E ardhmja është e ndritur, Kosova U15 demolon edhe Estoninë

Periskopi.com Sporti

Përfaqësuesja e Kosovës U-15 ka arritur të mposht atë të Estonisë me rezultat bindës 3-0.

Djelmoshat e Kosovës kanë shënuar fitoren e dytë në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s, që po mbahet në Kamëz, nën organizimin e FSHF-së.

Pas fitores në ndeshjen e parë kundër Taxhikistanit (8:0), Dardanët, sot (e shtunë), kanë shënuar fitore edhe në duelin me Estoninë, me rezultat 3:0.

Derisa pjesa e parë ishte më e baraspeshuar, në pjesën e dytë djelmoshat tanë arritën të shfaqen efikas para portës estoneze.

Fillimisht shifrat i zhbllokoi Igball Jashari, derisa më pas dy dola i realizoi Elton Krasniqi, për ta vulosur fitoren e dytë të Dardanëve.

Pas xhiros së dytë në “UEFA Development Tournament”, Kosova kryeson renditjen me 6 pikë, Shqipëria ka 4 pikë, Estonia 2 pikë dhe Taxhikistani 0 pikë.

Ndeshjen e fundit në kuadër të këtij turneu Kosova do ta luajë të hënën kundër Shqipërisë, që njëherësh do të jetë edhe ndeshje përcaktuese për skuadrën e cila do ta mbyllë këtë turne si fituese.