MPBAP: Sveçla nuk u sulmua, tentoi të ndalte një rrahje

Periskopi.com Lajme

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar edhe zyrtarisht pas raportimeve për përfshirjen e zëvendësministrit Xhelal Sveçla në një incident në një prej lokaleve në kryeqytet.

Në sqarimin e MPB’së thuhet se Sveçla nuk është sulmuar, por vetëm ka hyrë për të ndalë rrahjen mes një personi të rritur dhe një shitësi ambulant.

“Me këtë rast MPBAP, sqaron se gjatë rrahjes së një fëmije, shitës ambulant nga një i rritur në Prishtinë, ka qenë prezent edhe zëvendësministri Sveçla, i cili ka ndërhyrë që të ndalë rrahjen dhe më pas ka njoftuar Policinë e Kosovës, për të raportuar për këtë incident”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftimin e lëshuar për media thuhet se “Zëvendësministri Sveçla dhe secili qytetarë i Republikës së Kosovës, e kanë për obligim qytetar, që çfarëdo dukuri negative që shohin, të ndikojnë që ajo të parandalohet dhe të njoftohen organet e rendit dhe ligjit për të vepruar sipas mandatit të tyre. Reagimi i sotëm i zëvendësministrit Sveçla në këtë rast, është një rast shembullor i sjelljes qytetare për të parandaluar rrahjen”.

Mustafa: Vuçiqi s’mund të na jap urdhra, veriu është territor i Kosovës dhe ndërhyjmë kur të duam

Periskopi.com Lajme

“Policia e Kosovës me punën e saj ka bërë që të ulet dukshëm kontrabanda në veri të vendit. Policia ka arritur që veprat penale vetëm këtë vit t’i  ulë në 20 për qind”.

Kështu po thotë ministri në detyrë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, në një intervistë për Ekonomia Online.

“Policia e Kosovës ka qasje të mirë në veri, kontrabandë nuk ka sikurse ka pasë më herët sepse nuk mund të eliminohet as te ne as në krejt botën, por duhet t’i minimizojmë këto dukuri negative. Kosova dhe Policia ka arrit që brenda këtij viti t’i ulë të gjitha veprat penale dhe keqpërdorimet mbi 20 për qind, duke filluar nga veprat penale, aksidentet në komunikacion, plaçkitjet me armë. Prej shkurtit deri këtë javë që shkoi nuk kemi pasë asnjë plaçkitje të bankave”, tha Mustafa.

E, duke folur për sigurinë në këtë pjesë të Kosovës dhe ndërhyrjet e policisë atje si dhe reagimet e krerëve serb, Mustafa thotë se ai territor është i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk mund të jap urdhër se kur Policia e Kosovës mund të hyjë atje.

“Aksioni në veri nuk ka qenë ndërhyrje në një territor jashtë Kosovës, ai ka qenë shtim forcash policore në një regjion ku kontrollohet nga forcat policore të Kosovës. Aty ka qenë një aksion kundër pjesëtarëve të cilët kanë shkelë detyrat zyrtare sidomos zyrtarëve të policisë të cilët kanë bërë keqpërdorime në detyrën tyre zyrtare. Ne nuk mund t’i japim urdhër Vuçiqit se kur të ndërhyjë në një territor të vetin, as Vuçiqi nuk mund të jap urdhër kur duhet të  ndërhyjmë në territorin tonë. Ai është territor sovran i Kosovës dhe ne duhet ta mbajmë rregullin dhe ligjin në atë territor të Kosovës”, tha ai.

Ministri në detyrë tha se Policia e Kosovës tani po prodhon siguri në rajon ngase po i përgjigjet të gjithë mekanizmave të sigurisë botërore dhe regjionale.

“Policia e Kosovës një kohë të gjatë ka qenë konsumues i sigurisë në regjion, tani e tutje po prodhon siguri në regjion dhe me të madhe po i përgjigjet të gjitha mekanizmave të sigurisë botërore dhe regjionale. Ne si institucion i sigurisë së Kosovës kemi bë marrëveshje me disa shtete në regjion siç është Shqipëria, Mali i Zi, kemi bashkëpunim me Maqedoninë, përpos me fqiun verior që s’kemi bashkëpunim. Policia e Kosovës edhepse nuk është e anëtarësuar në mekanizmat siç është Interpoli edhe Europoli, ne i kemi zyret ndërlidhëse ku i marrim informacionet për çdo individ pa marrë parasysh a jemi të anëtarësuar”, thotë ai.

