Bashkimi problematik i ministrive

Periskopi.com Lajme

Reduktimi i ministrive të Qeverisë së Kosovës, nga 21 sa kanë qenë deri më tash, në 12, siç kanë paralajmëruar partitë që synojnë formimin e koalicionit qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas organizatave joqeveritare,

“Demokraci Plus” dhe “Çohu”, do t’i ketë anët pozitive, por mund të përcillet edhe me probleme, të cilat do të ndikojnë edhe në performancën e qeverisë së ardhshme.

Sipas tyre, reduktimi i numrit të ministrive do të jetë i kushtëzuar me bashkimin e disa ministrive ekzistuese dhe kjo mund të ndikojë në agjendat e ministrive përkatëse, të cilat janë në zbatim e sipër.

Visar Rushtiti nga “Demokraci Plus”, thotë për Radion Evropa e Lirë që tashmë ekzistojnë paralajmërime se Ministria e Integrimit Evropian do të bashkohet me Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të bashkohet me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Bashkimi i këtyre ministrive, sipas tij, mund të ndikojë në agjendat përkatëse.

“Agjenda e integrimeve evropiane, mund të ndikohet për shkak të organizimit të Ministrisë së Integrimit Evropian, ashtu siç është propozuar, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme. E dyta është reforma e administratës publike, e cila, po ashtu, mund të ndikohet nëse, siç është propozuar, Ministria e Administratës Publike bëhet së bashku me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Rushiti.

Projeksionet e LVV-së dhe LDK-së për qeverinë me 12 ministri

Rushiti shtoi se opsioni më real do të ishte që organizimi i integrimeve evropiane të bëhej në kuadër të një agjencie apo sekretariate në kuadër të zyrës së kryeministrit.

Sipas tij edhe reforma e administratës publike do të ndikohet në qoftë se Ministria e Administratës Publike bëhet pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Rrjedhimisht, siç thotë ai, Ministria e Administratës Publike duhet të mbetet e vetme, sikurse që ka qenë deri më tash.

Mendim të përafërt ka edhe Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai vlerëson që fuzionomi i ministrive mund të shkaktojë telashe të mëdha për qeverinë e ardhshme.

“Bashkimi i këtyre ministrive ka për t’u shkaktuar shumë telashe, sidomos kur po synojnë t’i bashkojnë disa ministri, si për shembull (Minisitrinë e Administrimit) të Pushtetit Lokal me atë (Ministrinë) e Punëve të Brendshme , që nuk kanë kurrfarë lidhshmërie në mes vete. Do të ketë telashe edhe me agjendë, në përcaktim të agjendës dhe te ligjet. Kur të fillojnë t’i ndryshojnë ose t’i hartojnë ligjet e rejat, do të kenë shumë telashe”, theksoi Demhasaj.

Megjithatë, reduktimi i numrit të ministrive, sipas Rushitit, është shprehur si domosdo nga shoqëria civile që moti. Reduktimi i paralajmëruar, siç thotë ai, në 12 ministri do të shkaktojë telashe me akomodimin e zyrtarëve që punojnë në ministritë aktuale.

“Mirëpo, ky nuk është proces, i cili mund të bëhet për një apo dy muaj. Ne kemi thënë që Qeveria duhet ta kërkojë votën në Kuvend, me 12 ministri. Të zgjedhë 12 ministri sipas fushave. Duhet zgjedhur fushat, të cilat duhet të jenë në kuadër të këtyre 12 ministrive dhe pastaj, këto nëntë ministritë tjera, duhet të akomodohen dhe organizohen si pjesë e këtyre 12 të parave, në mënyrë graduale. Ndoshta i tëri një mandat im plotë, 4 vjeçar, kalon derisa të bëhet një sistematizim i plotë dhe i mirëfilltë i të gjithë atyre, që mund të themi kushtimisht, që janë tepricë në këto nëntë ministritë tjera”, u shpreh Rushiti.

Zvogëlimi i numrit të ministrive rrezikon shumë vende të punës

Por, Demhasaj thotë se problemi me të cilin do të ballafaqohet qeveria e ardhshme, në rast se i redukton ministritë sipas paralajmërimeve, do të jetë delegimi apo akomodimi i nëpunësve që kanë kontrata me Qeverinë. Në rast se ata largohen nga puna, sipas tij, mund ta padisin në gjykata Qeverinë dhe kjo mund të sjellë pasoja financiare për këtë të fundit.

“Nuk nënkupton vetëm ajo që e bashkove ministrinë dhe një ministër, por më vonë janë telashet që vijnë te stafi. Tash, t’i largosh ata nga puna, nuk është zgjidhje, sepse ata kanë kontrata dhe e padisin Qeverinë dhe mund ta fitojnë rastin në gjykatë, për shkak se u është bërë e padrejtë atyre. Fillimisht është problem edhe që fizikisht t’i bashkosh (ministritë), sepse një pjesë të stafit e ke diku dhe një pjesë të stafit diku tjetër”.

