KEDS modernizon rrjetin në Veternik

Periskopi.com Lajme

Mbi 1500 banorë të lagjes Veternik të Prishtinës do të marrin shërbime shumë më kualitative të energjisë elektirke. Aty, tashmë pjesa më e madhe e rrjetit 50 vjeçar është modernizuar.

Dhjetëra shtylla të reja betoni kanë zëvendësuar shtyllat e vjetëra të drurit që mezi mbaheshin në këmbë. Edhe mijëra metra kabllo janë ndërruar të njëjtën kohë. Pas përfundimit të projektit të gjitha shtyllat e vjetra do të demontohen.

Rrjeti i ri ka rritur edhe sigurinë për banorët. Ata kanë mirëpritur investimet e KEDS derisa shprehen mjaft të kënaqur me punën e realizuar.

“Që 15 vite jam i ardhur këtu. Këtë rrymë e kemi pru me krahë tonë në atë kohë, krejt me hargjime tona, e para herë që u listu dhe u bo, u knaq kjo lagje me këtë rrymë. Kjo është…ma mire ski ku me qu”, tha Zymer Ademi, banor i lagjes Veternik.

Njëjt sikurse Zymeri, u shpreh edhe Musli Bunjaku, i cili tha se këto investime të bëra nga KEDS kanë rritur sigurinë dhe kanë përmirësuar furnizimin me energji elektrike.  “Të kënaqur jemi 200 përqind prej këtyre investimeve të cilat është duke i bo KEDS-i. Jemi cudit kur i kemi pa duke i zëvendësu banderat pa ardh ne lagjja me i thirr. Para KEDS’it kemi bërë kërkesë, por askush su mor me ne”, tha Bunjaku, i cili është gjithashtu banor i kësaj lagje.

Deri në përfundim të këtij investimi do të vendosen mbi 100 shtylla dhe mbi 7000 m kabllo.

Ky investim i KEDS mundëson që në këtë lagje të përmirësohet dukshëm gjendja energjetike për këta konsumatorë, të cilët deri tani kanë pasur probleme të mëdha me rrymë.

KEDS, që nga privatizimi i distribucionit ka bërë shumë investime në sistemin e rrjetit elektrik në Kosovë dhe kjo ka ndikuar dukshëm në cilësinë dhe furnizim të rregullt me energji elektrike.