Edhepse sipas tij Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të qenë anëtar i Interpolit dhe Europolit thotë se një gjë e tillë nuk po ndodh për shkak se edhe këto institucione janë politizuar.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për të qenë anëtar të Interpolit dhe Europolit. Europoli është një mekanizëm që pa u anëtarësuar në Bashkësinë Evropiane nuk mund të anëtarësohesh. Në Interpol ne kemi pasur mundësi të anëtarësohemi edhe vitin e kaluar, edhe më herët sepse policia e Kosovës dhe institucionet tona i kanë përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim, por fatkeqësisht është politizuar ky institucion”, tha ai.

Me ardhjen e tij në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Mustafa thotë se ka arritur që një tender nga 1 milionë e 200 mijë euro ta kthejë në 400 e 18 mijë euro.

“Sukseset më të mëdha janë statistikat. MPB-ja ka bërë riorganizimin e ministrisë dhe organogramin e ri i cili është në përpilim e sipër në bashkëpunim me ndërkombëtarët. MPB-ja është një institucion që është krijuar. MPB-ja ka arrit që gjatë këtij viti të thithë donacione të mëdha, të arrijë të kursejë paranë publike dhe të menaxhojë atë, kemi arrit që një tender nga 1 milion e 200 mijë euro ta kthejmë në 400 e 18 mijë euro”, tha ai.

E, duke folur për udhëzimin administrativ për lehtësimin e procedurave për leje qëndrimi  i cili u mor ditë më parë, Mustafa thotë se ka qenë obligim i Qeverisë së Kosovës që të kryhej shumë më herët.

Ai thotë se tani e tutje personat të cilët kanë leje qëndrimi 5 vjeçar, kanë të drejtë shkollimi dhe kanë të drejtë që të kenë dokumente identifikimi të Kosovës. Përpos këtyre, të gjithë ata persona kanë të drejtë të hapin biznese në Kosovë.

MPB thotë se Çekia do ta përkrah Kosovën për liberalizim vizash

Periskopi.com Lajme

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, priti në takim zëvendës-ambasadorin e Republikës Çeke, Dushan Kralik dhe Atasheun Policor pranë Ambasadës së Republikës Çeke në Tiranë, Adriatik Shino.

Në këtë takim, siç bën të ditur kumtesa, ministri Mustafa prezantoi të arriturat në fushën e sigurisë si dhe mbi punët që do të pasojnë në të ardhmen.

“Gjithashtu, në takim u bisedua për bashkëpunimin e deritanishëm policor ndërmjet dy vendeve, u diskutua lidhur me marrëveshjet e reja që do të forcojnë bashkëpunimin edhe më tutje si dhe për njohjen reciproke të patentë-shoferëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Tutje, thuhet se delegacioni i Republikës Çeke premtoi angazhimin për Kosovën sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, e gjithashtu edhe lidhur me aplikimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë.

800 persona me armë pa leje, presin për legalizim të tyre

Periskopi.com Lajme

Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim UNDP ka mbajtur tryezë të rrumbullakët mbi kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta dhe reduktimin e armëve të paligjshme në Kosovë.

Izmi Zeka, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe Koordinator Kombëtar për Kontrollin e AVL-ve, tha se kanë pasur fushatë për legalizimin të armëve.

“Unë ftoj qytetarët që të mënyrë vullnetare të aplikojnë për legalizim të armëve”, tha ai. Mbi 800 armë janë në procedurë për legalizimin të armëve në Kosovë. Në presim deri në 1300 qytetarë të aplikojnë për aplikim për legalizim”, tha ai. Sipas tij janë shumë faktorë që në Ballkanin perëndimor që qytetarët të kenë rezervë për legalizim të armëve. Zeka vlerësoi se një armë e legalizuar shpëton një jetë.