“Kontrolli nuk mundet të jetë i përditshëm nga ana e sekretarit ose sekretariatit në përgjithësi. Kjo më pas mund të shkaktojë telashe dhe performanca mundet të jetë e dobët, sidomos në fillim, derisa të rregullohet se si kanë për të funksionuar këto ministri”, vlerësoi Demhasaj.

Demhasaj shtoi se reduktimi i administratës publike, nënkupton edhe reduktimin e stafit.

Kosova, në vazhdimësi ka pasur vërejtje nga ana e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe nga Raporti i progresit për Kosovën, që administrata publike është e ngarkuar tej mase.

Zvogëlimi i ministrive, premtohet që s’do të ketë largim të stafit civil nga puna

Periskopi.com Lajme

Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë dakorduar që qeveria e ardhshme të mos ketë më shumë se 12 ministri, ndërkohë përjashtohet mundësia që stafi civil nëpër të reduktohet.

Nënkryetari i Vetëvendosjes Besnik Bislimi, thotë se do të ketë riorganizim të ministrive, por përjashton mundësinë që do të ketë largime nga puna për shkak të këtij riorganizimi.

Bislimi: Ka me pas riorganizim, nuk ka me pas largime nga puna për shkak të riorganizimit

“Riorganizimi nënkupton edhe riorganizim të stafit, për shembull nëse tri ministri bëhen bashkë nuk munden me i pas tre sekretar permanent, nuk munden me i pas tre departamente ligjore, do të thotë ka me pas riorganizim, nuk ka me pas largime nga puna për shkak të riorganizimit. Nëse ka largime nga puna ka me pas vetëm për emërime jo të ligjshme, në qoftë se një zyrtar është punësuar pa i respektuar procedurat e konkursit, atëherë ne normal që nuk do ta respektojmë këtë. Mirëpo, në qoftë se ka riorganizim dhe nevojë për rialokim, atëherë do të gjenden hapësira alternativa. Për shembull ne kemi deklaruar se do të shumëfishojmë numrin e inspektorëve të punës, nëse në ndonjë departament nuk ka nevojë për zyrtar, atyre do t’iu jepet mundësia që të kalojnë në departamentin e inspektoratit të punës, kështu që do të gjenden hapësira, mirëpo stafi civil nuk ka kurrfarë arsye me u frikësuar nga këto ndryshime”, ka thënë Bislimi.

Ai thotë se ky konsolidim ka të vetmin qëllim rritjen e efiçiencës dhe uljen e shpenzimeve në nivel ministror.

Zvogëlimin e numrit të ministrive hap pozitiv e sheh Jeton Mehmeti nga Instituti GAP, i cili thotë se shihet një përkushtim nga LVV dhe LDK për të pasur një qeveri me më pak ministri, e që sipas tij, kjo do të ndikojë që të ketë kursim të buxhetit të shtetit.

Në një hulumtim që GAP ka bërë thuhet se me zvogëlimin e numrit të ministrive buxhetit të shtetit do t’i kursehen 15.5 milionë euro.

Mehmeti nuk e sheh problematike riorganizimin e stafit civil, pasi të ndodhë riorganizimi i ministrive.

Mehmeti: Brenda tyre do të kishim një riorganizim të stafit civil

“Një shkrirje në 12 ministri nga 21 sa kemi tani, vetëm për pagat e këtyre personave të lartë do të kurseheshin rreth 12 milionë euro. Duke marrë parasysh edhe kostot tjera diku brenda një mandati qeveritar do të kishim një kursim prej 15.5 milionë euro. Kjo në aspektin politikë, kurse në aspektin e shërbyesve civil ne nuk i kemi kalkuluar pagat e tyre për shkak se besojmë që me vullnet politik shumë lehtë edhe pozitat e shërbyesve civil do të riorientoheshin dhe do të gjendet një mënyrë se si ata dhe ku do të shkonin brenda ministrive të reja. Ne nuk e shohim shumë problematike këtë, sepse me një vendim të Qeverisë, me një marrëveshje të koalicionit qeveritar do të kishim më pak ministri dhe pastaj brenda tyre do të kishim një riorganizim të stafit civil, që nuk nënkupton që ata do të duhej të largoheshin nga puna”, thotë ai.

Ai shprehet se nuk duhet të ketë panik në mesin e shërbyesve civil se zvogëlimi i ministrive do të sjellë edhe largime nga puna.

