Vuçiq: Për t’i arsyetuar arrestimet në Veri, arrestuan disa njerëz edhe në Drenicë

Periskopi.com Lajme

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq thotë se ai i ka paralajmëruar të gjithë lidhur me atë që do të ndodhte në Kosovë.

“E kam paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar dhe qytetarët tonë për atë që do të ndodhte dhe natyrisht kjo është transmetuar edhe përmes mediave”, ka thënë Vuçiq.

“Po, si president i Republikës, e kam paralajmëruar gjithë publikun se çka do të ndodhë në Kosovë (e Metohi sic thotë ai) dhe të gjitha gazetat e kanë transmetuar paralajmërimin tim, çdo kush që mund të lexonte dhe lexon gazeta e ka parë paralajmërimin tim. Për këtë, nuk bënë asgjë as KFOR, NATO dhe BE’ja e as Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Vuçiq përcjell Periskopi.

Vuçiq ka thënë se Prishtina nuk ka ‘ide për çka i ka kryer arrestimet”.

“Ata folën për një aksion në gjithë territorin e Kosovës dhe këtë e kanë bërë për të arsyetuar aksionin e tyre në veri për t’i arrestuar ata që i kundërshtojnë. Nuk është normale të jesh kundër njerëzve vetëm pse nuk i ndani pikpamjet e njëjta me përfaqësuesit e tyre legjitim”, ka thënë Vuçiq. /Periskopi/

 

Bahtiri: Peticionin për bashkimin e Mitrovicës e kanë nënshkruar edhe intelektualët serbë

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka folur për iniciativën e ndërmarr për nënshkrimin e peticionit nga qytetarët e Mitrovicës për bashkimin e qytetit, si dhe bisedën me presidentin Thaçi dhe deklaratat e kryeministrit Haradinaj, që kanë të bëjnë me bashkimin e qytetit të ndarë.

Bahtiri tregoi tri arsyet që e kanë dërguar deri në një veprim të tillë, siç është nënshkrimi i peticionit nga qytetarët e Mitrovicës.

Ai tha se në fillimet e qeverisjes së tij, Mitrovicën e ka gjetur me 15 mijë banorë të veriut të Mitrovicës të shpërngulur në jug të saj, barrikada në urën e Ibrit si dhe me shumë tensione.

“E kam gjetur Mitrovicën me 15 mijë banorë të shpërngulur nga veriu, me 9,876 incidente, me tonelata rërë në urën e Ibrit, me barrikada, me një gjendje shumë të rëndë të sigurisë. Dhe gjithë këtë e kam kaluar duke i falënderuar ambasadat për të filluar një proces të ri, për të ulur tensionet, sepse qëllimi im është për një zhvillim ekonomik”, tregoi ai.

Sipas tij, problemin e Mitrovicës e ka ditur jo vetëm Prishtina, por edhe Brukseli e Uashingtoni sepse Mitrovica siç tha ai është quajtur ‘qytet i problemeve’.

“Qëllimi im kryesor ka qenë stabiliteti. Serbët donin që lumi Ibër të ishte pjesë ndarëse e qytetit. Unë këtë nuk e kam lejuar, kam shkuar dhe në Bruksel. E kam nënshkruar memorandumin për kufijtë administrativ të planit të Ahtisaarit, ndërsa ish kryetari Rakiq nuk e ka nënshkruar. Ky ka qenë hapi  parë i imi. Hapi i dytë ka qenë hapja e urës së Ibrit, por dhe kjo ka qenë e pamundur…  Në zyrën e Apostolovës kemi biseduar me Goran Rakiqin, dhe ai nuk ka lejuar që kjo urë të hapet. Arsyet i ka thënë formale: ‘ende nuk janë pjek kushtet për t’u bashkuar ura’. Aty i kemi pas tensionet e ngritura. Sa që dola nga takimi. Dhe e treta që më ka futur në këtë proces ka qenë dorëheqja e kryetarëve të komunave në veri të Mitrovicës”, u shpreh ai.