Objektivat e kësaj tryeze ishin: Sigurimi i transferimit të njohurive mbi politikat e OKB-së dhe BE-së dhe masat aktuale për reduktimin e armëve të paligjshme; diskutimi mbi gjendjen aktuale dhe masat aktuale në Kosovë për reduktimin e armëve të paligjshme; krimit të bazuar në gjini dhe plaçkitjeve të armatosura; Diskutimi mbi masat për të adresuar më tej nivelin e harmonizimit të kornizave ligjore për kontrollin e armëve në Kosovë me legjislacionin e BE-së, Traktatin e Tregtisë së Armëve dhe Protokollin e Armëve të Zjarrit

Ende mbetet e pazgjedhur çështja për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile

Periskopi.com Lajme

Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka reaguar pas njoftimin nga Komuna e Prishtinës, e cila ka njoftuar qytetarët se si pasojë e anulimit të tenderit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me certifikata nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka dështuar furnizimi me certifikata në të gjitha Komunat.

Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes një komunikate thotë se me kohë ka planifikuar inicimin e zhvillimit të procedurave të prokurimit për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile për Zyrat Komunale të Gjendjes Civile, “mirëpo për arsye procedurale ende nuk është përzgjedhur operatori për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile”.

“Më këtë rast Agjencia e Regjistrimit Civil, si organi më i lartë i gjendjes civile në Republikën e Kosovës ka kërkuar nga të gjitha Zyrat Komunale të Gjendjes Civile në Kosovë që në mungesë të formularëve të përdorën metodat alternative. ARC u ka dërguar një njoftim të gjitha zyrave të gjendjes civile, që në mungesë të formularëve (dokumenteve të gjendjes civile), me qëllim të realizmit të drejtave të qytetarëve për pajisje me dokumente të gjendjes civile, nga sot më datë 28.03.2019, të fillohet me lëshimin e dokumenteve me letër të bardhë nga sistemi i gjendjes civile, deri në njoftimin tjetër”, thuhet në njoftim.

“Këto dokumente do të përdoren vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Kërkojmë ndjesë nga qytetarët e Kosovës për mungesat e formularëve, megjithatë shërbimi për qytetarët do të vazhdojë të mbetët një prej prioriteteve tona më të rëndësishme”, njofton kjo agjenci e MPB-së.

Mbrojtje pa pagesë për policët që morën pjesë në arrestimin e Gjuriqit

Periskopi.com Lajme

Avokati Musa Damati ka reaguar menjëherë pas ankesës së zëvendës ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Milan Radojeviq në Inspektoratin Policor, për të nisur hetimet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, të cilët kishin marr pjesë në arrestimin e drejtorit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.

Ai ka bërë të ditur se çdo zyrtar i Policisë së Kosovës që ka marrë pjesë në ndërhyrjen dhe arrestimin e Marko Gjuriqit, dhe të cilit i iniciohet ndonjë procedurë ligjore kundër tij, mund të përfitojë shërbime profesionale ligjore pa pagesë nga zyra e tij.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Arbër Beka, tha se IPK-ja ka pranuar një ankesë lidhur me këtë rast, e cila fillimisht është trajtuar në Departamentin për menaxhimin e ankesave e pastaj në Departamentin e hetimeve.

“Hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë disa veprime hetimore lidhur me këtë rast dhe kanë dërguar një raport njoftues te Prokuroria Themelore në Mitrovicë”, tha Beka.

 

Legalizimi i armëve: Ministria e Brendshme ju informon sot çka duhët të bëni

Periskopi.com Lajme

Ministri e Punëve të Brendshme sot mban konferencë për media në kuadër të fushatës së legalizimit të armëve ilegale “Me letra”, ku do të diskutohet për progresin e deritanishëm, si dhe prezantohen planet konkrete lidhur me këtë fushatë.

Në konferencë do të marrë pjesë, Izmi Zeka, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Alessandra Roccasalvo, u.d. përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, Christian Heldt, ambasador i Gjermanisë, si dhe zyrtarë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Fushata e legalizimit, pjesë e përkrahjes afatgjatë nga Projekti për Sigurinë në Kosovë (KSSP) i UNDP-së, u mundësua përmes kontributit të Ministrisë së Punëve të Jashtme Gjermane.

 

Ministria konfirmon aksidentit: Ministri Mustafa nuk ishte në veturë

Periskopi.com Lajme

Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar aksidentin në të cilën është përfshirë edhe një veturë në të cilën kanë qenë katër zyrtarë të kabinetit të Ekrem Mustafës, megjithatë sipas tyre thuhet se ministri në momentin e aksidentit s’ka qenë në veturë.

