Incident në Beograd: Daçiq sulmon komisionarin e BE-së për Zgjerim, e detyron ta lëshojë takimin

Periskopi.com Lajme

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka shkaktuar një incident në Beograd, të enjten.Shefi i diplomacisë serbe e ka sulmuar komisionarin e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Të paktën kështu raporton gazeta e atjeshme “Blic”, e cila, sikurse shumë të tjera, kontrollohet nga pushteti, përkatësisht presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas “Blic”, Daçiq e ka detyruar komisionarin evropian që ta lëshojë takimin që po e zhvillonte me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, dhe me ministrat e kabinetit të saj.

Gazeta beogradase shkruan se Daçiq e ka sulmuar në mënyrë verbale mysafirin nga Brukseli, duke e shtyrë atë të largohej nga salla.Një orë para se Daçiq të inkuadrohej në takimin me Varhelyin, biseda e qeveritarëve të tjerë serbë me të po zhvillohej normalisht, shkruan “Blic”.

E përditshmja e Beogradit pohon se në një moment Daçiq ka marrë fjalën dhe ka nisur ta sulmojë me fjalë komisionarin hungarez.Varhelyi raportohet të jetë ndier në siklet, teksa Daçiq e ka porositur të mos e hapë gojën për manastiret serbe në Kosovë dhe për tarifën e vënë nga Kosova ndaj mallrave nga Serbia.

Gazeta beogradase është thirrur në burimet e veta, brenda takimit.

Daçiq zbulon planin e Macronit për çështjen e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ka zbuluar porosinë e marrë nga presidenti francez, Emmanuel Macron në lidhje me çështjen e Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se presidenti i Francës, Emmanuel Macron i ka thënë në New York se do të përfshihet në mënyrë aktive në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

“Macron më ka thënë që t’ia përcjelli mesazhin presidentit Aleksandar Vuçiq se do të bëjë të gjitha që i ka premtuar gjatë vizitës në Beograd dhe se vetëm është duke pritur përfundimin e zgjedhjeve në Kosovë dhe në mënyrë aktive të përfshihet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”, deklaroi Daçiq për “Blic”, transmeton lajmi.net.

Daçiq ka thënë se Macron është ende me përshtypje të mira nga vizita e fundit në Serbi në mes të korrikut.

“Ai ka qenë aq i impresionuar sa që e ka njoftuar edhe gruan e tij. I ka thënë se si kishte kaluar, si kemi kënduar dhe se kurrë në asnjë vizitë në ndonjë tjetër shtet të huaj nuk kishte kaluar më mirë”, u shpreh Daçiq.