Konflikti fizik Zeka-Krasniqi, shtyhet seanca gjyqësore

Periskopi.com Lajme

Është shtyrë seanca gjyqësore e paraparë të mbahej sot për deputetët e Kuvendit të Kosovës Milaim Zeka dhe Frashër Krasniqi.

Ndaj tyre Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë duke u bazuar në përleshjen që kishin pasur më 29 shtator në emisionin Info Lokale të Klan Kosovës, meqë rast Zeka është akuzuar për veprën ‘kanosje’ ndërsa Krasniqi me veprën ‘lëndim i lehtë trupor’.

Pas raportimit të ‘Betimi për Drejtësi’ për ngritjen e kësaj aktakuze, të dy deputetët patën deklaruar se as nuk kanë qenë në dijeni për ekzistimin e një aktakuze të tillë dhe as nuk janë marrë në pyetje nga ndonjë prokuror për këtë rast.

Një seancë gjyqësore ishte tentuar të mbahej edhe në korrik, por ajo dështoi me mungesë të të akuzuarve.

Sidoqoftë gjatë së mërkurës në ambientet e Gjykatës është parë vetëm deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi por jo edhe Zeka.

Gjyqtari kishte vendosur në seancën e parë të dështuar se nëse deputetët nuk paraqiten para gjykatës pas ftesave të dërguara në selitë e partive të tyre, ata do të silleshin këtu nga policët.