“Ministria e Punëve të Brendshme ju njofton se sot rreth orës 09:00 në një aksident trafiku në lagjen Arbëria në Prishtinë, njëra nga dy veturat e përfshira në aksident është e MPB-së. Në këtë veturë kanë qenë 4 zyrtarë të kabinetit të ministrit Mustafa.Ju njoftojmë që në veturën në fjalë nuk ka qenë ministri i Punëve të Brendshme, z.Ekrem Mustafa”, thuhet në njoftimin zyrtar nga ministria.

Aksidentin e kanë konfirmuar edhe nga Zyra për Informim e QKUK-së, të cilët nuk kanë dhënë informacione rreth identitetit të të aksidentuarve.

“Zyra për informim ne QKUK, Ju informon se 3 persona kane kërkuar ndihme mjekësore si pasoje e një aksidentit ne komunikacion. Me te cilin sipas mjekeve emergjent, ata kane pasur lëndime te lehta. Njëra nga ta pas tretmanit mjekësor është liruar për ne shtëpi. Ndërsa te tjerët janë ende duke u trajtuar ne Qendrën Emergjente”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.

 

Skandali i radhës i gjyqësorit kosovar: Nuk mbajti seancë ndaj ministrit të brendshëm, thotë se s’ka adresën për t’ia dërguar ftesën

Periskopi.com Lajme

Një gjykatë në Kosovë s’ia ka gjetur adresën njeriut kryesor të punëve të brendshme.

Për këtë arsye nuk është mbajtur një seancë gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar kundër Ministrit të Brendshëm, Ekrem Mustafa. Ky i fundit ka konfirmuar se s’ka pranuar ftesë. Në Gjykatën e Ferizajt kanë thënë se kanë kërkuar ndihmën e policisë për t’ia gjetur adresën Ministrit me aktakuzë.

Ekrem Mustafa, Ministër i Punëve të Brendshme, nuk e ka humbur asnjë ditë të dhjetorit nëpër gjykatat e Kosovës.

Edhe pse ishte paraparë që një seancë të mbahej në muajin e fundit të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Ferizajt s’ia ka gjetur adresën Ministrit të ri të Punëve të Brendshme i cili akuzohet se nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve, në një aksident trafiku që kishte ndodhur para 32 muajsh.

Ministri i Brendshëm ka thënë se ka pritur që të paraqitej në gjykatë por nuk i kishte ardhur ftesa.

“S’kam pasur ftesë hiç, kam prit që po e marr ftesën s’më ka ardhë”, ka thënë Mustafa, të shtunën për Gazetën Express.

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj kanë thënë se kanë pasur problem t’ia gjejnë adresën e re të vendbanimit njeriut që udhëheq me punët e brendshme të Kosovës.

“Ka kërkesë për verifikim të vendbanimit pasi duhet zyrtarisht me kërku adresën e vendbanimit. Ministri e ka ndryshu vendbanimin, por zyrtarisht duhesh me ju drejtu policisë me siguru adresën e saktë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Kështu përfudon kjo marre qesharake me intitucionet dhe drejtësinë e Kosovës. /Periskopi

Veturat nga koha e Jugosllavisë qarkullojnë ende në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Veturat të prodhuara në kohë të ish-Jugosllavisë janë ende në qarkullim në rrugët e Kosovës.

Zastava Koral gjithashtu e shitur si Yugo është prodhuar më parë nga Zastava Automobiles, në qytetin e Serbisë, Kragujevac.

Kallxo.com ka siguruar të dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme, që sipas tyre në Kosovën janë 1222 vetura Zastava -Yugo.

Zastava – Yugo është prodhuar nga viti 2 korrik 1977 dhe vazhdoi prodhimtarinë deri më 11 nëntor 2008, që gjithsej 794,428 u prodhuan gjatë kësaj periudhe.

Veturat serbe ‘Yugo’ ka marrë famë jo të mirë, ku shumë prej revistave amerikane e kanë vlerësuar si veturat më të kqija të mileniumit.

Car Talk emisioni amerikan e ka cilësuar si një nga veturat më të këqija në histori, TIME dhe Complex Magazine, tipat Yugo GV dhe Yugo 45 i kishte radhitur në listën e “50 veturave më të këqija të viteve 80”.

Veturat Zastava ishin prodhues të makinave serbe, një degë e grupit të Zastavës mjeteve të cilat falimentuan në maj 2017.

