Veseli ia prezanton idenë e Tribunalit për gjenocidin e Serbisë, ndihmës sekretarit gjeneral të OKB’së

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka pritur sot në takim ndihmës sekretarin gjeneral të OKB-së për Evropë, Azinë Qendrore dhe SHBA, Miroslav Jenca, me të cilin ka diskutuar për proceset politike në Kosovë, arritjet e shtetit të Kosovës në shumë fusha dhe aspiratat në të ardhmen.

Veseli në veçanti e ka informuar Jencan për nismën rreth themelimit të Tribunalit për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Ndërsa i ka kërkuar që OKB të marrë parasysh peticionin e vitit 2014 me mbi 115 mijë nënshkrime, ku kërkohet drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

Ja njoftimi i plotë:

Pata kënaqësinë që të kisha një takim të veçantë me ndihmës sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Miroslav Jenca, i cili mbulon çështjet e Evropës, Azisë Qendrore dhe Amerikave. E falënderova për punën që ka bërë Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe agjencitë e specializuara të saj në Kosovë dhe i tregova se synimi ynë është që në një të ardhme sa më të afërt edhe ne të bëhemi anëtar me të drejta të plota i tyre.

Ne besojmë se nëpërmjet dialogut do të arrijmë një marrëveshje paqeje që do të sigurojë njohjen e ndërsjellët me shtetin fqinj dhe do të hapë rrugën për anëtarësim në OKB.

Në të njëjtën kohë, e informova për nismën time në kuadër të ballafaqimit me të kaluarën dhe ndëshkimit të gjenocidit dhe krimeve të luftës të bëra nga Serbia.

Me këtë rast, kërkova ndihmën e tij që OKB-ja të marrë në konsideratë peticionin e vitit 2014 që përmban mbi 115 mijë nënshkrime, përmes të cilit kërkohet drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Po ashtu, i vura në dukje që është e padrejtë mospërfshirja e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, në raportet e përvitshme të OKB-së, sepse pa të vërtetën dhe pa drejtësinë, vështirë se mund të ketë paqe e pajtim./PERISKOPI/

 

Nisma për Tribunalin, Veseli takim me ndihmës sekretarin e përgjithshëm të OKB’së

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pret nesër në një takim të veçantë ndihmës sekretarin gjeneral të OKB-së për Evropë, Azinë Qendrore dhe SHBA, Miroslav Jenca.

Ky takim zhvillohet pikërisht në kohën kur në Kosovë po diskutohet iniciativa e kryeparlamentarit Kadri Veseli për ngritjen e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, ndihmës sekretari gjeneral i OKB-së për Evropë, Azinë Qendrore dhe SHBA, Miroslav Jenca do të ketë takim vetëm me kryeparlamentarin Veseli nga liderët shtetërorë.