Mehmeti: Ata gëzojnë të drejtën për të qenë pjesë e shërbimit civil

“Unë mendoj që nuk duhet të kemi një panik sepse me shkurtimin e ministrive do të largohen njerëzit nga puna, sepse kjo shumë vështirë e mundshme për shkak se ata gëzojnë të drejtën për të qenë pjesë e shërbimit civil, por besoj që pasi të riformulohen se cilat ministri do të shkojnë ku do të qartësohet edhe pozita e njerëzve që punojnë brenda atyre ministrive. Besoj që vetëm pozitat politike të cilat do të largoheshin me rastin e bashkimit të disa ministrive ato do të ishin pozita që do të shuheshin, përderisa pozitat tjera brenda stafit normalisht, disa do të duhej të shuheshin për të mos pasur dy të ngjashme, por personat që punojnë brenda tyre nuk nënkupton se duhet të largohen nga puna. Përkundrazi, ata mund të sistemohen në ndonjë pozitë tjetër brenda ministrisë së re në këtë rast”, shprehet ai.

Edhe Artan Demhasaj nga organizata Çohu, zvogëlimin e numrit të ministrive e quaj lajm të mirë, por që thotë se sfidë mbetet stafi civil i këtyre ministrive.

Ai shprehet se nëse do të ndodhë bartja e të gjithë stafit nga dy ministri në një, do të krijohet një ngarkim, por që potencon se largimi nga puna i stafit nuk është i mundur.

Demhasaj: Sfidë kryesore në bashkimin e këtyre ministrive ka me qenë çështja e shërbyesve civil

“Unë mendoj që sfidë kryesore në bashkimin e këtyre ministrive ka me qenë çështja e shërbyesve civil, secila prej këtyre ministrive e ka një numër të caktuar të shërbyesve civil dhe tash me bashkimin e dy e tri ministrive në një ministri, është lehtë e ki një ministër dhe e ki stafin politik, por çka ndodhë me shërbyesit civil që kanë qenë nëpër ministri të tjera. A do të barten komplet, nëse barten komplet ka me qenë një ngarkim tej mase i asaj ministrie, nuk është e mundur as me u larguar njerëzit nga puna se kanë kontratë me qeverinë dhe ata mund ta padisin pastaj qeverinë. Kjo po ashtu mund të jetë një barrë financiare pastaj për qeverinë e gjëra të tilla. Po sfida ka me qenë tek shërbyesit civil, njerëzit aktual që punojnë nëpër këto ministri si kanë me u rehatuar në atë ministri kur bëhen bashkë”, thotë ai.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke vazhduar takimet për harmonizimin e programit qeverisës, ndërkohë që janë pajtuar se numri i ministrive të ulet në 12, numri i zëvendësministrave të jetë nga 2 për secilën ministri dhe është premtuar edhe zvogëlim i numrit të këshilltarëve politik.

Kujtojmë se qeveria e kaluar e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka pasur numrin më të madh të ministrive 21 gjithsej me më shumë se 80 zëvendësministra.

Diskutohet për përgjysmimin e numrit të ministrive

Periskopi.com Lajme

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) sot mbanë panel diskutimi me temën “Përgjysmimi i numrit të ministrive përmes një ligji për qeverinë: një debat për kushtetutshmerinë dhe gatishmërinë politike”.

Ky panel diskutimi ka për qëllim të vë në diskutim projektligjin për Qeverinë dhe sfidat që kanë të bëjnë me zvogëlimin e numrit të ministrive si pjesë e ristrukturimit të ri të Qeverisë.

Në këtë diskutim panelistët dhe pjesëmarrësit tjerë do fokusohen në analizimin e qëllimit themelor të kësaj reforme, konkretisht në zvoglimin e numrit të ministrive.

Për më tepër, ky panel ka si qëllim të identifikojë ndikimin që ky hap mund të ketë jo vetëm në kontekstin juridik, por edhe atë të reformës së përgjithshme të administratës në Kosovë.

Ndër të tjera, panelistët, do të vënë në pah pikëpamjet kryesore të cilat mund ta lehtësojnë por edhe pengojnë procesin e zvogëlimit të numrit të ministrive dhe ristrukturimit të Qeverisë në përgjithësi.

GLPS mëton që të gjeturat nga kjo tryezë të kontribuojnë si pikënisje për debatin publik në raport me çështjet e ngritura dhe të përpiloj një listë rekomandimesh të cilat do ndhmojnë grupet punuese për të ndërtuar një ligj që i shërben Kosovës dhe reformës së administratës në përgjithësi.

Panelistët do të jenë Besnik Tahiri, koordinator nacional për reformën shtetërore, Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Visar Morina e Robert Muharremi, profesorë universitarë dhe Fisnik Korenica e Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.