Apeli e detyron MPB-në të nënshkruajë kontratat për të cilat është shkarkuar ish-shefi i IPK-së, Hilmi Mehmeti

Periskopi.com Lajme

Hilmi Mehmeti e ka humbur postin e kryeshefit në Inspektoratin Policor të Kosovës për shkak të dyshimeve se është kurdisur konkursi për 15 hetues në IPK.

Por edhe pse Mehmeti ka humbur postin, hetuesit do të bëhen pjesë e IPK-së, shkruan sot Koha Ditore. Ish zëvendëskryeshefja e IPK-së që tash e ka marrë postin e kryeshefës së IPK-së, Miradije Kelmendi, do të detyrohet që t’i bëjë pjesë të IPK-së këta hetues.

Ditë më parë Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur për ankesat e nëntë kandidatëve nga 15 kandidatë që ishin pranuar. Kjo gjykatë ka konstatuar se ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, jashtëligjshëm i është drejtuar ish-kryeshefit Mehmeti me kërkesë për anulimin e këtij konkursi.

Fillimisht gjykata ka konstatuar se anulimi i konkursit është bërë në mënyrë arbitrare.

Çka nëse Vuçiq shkel kushtet me të cilat iu lejua vizita në Kosovë? Flasin nga MPB’ja

Periskopi.com Lajme

Në veriun e Mitrovicës tanimë kanë filluar përgatitjet për ardhjen e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Për sigurinë në vend, janë deklaruar edhe përgjegjës të dikastereve përkatëse. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra ka thënë se janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme që vizita e Vuçiq të kalojë në mënyrë të qetë.

 

 

Sipas tij, vizita në fjalë do të respektohet gjithnjë në bazë të lejes që i është dhënë nga MPJ-ja.

“Policia dhe të gjitha institucionet e zbatimit  të ligjit  kanë ndërmarrë të gjitha veprimet që vizita e Presidentit Vuçiq të kalojë d.m.th ashtu siç është paraparë në agjendën e tij në përputhje me lejen që i kanë dhënë institucionet e Kosovës. Ne institucionet e sigurisë i  ofrojmë siguri të plotë që e njëjta të kalojë në qetësi absolute pa ndonjë incident dhe në respektim të ligjeve të aplikueshme në vend”, ka deklaruar Shkodra për Indeksonline.

Më tutje, sa i përket kushteve që Vuçiqit i janë caktuar lidhur me këtë vizitë në Kosovë, i cili nuk guxon që të provokojë me deklaratat e tij, numri dy i MPB për këtë thotë se s’janë kompetent të flasin, megjithatë thekson se do të aplikohen me vendosmëri kushtet e dhënies së lejës së Presidentit serb.

“…Sa i përket kushteve të lejes së Vuçiqit në Kosovë i vendos Ministria e Jashtme dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Kështu të gjitha ato kushte të cilat janë të parapara besoj se do të respektohen dhe besoj të njëjtat do të aplikohen në vendosmëri me rastin e dhënies së lejës së Presidentit, Vuçiq”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Vuçiq pritet që të vijë në Kosovë në ora 14:00 përmes pikës kufitare në Bernjak, ku nga aty do të vazhdojë në Zubin Potok

Nisë krijimi i Policisë së Gjelbër

Periskopi.com Lajme

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi , sot është pritur në takim zyrtar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi me ç ‘rast kanë rënë dakord për themelimin e grupeve punues për krijimin e Policisë së Gjelbër.

Gjatë këtij takimi,Matoshi, potencoi rëndësinë e krijimit të Policisë së Gjelbër, që sipas tij ka rol në shqiptimin e gjobave ndaj atyre që hedhin mbeturina në mënyrë të kundërligjshme.

“Për një ambient të pastër duhet filluar sa më parë, pasi që ndotja konsiderohet si problemi i dytë kryesor në Kosovë. Në këtë aspekt, ne si MMPH kemi vlerësuar si të domosdoshme krijimin e Policisë së Gjelbër”, tha Matoshi.

Ndërsa, Gashi nga ana e tij ka mbështetur iniciativën e Matoshit për krijimin e këtij njësiti të gjelbër policor.

MPB tregon a është vendosur se kush do jetë drejtor i Policisë

Periskopi.com Lajme

Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk e ka bërë publik emrin e personit i cili do të jetë në krye të Policisë së Kosovës.

Kjo gjë, pritet të dihet brenda kësaj jave.

Kështu ka thënë të martën zëvendësministri në MPB-së, Izmi Zeka.

