Ministrja Hoxha: Presim vendim sa më të shpejtë për lëvizjen e lirë

Periskopi.com Lajme

Pas zgjedhjeve të djeshme për Parlamentin Evropian, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka kërkuar vendim sa më të shpejtë për liberalizimin e vizave.

Ministrja Hoxha ka shkruar se “votimet për Parlamentin Evropian, hoqën dilemën e rrezikimit të projektit të Bashkimit Evropian”, duke shtuar se rritja e paralajmëruar e ekstremit të djathtë dhe euroskepticizmit, nuk përbën më arsyetim për vonesat e panevojshme në vendim-marrjen për liberalizimin e vizave.

Ja postimi i Ministres Hoxha në rrjetin social:

“Votimet për Parlamentin Evropian, hoqën dilemën e rrezikimit të projektit të Bashkimit Evropian.

Rritja e paralajmëruar e ekstremit të djathtë dhe euroskepticizmit, nuk përbën më arsyetim për vonesat e panevojshme në vendim-marrjen për liberalizimin e vizave.  Andaj, presim dhe kërkojmë të ketë vendim sa më shpejt.

Republika e Kosovës ka përmbushur kriteret – tani radha është te BE-ja ta përmbush pjesën e vet të marrëveshjes!

Qytetarët tanë meritojnë të lëvizin të lirë!”

Ministria e Integrimeve e quan ‘gabim teknik’ intervistën e postuar në faqen zyrtare për jetën private të Hoxhës

Periskopi.com Lajme

Ministria e Integrimit Evropian ka reaguar ndaj lajmit të publikuar ku kjo Ministri promovonte jetën private të ministers Dhurata Hoxha.

Sipas Ministrisë së Integrimeve, ky ka qenë një lëshim teknik.

Kjo është deklarata e plotë:

Ministria e Integrimit Evropian, sqaron se Intervista e Ministres Dhurata Hoxha, e dhënë për portalin “arbresh.info”, në dhjetor të vitit 2016, dhe publikuar në po këtë portal, më 2 janar 2017, është bërë kur Ministrja Hoxha ishte në postin e Ministres së Drejtësisë. Muajin e fundit, “hulumtuesit”, me tërë fuqinë po përpiqen të gjejnë diçka “negative” kundër Ministres, andaj u “gjet” një, duke keqpërdorur gabimin teknik të Zyrës së Komunikimit, duke gjymtuar kohën e botimit, karakterin dhe motivin e intervistës. Ministria e Integrimit, nuk ka promovuar intervista të cilat janë jashtë mandatit dhe misionit të Ministres së Integrimit. Intervista e 2.1.2017, është postuar gabimisht në uebin e Ministrisë së Integrimeve, më 8.2.2018. Ministrja Hoxha nuk ka qenë asnjëherë në dijeni për postimin e kësaj interviste! Kjo intervistë e karakterit jo politik, e vitit të ri, për arbresh.info, ka qëndruar në ueb faqe që nga shkurti i vitit 2018, por deri më tani nuk ka paraqitur “temë me interes”. Publikimi i lajmeve dhe intervistave të Ministres Hoxha të ndërlidhura me punën e ministrisë fillimisht në ueb faqen e Ministrisë së Drejtësisë e më pastaj edhe në ueb faqen e Ministrisë së Integrimeve, për hir të zbatimit të ligjit dhe transparencës, është praktikë e rëndomtë publikimi dhe me qindra të tilla mund të gjenden në çdo kohë. Ministria e Integrimit Evropian, ka qenë transparente dhe çdo herë ka ofruar qasje për media, duke qenë në shërbim të qytetarëve në pajtim me ligjin, ndërsa për këtë lëshim teknik, do të merren masa.

Ministria e Integrimeve reagon ndaj lajmit se Kosova ka humbur mbi 40 milionë euro fonde të BE’së

Periskopi.com Lajme

Ministria e Integrimeve ka reaguar ndaj lajmit se Kosova ka humbur mbi 40 milionë euro nga fondet e IPA’së të BE’së.

Ministria e Integrimeve i quan spekulime lajmet se Kosova ka humbur këto fonde.

Ishte Periskopi fillimisht që raportoi për këtë, duke iu referuar një raporti të Institutit Epik.

Ky është reagimi i plotë i MIE’së:

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, raportoi pranë Komisionit të përhershëm parlamentar për Integrime Evropiane, mes tjerash për rritje të fondeve të BE-së për Kosovën. Pra, asnjë cent nuk ka humbur nga këto fonde, kështu ka hedhur poshtë spekulimet për humbje të fondeve.

Me këtë sqarim, duam të njoftojmë opinionin se Kosova nuk ka humbur as edhe një cent të vetëm nga fondet e BE-së dedikuar Republikës së Kosovës, përkundrazi, fondet e BE-së janë rritur e assesi nuk janë zvogëluar.

Me IPA 2016, Pjesa 2, është nënshkruar Kontrata për Mbështetje Buxhetore për Reformën e Administratës Publike, në vlerë prej 25 milion euro, kurse me IPA 2017, Pjesa 2, është nënshkruar Kontrata për Mbështetjen Buxhetore për Menaxhimin e Financave Publike, në vlerë prej 25 milion euro.