Bahtiri tha se peticionin për bashkimin e Mitrovicës e kanë nënshkruar edhe qytetarët intelektualë të kombësisë serbe, pasi ata nuk dëshirojnë që të udhëhiqen nga strukturat ilegale serbe.

“Njerëzit intelektual në pjesën e veriut e kanë nënshkruar peticionin të cilët janë të komunitetit serb, sepse atje udhëheqin njerëzit e krimit. Tash unë e kam dërguar nëpër organet kompetente këtë peticion dhe atyre i mbetet që ta përkrahin këtë peticion të nënshkruar nga qytetarët”, theksoi ai, duke kërkuar nga zyrtarët e lartë në Prishtinë që të ndërmarrin hapa konkretë dhe ta bëjnë realitet statusin e Mitrovicës.

Kryetari i kësaj komune tha se gabimet janë bërë qysh para 20 viteve, dhe se qytetarët e Mitrovicës ende nuk e kanë gëzuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Jemi munduar çdo herë të iu dalim në ndihmë, por fatkeqësisht kompetencat e kryetarit të komunës janë të ndara. Kam filluar të ndërtoj disa shtëpi në pjesën e veriut dhe ish kryetari i veriut e ka qit policinë, inspeksionin për ndalimin e tyre. Nuk kam kompetencë si kryetar i komunës që të ndikoj. Qeveria ka mundësi të ndikojë dhe të merret me ta”, tha tutje Bahtiri.

I pyetur se a ka gjetur përkrahje nga krerët e shtetit për këtë peticion, ai tha se “Presidenti Thaçi zyrtarisht më ka përkrahur për këtë peticion. Parlamenti duhet të marr vendim… Kam biseduar me grupet parlamentare dhe më kanë përkrahur. Nuk e besoj që ka deputetë të Kosovës që nuk e përkrah këtë peticion”.

Ndërsa sa i përket deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj, se nuk e kupton idenë e Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës, ai u shpreh se është keqkuptuar deklarata e tij.

“Haradinajn e kam mik dhe e vlerësoj punën e tij dhe të mëparshme, por dhe sakrificën e tij.  Kam respekt për të. Para mediave mundet njeriu që edhe të gaboj. E kam dëgjuar dhe kuptimi i saj ka qenë ‘nuk mund të bashkohet Mitrovica prej atyre që e kanë nda’. E ka thënë për Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin. Ai e di që unë nuk e kam nda Mitrovicën, sepse unë kam qenë në Holandë. Kështu e kam kuptuar. Nëse dikush e ka kuptuar ndryshe le ta marr dhe të dëgjoj”, sqaroi Bahtiri./Telegrafi/

 

Dorëhiqet kryetari i Mitrovicës Veriore

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq sapo është dorëhequr nga pozita e të parit të kësaj komune.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq ka konfirmuar paraprakisht se dorëheqje do të japin gjatë ditës edhe kryetarët e tri komunave të tjera veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Bombë në oborrin e pjesëtarit të FSK-së në Mitrovicën Veriore

Periskopi.com Lajme

Një mjet shpërthyes është gjetur në oborrin e shtëpisë të një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Mitrovicën e Veriut.

Rasti ka ndodhur mbrëmë në Lagjen e Boshnjakëve.

Lajmin për ‘kallxo’ e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala.

Shala tha se në oborrin e shtëpisë së një pjesëtari të FSK-së është gjetur një mjet shpërthyes.

Sipas Shalës, pjesëtari i FSK-së është i komunitetit boshnjak.

“Mjetin e pashpërthyer e ka shpërthyer Policia e Kosovës dhe Policia po merret me rastin. Nuk ka të lënduar sepse nuk ka eksploduar, ka qenë mjet i pashpërthyer.”, ka thënë Ibrahim Shala.

Muajve të fundit janë shpeshtuar sulmet dhe aksionet e frikësimit të pjesëtarëve të FSK-së, sidomos të atyre të komunitetit serb, në veri të Kosovës.

Zyrtarët e komunës së Mitrovicës Veriore ndajnë 10 mijë euro për telefona luksozë

Periskopi.com Lajme

Ende nuk kanë objekt të vetin, por zyrtarët e komunës së Mitrovicës Veriore,  të pakten sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, i kanë vënë vetes prioritet blerjen e telefonave të serive të fundit.

