijë e 788 euro.

Por deklaruesi, që në këtë rast është ministri Berisha ka edhe detyrime financiare e që shumica prej tyre janë në vlerë mijëra euro.

Nga paga vjetore e Qeverisë së Kosovës, Berisha merr 23 mijë e 148 euro, pension vjetor nga FSK 5 mijë e 736 euro si dhe mëditje 746 euro.

Por gjithashtu bashkëshortja e ministrit Berisha është pjesë e Prokurorisë së Shtetit nga ku të hyrat vjetore i ka 2 mijë e 912 euro.