Po ashtu, Ministrja Hoxha informoi Komisionin parlamentar se fondet e BE-së për Kosovën vetëm sa janë rritur: IPA 2017 ka ndarë 73 milion euro, IPA 2018 ka ndarë 90.5 milion euro, kurse IPA 2019 – 2020 mbi 200 milion euro.

Përpos fondeve të IPA-s, Kosova përfiton fonde edhe nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor (ËBIF), vuri në dukje Ministrja Hoxha, vetëm në këtë raund të aplikimeve, pra raundi 21 i aplikacioneve në kuadër ËBIF-së: vlera e projekteve infrastrukturore tejkalon shumën prej 250 milion euro, vetëm ndërtimet e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, impianteve për ujë të pijshëm dhe kolektorë të ujërave nëpër qendrat e mëdha dhe të vogla të Kosovës tejkalojnë vlerën prej 400 milion euro.

 

Ministrja Hoxha pret përkrahjen e Gjermanisë për vizat

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar Z. Stephan Mayer, Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Brendshme, dhe vuri në pah të arriturat dhe sfidat në procesin integrues.

Padyshim, tema më e diskutuar ishin 95 kushtet e përmbushura për liberalizim, si dhe pritjet tona që të ketë vendim sa më shpejtë, ka shkruar Ministrja në rrjetin social.

Ja postimi i Ministres Hoxha në rrjetin social:

“Kënaqësi të takoj prapë, këtë herë në Prishtinë, në darkë, Z. Stephan Mayer, Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Brendshme. Darka e shtruar nga Ambasadori gjerman për nder të kësaj vizite, ishte mundësi të diskutonim të arriturat dhe sfidat në procesin integrues. Padyshim, tema më e diskutuar ishte 95 kushtet e përmbushura për liberalizim, si dhe pritjet tona që të ketë vendim sa më shpejtë.

Ne kemi besim se do të vlerësohet puna jonë në këtë aspekt, dhe se nuk do të mungojë përkrahja dhe miqësia e Gjermanisë, e cila gjithmonë ka qenë pranë Kosovës në rrugëtimin tonë.”

Nënshkruhet memorandum për ta mbështetur MIE në procesin integrues

Periskopi.com Lajme

Ministria e Integrimit Evropian dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në bashkëpunim me ekipin e agjencive të KB-së, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, për ta mbështetur këtë ministri në procesin integrues, në fusha si zbatimi i MSA-së dhe Agjenda Evropiane e Reformave.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha tha se Ministria është e përkushtuar të punojë në reforma që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Në një moment shumë të ngjeshur për ne kemi parë të nevojshme të nënshkruajmë një memorandum për një fushë të rëndësishme për ne. Dita e sotme është e një rëndësie të veçantë sepse po vërtetohet që po na pret një punë shumë e madhe në përkrahje të implementimit të stabilizim asociimit. Ministria e integrimit është duke punuar në përmbushjen e agjendës evropiane qe e ofrojnë Kosovën afër BE-së. Partneriteti global për zhvillim na thërret për partneritet vendor dhe ndërkombëtarë na thërret për përkrahje dhe zbatim të legjislacionit për përmirësim të jetës së qytetarëve. Edhe pse institucionet nuk bartin të gjithë përgjegjësinë ne po e bartim përgjegjësinë për sfida dhe reformat kërkojnë buxhet shtesë dhe jemi të përkushtuar që këto reforma ti qojmë përpara”, ka thënë ajo, raporton Koha Ditore.

Koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson ka thënë se përmes këtij bashkëpunimi do të ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian

“Në fakt e vlerësojmë partneritetin me Ministrin e Integrimeve dhe tani jemi duke shikuar që ta planifikojmë të ardhmen, ne po e intensifikojmë bashkëpunimin. Kur po shikojmë për integrimin evropian është e rëndësishme të shikohet progres në jetën sociale të njerëzve. Familja evropiane shikon edhe të drejtat e njeriut”, ka theksuar ajo.

Prokuroria mbyll hetimin për biletat e ‘shtrenjta’ të përdorura nga ish-ministrja Çitaku

Periskopi.com Lajme

Prokuroria e Shtetit ka mbyllur hetimin për katër zyrtarë e ish-zyrtarë të Ministrisë së Integrimeve, të cilët po hetoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në mesin e këtyre zyrtarëve ishte edhe ish-sekretari, Demush Shasha, i cili ka përfunduar mandatin javë më parë.

Shasha dhe tre zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie po hetoheshin me dyshimet se kishin keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare, duke lejuar që të bliheshin disa bileta biznesi në vend të atyre ekonomike.

Koha Ditore i është drejtuar Prokurorisë së Shtetit që më shumë se një muaj për këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur.

Megjithatë disa burime të ndryshme i kanë thënë gazetës se hetimi ka më shumë se një muaj që ka pushuar.

Hetimi kishte nisur pas rreth shtatë vjetësh, qëkur ish-ministrja Vlora Çitaku kishte marrë nën menaxhim Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Hetimi është mbyllur disa ditë pasi “Koha Ditore” kishte raportuar që po hetoheshin këtë zyrtarë.