Nisin përplasjet e para brenda RTK-së për ushtruesin e detyrës së drejtorit të ri

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Bordit të RTK-së, Naim Gashi ka kontestuar legjitimitetin e emërimit të Mufail Limanit ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

“Sot në mbledhjen e bordit kanë qenë 2/3 qysh e parasheh ligji, por kandidati Mufail Limani nuk i ka marrë 2/3 po i ka marrë 6 vota nga 7 sa kërkon ligji. Unë konsideroj se emërimi i tij është bërë në mënyrë të paligjshme, pasi ligji e thotë të qartë se edhe drejtori edhe çdokush që zgjidhet në krye të RTK-së duhet t’i ketë 2/3”, ka thënë Gashi.

Edhe Sindikata e Pavarur e RTK-së ka kundërshtuar emërimin e Limanit ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Sipas kësaj Sindikate, e tërë kjo po del të jetë e jashtëligjshme.

“Kjo, pasi që konkursi i dhjetorit që lamë pas, dështoi për shkak se 5 kandidatët nuk i plotësuan kriteret e përcaktuara nga bordi, e ky i fundit nuk po e rishpall konkursin edhe pse ka kaluar afati ligjor. Pra, nuk ka arsye ligjore që RTK të vazhdojë menaxhimin me u.d, por ka obligim ligjor që ta rishpall konkursin për drejtor të përgjithshëm të RTK-së. E në konkursin i cili ishte shpallur në dhjetor, ishin vënë kritere të jashtëligjshme, vetëm sa për ta dështuar konkursin, i cili detyrimisht duhej të shpallej”, ka thënë kjo Sindikatë.

E tërë kjo situatë dhe lojë për të blerë kohë, sipas SPRTK-së, po bëhet duke shpresuar se do të miratohet ligji i ri i RTK-së, i cili ia lejon drejtorit tashmë pa mandat, Mentor Shala që të rikandidojë sërish. /Koha.net