‘Kosova nuk po trajtohet drejt nga BE-ja’

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova nuk e ka larg vendimin për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian (BE), ndonëse shumë shtete anëtare nuk janë deklaruar pro kërkesës së vendit për lëvizje në Zonën Schengen. Franca, Holanda, Finlanda,…, ende kanë dilema nëse do ta votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin e Ministrave të BE-së, përderisa Bullgaria, Sllovakia e Lituania kanë konfirmuar se do ta përkrahin vendin në këtë proces.

Nga Zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj kanë thënë se Qeveria është duke e kryer punën e vet sa i përket lobimit te të gjitha vendet e BE-së për të drejtën e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Qeveria dhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës janë duke e bërë detyrën e vet sa i përket lobimit te të gjitha vendet e BE-së për të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë Francën, Holandën dhe Finlandën dhe se opinioni i këtyre shteteve po ndryshon në favor të liberalizimit. Kosova i ka përmbushur kriteret e BE-së për liberalizim dhe hyrja në agjendë të Këshillit të BE-së është e pritshme. Pra kjo do të ndodhë sivjet”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit..

Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një përgjigje për gazetën “Zëri” theksoi se me gjithë punën e institucioneve për ta bërë të mundur heqjen e vizave, Kosova nuk po trajtohet sikur vendet tjera aspiruese që tashmë kanë arritur synimin për liberalizim.

“E them preras, askund në udhërrëfyes nuk ka pikë ose kapitull të papërmbushur. Fenomenet që janë procese nuk kanë data, siç është sundimi i ligjit ose luftimi i krimit dhe i korrupsionit, ato janë procese dhe kurrë të përfunduara. Këto dukuri negative janë sfidë për mbarë botën, ndërsa të ketë mospranim të të arriturave vetëm për vendin tonë është e padrejtë. Kur e them këtë kam parasysh për disa vende që kanë liberalizim e që për fenomenet të cilat neve na ngarkohen në ato vende as që kanë trajtim ose shifra të matshme”, ka thënë ministrja Hoxha.

Ajo potencoi se padrejtësitë që po i bëhen Kosovës nuk do ta ndalin punën e vendit për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Hoxha shtoi se duke u bazuar në komunikimin zyrtar që institucionet e Kosovës kanë pasur me institucionet e BE-së, nuk ka qenë e pritshme që Kosova do të përballet me një vonesë kaq të madhe deri në heqjen e vizave.

Hoxha: Franca po heziton për viza, për shkak të migrimit

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është duke raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Ajo në këtë Komision shpalosi detaje lidhur me liberalizimin e vizave, derisa shtoi se shkaku i migrimit Franca është duke hezituar për heqjen e vizave për Kosovën.

“Përkundër rekomandimeve pozitive dhe plotësimit të kritereve ne jemi në pritje të një vendimi nga Këshilli. Zvarritjes së këtij procesi u ka kontribuar konteksti politik në BE e sidomos zgjedhjet. Deri vonë nuk kemi pasur një vendim ose pozicion të Gjermanisë kemi pas përkrahje nga Ministri i Jashtëm mirëpo nuk kemi pasur përkrahje nga Ministri i Brendshëm. Në takimin që ka pasur kryeministri ka shpreh përkrahje por nuk ka pas ndonjë veprim. Nga vendet hezituese janë Franca, Holanda dhe Belgjika”, ka thënë Hoxha, raporton KTV.

“Brenga e Francës mbetet migrimi. Përkundër faktit se nuk jemi as në top 30-shen e vendeve prej nga vjen migrimi ilegal”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se futja në agjendën e Këshillit të Ministrave nuk do të ndodhë nëse nuk ka konsensus të gjerë.

“E këtë iniciativë e presim ta marrë njëri nga shtetet anëtare që ta vë në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave në grupet punuese”.

Takimi i ardhshëm u Këshillit është pas konstituimit të organeve të reja, ndërsa Hoxha ka thënë se nga fundi i tetorit pritet takimi i radhës i Këshillit.

Hoxha raporton para Komisionit për Punë të Jashtme

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, sot do të raportojë para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Mbledhja e këtij komisioni mbahet sot në ora 13:00 në një nga sallat e Kuvendit të Kosovës.

Ministrja Hoxha: BE po u bën padrejtësi të rinjve të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti një grup studentësh ndërkombëtarë nga Amsterdam University College, me të cilët diskutoi për perspektivën evropiane të rajonit dhe sfidat e procesit integrues.

Këshilli Evropian, theksoi ministrja Hoxha, ka bërë vlerësime për të arriturat dhe sfidat, ndërsa çështjen e liberalizimit e ka vlerësuar se “është në shqyrtim”.

“Ne kemi pritje të mëdha, sepse kemi punuar shumë për përmbushjen e 95 kushteve nga udhërrëfyesi për liberalizim. Konsideroj se ndaj të rinjve tanë në rend të parë, po bëhet padrejtësi. Studentët tanë janë të penguar për arritjen e cilësive të dëshiruara nga ata për studime, por edhe tërë jeta jonë, ka kufizime”, potencoi ajo, duke potencuar perspektivën evropiane si rrugën e vetme për Kosovën dhe rajonin.

Në bashkëbisedim interaktiv me studentët që shfaqen interesim për zhvillimet sociale si dhe perspektivën politike dhe kulturore të rajonit, Ministrja Hoxha vlerësoi të arriturat për procesin integrues duke potencuar se zbatimi i MSA-së, reformave dhe përafrimi me vlerat e BE-së, janë prioritet dhe konsensus nacional.

“Rruga jonë nuk ka alternativë, është brenda vlerave dhe proceseve integruese euro-atlantike”, ka potencuar ministrja Hoxha.