Për 10 sish, sipas një njoftimi të KRPP-së, janë ndarë 10 mijë euro, dhe tani është hapur tenderi për ofertuesit.

Por, shefja e administratës së kësaj komune, Adriana Hoxhiq, mohon të jetë shpallur kësi tenderi.

Por, këmbëngulë se do të blihen edhe pajisje të tjera.

Zyrtari i Policisë tregon se si është situata në Mitrovicën Veriore

Periskopi.com Lajme

Situata e sigurisë në qytetin e Mitrovicës, përkundër zërave të ndryshëm për tension, vazhdon të jetë e qetë dhe stabile.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti ka bërë të ditur për KosovaPress se situata në jug të Mitrovicës është e qetë dhe stabile.

Sipas tij, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme sa i përket jugut në këtë qytet.

Edhe Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Besim Hoti, situatën aktuale të sigurisë në atë pjesë e ka përshkruar krejtësisht të qetë.

“Është një ditë e rëndomtë pa ndonjë aktivitet që mund të kërcënojë sigurinë e përgjithshme ose rendin publik”, ka thënë Hoti.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar poashtu se situata e sigurisë në këtë qytet vazhdon të jetë stabile, ndërsa njëri nga deputetët serbë të Parlamentit të Kosovës, i cili ka dashur të mbetet anonim, i ka thënë KosovaPress-it përmes telefonit se është i habitur me titujt e mediave kur shkruajnë për veriun e edhe për jugun e Mitrovicës.

“Vërtetë nuk e di kush dhe për çka është duke sajuar gjërat. Pse duhet e gjithë kjo. Njerëzit të frikësuar nga të dy anët po më thërrasin, ndërsa unë me familje kam dal mbrëmë dhe sot të shëtisë nëpër rrugët e qytetit me qëllim që njerëzit të kuptojnë se nuk është duke ndodhur asgjë”, ka thënë ai.

Ndryshe, njësitet elitare të Policisë së Kosovës janë grumbulluar në bazën “Belvedere” të Mitrovicës, por siç mëson KosovaPress-i, prania e tyre ka të bëjë me një ushtrim të planifikuar më herët.

Historianja serbe tallet me Vuçiqin: Flet për veriun e Kosovës sikur të ishte pjesë e Serbisë

Periskopi.com Lajme

Në përpjekjen për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq po flet për veriun e saj sikur ai të jetë praktikisht pjesë e Serbisë.

Kohë më parë, përkujton gazeta “Danas” ai ka thënë se frikësohet se shqiptarët e Kosovës planifikojnë ta marrin veriun, ta pushtojnë dhe pastaj do të pasojë një dëbim i serbëve nga ky rajon.

Lidhur me këtë ka reaguar historianja serbe Dubravka Stojanoviq.

“Qëkur Millosheviqi e shpalli fitoren ndaj NATO-s deri te deklaratat e tilla, po e vazhdon jetën fantazia më e pabesueshme, edhe pse të gjithë, nga përvoja më elementare e dinë se në Kosovë as që mund të shkohet. Por politikanët në pushtet s’e kanë problem të flasin broçkulla të tilla pasi që shoqëria në to pothuajse nuk reagon fare. Pra, ne kemi një si pakt heshtjeje dhe kjo është disfata jonë më e madhe”, ka thënë Stojanoviq.

Duke folur për kompromisin, ndarjen e mundshme ose mundësinë që veriu të marrë trajta të Republikës serbe në Bonjë e Hercegovinë, Stojanoviq tha: Këto janë vetëm forma të konfliktit të ngrirë. Po sikur ta ngrinim veriun e të presim, nuk e di çfarë… Ardhjen e rusëve. Kjo do të ishte Lufta e Tretë Botërore, të cilës do t’i gëzohemi… Në gjithë këtë nuk është i ngrirë konflikti i Kosovës, por është e ngrirë vetë Serbia… Kosova po shkon rrugës së vet, ka thënë ndër të tjera Stojanoviq.