“Ende nuk është vendosur se kush do të jetë drejtor i policisë. Kjo gjë pritet të dihet brenda kësaj jave”, ka thënë Zeka për Express.

Në listën e ngushtë për t’u emëruar drejtor Policisë janë: 1. Rashit Qalaj, 2. Samedin Mehmeti dhe 3. Gazmend Hoxha. Kjo renditje ishte e njëjtë si nga komisioni vendor i vlerësimit ashtu edhe nga komisionit i partnerit të Ambasadës Britanike. Nga të dy komisionet, Rashit Qalaj ka dalë më i poentuari.

Policia e Kosovës kishte mbetur pa drejtor pasi që Shpend Maxhuni kishte lënë Policinë për t’u bërë drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Inspektorati Policor i Kosovës bëhet me kryeshefe

Periskopi.com Lajme

Inspektorati Policor i Kosovës njofton opinionin publik se Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, me vendim, Nr 363/2018 të datës 02.08.2018, ka emëruar Miradije Kelmendin, Kryeshef Ekzekutiv të IPK-së.

Sipas një njoftimi, ky emërim ka ardhur pas përfundimit të procedurave të konkurrimit nga konkursi i shpallur me datën 04.07.2018.

“Ky vendim ka hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit dhe nga data 02.08.2018 znj. Miradije Kelmendi do ti kryej të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji Nr. 03/L-231 Për Inspektoratin Policor të Kosovës”.

“Inspektorati Policor i Kosovës fton opinionin publik që të vazhdoj të besoj në punën profesionale të IPK-së dhe fton në bashkëpunim të përhershëm në ngritjen performancës tonë”, thuhet në njoftim.

Shpeshtohen takimet e përgjegjësve për sigurinë në Kosovë, komandanti i KFOR’it tregon si është situata

Periskopi.com Lajme

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major SalvatoreCuoci. Në këtë takim u diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Republikën e Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se gjendja është e qetë dhe stabile. Me këtë rast, u tha se bashkëpunimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe KFOR-it është i mirë dhe se ky bashkëpunim duhet të thellohet edhe më tej.

Ministri Gashi e falënderoi komandantin e KFOR-it për përkrahjen e dhënë për institucionet e sigurisë në Kosovë, gjë që është me rëndësi të madhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që vazhdimi i bashkëpunimit në mes tyre të vazhdojë edhe më tutje.

MPB u refuzon mbi 300 personave shtetësinë e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Vetëm gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të marrë shtetësinë e Kosovës kanë aplikuar gjithësej 612 persona.

245 nga ta kanë marrë shtetësinë kosovare. Ndërkohë që përgjigje negative kanë marrë 367 persona, kjo me arsyen se nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara me ligjet në fuqi.

 

 

“Gjatë kësaj periudhe gjithsej 612 persona kanë bërë kërkesë për marrjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Përgjigje negative kane marrë gjithsej 367 persona. Këto kërkesa nuk i kanë përmbushur kriteret e parapara me ligjet në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MPB-së, shkruan indeksonline.

Sipas MPB-së, kërkesat për t’u bërë qytetar i Kosovës vijnë kryesisht nga vendet e regjionit si Serbia, Shqipëria, Maqedonia si dhe Turqia. Ndryshe janë janë tri mënyra të fitimit të shtetësisë: me qëndrim në Republikën e Kosovës, me bashkim familjar si dhe me dekretim nga presidenti.

Ministria paralajmëron masa shtesë për ta rritur sigurinë në rrugë

Periskopi.com Lajme

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes në trafik, veçanërisht ka kërkuar nga vozitësit të jenë më vigjilentë.

Ai ka bërë të ditur se ministria që udhëheqë do të marrë masa shtesë për të ngritur nivelin e sigurisë në trafik.

Bazuar në të dhënat e fundit për gjendjen aktuale në trafikun rrugor,vetëm javën e kaluar kanë humbur jetën gjashtë qytetarë të Republikës së Kosovës, si rezultat i aksidenteve në trafik.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të jetë e pa kompromis ndaj shkelësve në trafik dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor, ngritjes së vëmendjes se do të ndërmarrin veprime policore shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik”, thuhet në njoftim.

Gashi ka apeluar te të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar kur dalin në rrugë.

“Shpejtësia po vret qytetarë të Kosovës, ju lutemi që të kontribuojmë së bashku për një siguri më të madhe në trafik”, ka thënë ai.